Lajme
Komuna e Prishtinës arsyeton çmimet e parkingut nëntokësor
Demokracia
19:18 | 10 Nëntor 2022

Share:

Komuna e Prishtinës ka dhënë sqarime lidhur me tarifat e parkingut nëntokësor tek Fakulteti Filologjik në Prishtinë, pas ankesave të shumta lidhur me çmimet.

Sipas një komunikate për media të komunës të enjten mbrëma, parkingu është i pari i natyrës së Partneritetit Publiko-Privat, dhe se çmimet për parking janë shumë më të lira në parkingjet të cilat janë pronë e Ndërmarrjes Publike “Prishtina Parking”.

“Ky parking, me rreth 600 vendparkingje, synon të reduktojë dukshëm qarkullimin e veturave në qendër të qytetit, përfshirë edhe lirimin e trotuareve për këmbësorë. Duam t’Ju rikujtojmë, se në parkingjet të cilat janë pronë e NP ‘Prishtina Parking’, rrjedhimisht Komunës së Prishtinës, çmimet për parking janë shumë më të lira. Mirëpo, në rastin e Parkingut Nëntokësor, kemi të bëjmë me Partneritet Publiko-Privat, ku Komuna nuk është pronare e plotë e parkingut. Si rrjedhojë, përcaktimi i tarifave të parkimit është bërë në bazë të çmimit të tregut dhe duke marrë parasysh investimet e larta të koncesionarit në ofrimin e sigurisë së lartë dhe kushteve shumë më të favorshme krahasuar me parkingjet tjera me këto çmime”, thuhet në njoftim.

Komuna po ashtu ka bërë të ditur se çmimi i vendosur, përfshin edhe kostot e parapara për mirëmbajtjen dhe ofrimin e shërbimit, të cilat, siç thuhet, janë të larta.

“Gjithsesi, qëllimi i këtij parkingu është të shërbejë si stacion i përkohshëm parkimi për vizitorët e Zonës 1 – “Qendra”, dhe Komuna e Prishtinës vazhdon të inkurajojë ecjen në këmbë dhe përdorimin e transportit publik për të mirën e ambientit dhe gjithë qytetarëve të Prishtinës”, përfundon njoftimi.

Të ngjashme