Lajme
Komuna e Prishtinës akuzon Qeverinë se po e pengon në zgjidhjen e problemit me qentë endacakë
Demokracia
17:25 | 14 Prill 2022
Ilustrim

Share:

Komuna e Prishtinës e ka akuzuar Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës për pengim në zgjidhjen e problemit me qentë endacakë.

Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Alban Zogaj, ka reaguar ndaj Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës që shpalli të kundërligjshëm vendimin e kësaj komune për caktimin e lokacionit të pronës për strehimin e qenve endacakë.

Sipas nënkryetarit Alban Zogaj, projekti i tyre po pengohet nga ministria.

“Përderisa ne po punojmë të gjejmë një zgjidhje afatgjate, për një ndër problemet më të mëdha të qytetarëve të Prishtinës, atë të qenëve endacak, Ministria e Infrastrukturës dhe Ambientit, jo vetëm që nuk po ndihmon asgjë në këtë drejtim, përkundrazi është duke na penguar në këtë proces”, ka thënë Zogaj.

Akuza e komunës erdhi pas vendimit që MMPHI ka shpallur të kundërligjshëm vendimin e Komunës së Prishtinës për caktimin e lokacionit të pronës për strehimin e qenve endacakë.

MMPHI-ja ka konstatuar se hyrja e vendimit për ndarjen e 10 hektarëve në Slivovë, nuk është i bazuar në Ligjin për Planifikim Hapësinor.

Kjo ministri ka kërkuar të shikohet lokacioni i planifikuar sipas dokumenteve të planifikimit hapësinor në fuqi, e që “vendimi të jetë i bazuar edhe në dokumentet e planifikimit hapësinor sipas Ligjit për planifikimin hapësinor dhe dokumentet tjera që janë të parapara me këtë ligj”.

Ministria ka kërkuar që Komuna të harmonizojë vendimin me dispozitat ligjore në fuqi brenda 30 ditësh.

Të ngjashme