Lajme
Komuna e Prishtinës: Banorët e Vranidollit po kundërshtojnë groposjen e mbetjeve patologjike
Demokracia
16:10 | 16 Shtator 2021
Foto Ilustrim

Share:

Komuna e Prishtinës ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë se banorët e fshatit Vranidoll, që gjendet 15 kilometra nga kryeqyteti i Kosovës, po kundërshtojnë që aty të groposen mbetjet patologjike nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës.

Radio Evropa e Lirë më 16 shtator ka raportuar se qeset të verdha plot me placenta kanë mbushur pesë frigoriferë në Klinikën e Gjinekologjisë në Prishtinë. Tre nga këta frigoriferë gjenden në afërsi të sallës së lindjes, në katin e tretë të Klinikës, kurse dy të tjerë, në deponë e katit të parë.

Drejtori i Klinikës së Gjinekologjisë, Jakup Ismaili ka deklaruar për REL-in se ky problem ekziston që dy vjet dhe se Komunës së Prishtinës i është kërkuar disa herë që të ndajë një lokacion.

“Nëse vazhdon një neglizhencë e organeve kompetente, ne duhet ta mbyllim klinikën apo të falimentojmë. Nuk e di çka do të bëjmë”, tha drejtori i Klinikës së Gjinekologjisë, Jakup Ismaili.

Drejtori i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar (SHSKUK), Valbon Krasniqi, në dhjetor të vitit 2020 kërkoi nga Komuna e Prishtinës që të jepte në shfrytëzim një pronë për groposjen e mbetjeve patologjike sipas Ligjit për dhënien në shfrytëzim dhe këmbimin e pronës së komunës për rastet e veçanta.

Sipas QKUK-së, largimin e mbetjeve patologjike e bën një kompani private e cila duhet të kontraktohet nga ky institucion. Megjithatë, QKUK-ja tha se për të kontraktuar një kompani për një shërbim të tillë, duhet fillimisht që Komuna e Prishtinës të caktojë një lokacion se ku duhet të groposen këto mbetje.

Radio Evropa e Lirë e ka pyetur Komunën e Prishtinës se a është caktuar lokacioni apo pse nuk është marrë vendimi për caktimin e një lokacioni.

Komuna e Prishtinës tha se Drejtoria e Pronës në bashkëpunim me Drejtorinë e Planifikimit, e kanë caktuar parcelën në fshatin Vranidoll, si vend i përhershëm për groposjen e mbetjeve patologjike, larg vendbanimit të qytetarëve. Mirëpo, shtohet se te kryesuesi i Kuvendit Komunal është dorëzuar një peticion nga banorët e Vranidollit për të mos lejuar groposjen e mbetjeve patologjike.

“Proceduralisht duhet të nënshkruhet vendimi fillimisht nga ana e kryetarit të Komunës dhe pastaj të dalë në Kuvend për miratim, e ku do të trajtohet edhe peticioni i banorëve. Prandaj, varësisht nga votat në Kuvend do të vendoset për këtë lokacion, ose do të vazhdohet me groposjen te varrezat e qytetit”, thuhet në përgjigje.

Por, në një e-mail që më 15 qershor 2021, nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Muhedin Nushi i kishte dërguar zyrtarëve të SHSKUK-së, thuhej se për ndarjen e këtij lokacioni nuk kërkohet që të vendosë Kuvendi Komunal, por vetëm kryetari i Komunës.

Komunikimi i 15 qershorit, 2021 mes nënkryetarit të Prishtinës, Muhedin Nushi dhe zyrtarëve të SHSKUK-së.
Komuna e Prishtinës sqaron se deri më tani këto mbetje patologjike janë groposur në bashkëpunim me ndërmarrjen “Hortikultura”, në varrezat e qytetit të Prishtinës, në një parcelë të posaçme.

Të ngjashme