Paneli Shqyrtues i Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) ka refuzuar rekomandimin e ekspertit të vet të brendshëm për rikthimin në përmirësim të kritereve të tenderit për ndërtimin e bulevardit në qytetin e Gjilanit, duke e cilësuar raportin si të “paargumentuar” dhe “jo profesional”. Duke përfituar nga ky vendim, Komuna e Gjilanit ka publikuar menjëherë njoftimin në platformën elektronike të prokurimit publik (E-prokurimi), duke ftuar kompanitë që të dorëzojnë ofertat e tyre deri të hënën, më 26 maj 2025, shkruan Demorkacia.com.
Zyra e Prokurimit e Komunës së Gjilanit duket se është përgatitur të përfshihet në një kundërligjshëmri rreth këtij tenderi prestigjioz për ndërtimin e bulevardit të qytetit, projekt ky me një vlerë të llogaritur prej 18 milionë eurosh. Vetë afati i ri për dorëzimin e ofertave përbën një pikë kritike, pasi në E-prokurim është ngarkuar sot në orën 9:18 h dosja e tenderit e korrigjuar, po ashtu një njoftimi për OE është ngarkuar sot në orën 09:18 në sistem, duke treguar se afati për dorëzimin e ofertave përfundon të hënën në orën 14:00. Duke marrë parasysh që e shtuna dhe e diela janë ditë pushimi, kompanitë kanë në dispozicion vetëm një ditë të plotë pune (sot) dhe disa orë të së hënës për të përgatitur dokumentacionin, një afat qesharak për një kontratë të kësaj rëndësie dhe kompleksiteti.
Ky nxitim për të përfunduar me shpejtësi procedurat e tenderit lë të kuptohet se Komuna e Gjilanit po synon të shmangë konkurrencën reale dhe të përfitojë nga vendimi i OSHP-së për të përmbyllur procesin sa më parë, në dëm të transparencës dhe të konkurrencës së drejtë.
Sipas nenit 45.14 të Rregullores për Prokurim Publik, nëse autoriteti kontraktues jep informata shtesë ose sqaruese në një periudhë më të shkurtër se 10 ditë para përfundimit të afatit, ai duhet të zgjasë afatin e dorëzimit për të garantuar operatorëve të paktën 10 ditë përgatitje. Gjithashtu, rregullorja kërkon që autoriteti të përgatisë dhe të publikojë njoftimin për korrigjim të procedurës. Komuna e Gjilanit ka ngarkuar sot korrigjimin e dosjes, por nuk ka bërë asnjë zgjatje të afatit të dorëzimit.
Si rrodhi procesi
Komuna e Gjilanit, e udhëhequr nga kryetari Alban Hyseni i Lëvizjes Vetëvendosje, kishte shpallur më 18 mars 2025 tenderin për projektin ambicioz “Ndërtimi i projektit të integruar të Bulevardit të Qytetit të Gjilanit”. Vlera e tij është e lartë – 18 milionë euro – por jo më pak të larta janë edhe dyshimet për favorizim të operatorëve të caktuar.
Dy kompani të interesuara për këtë kontratë, “Pro&Co Group” dhe “Semaks” Sh.p.k, kanë dorëzuar ankesa pranë OSHP-së, duke akuzuar komunën për përpilimin e kritereve diskriminuese dhe të paarsyeshme. Në veçanti, kompanitë kanë theksuar se shumë nga specifikimet teknike dhe kërkesat për pajisje janë të sajuara qëllimisht për të favorizuar kompani të caktuara dhe për të eliminuar pjesëmarrës të tjerë të mundshëm nga gara.
Ekspertja shqyrtuese Blerina Huruglica dhe eksperti teknik Enver Bytyçi kanë hartuar një raport të detajuar, duke konkluduar se në dosjen e tenderit janë përfshirë kritere që shkelin parimet themelore të ligjit për prokurimin publik.
Sipas ekspertëve, kërkesat specifike për pajisjet e caktuara, si ato për kamionë me kran, gjysmë rimorkio kompresor, traktorë me fshesa, dhe automjete të tjera, janë të paqarta dhe kufizuese, duke favorizuar operatorë të caktuar dhe duke kufizuar konkurrencën. Për shumë nga këto pajisje, ekspertët teknikë kanë theksuar se kërkesa për pëlqime, ateste, regjistrime valide, ose lloj pajisjesh të specializuara, nuk është e domosdoshme për natyrën e punimeve të projektit dhe shkel ligjin e prokurimit publik. Këto kërkesa përbëjnë barriera të panevojshme për operatorët dhe janë konsideruar si diskriminuese, duke favorizuar disa kompani dhe duke penguar një konkurrencë të drejtë dhe të hapur.
Për më tepër, problemi i afateve të tenderimit është ngritur si një tjetër aspekt kritik, ku është argumentuar se afati për dorëzimin e ofertave është shkurtuar në mënyrë të paligjshme, duke shkelur nenet përkatëse të Ligjit të Prokurimit Publik.
Përfundimisht, ekspertët kanë rekomanduar ndryshime në dosjen e tenderit për të korrigjuar këto shkelje dhe për të siguruar që procedurat e tenderimit të jenë në përputhje të plotë me ligjin dhe të krijojnë mundësi të barabarta për të gjithë operatorët ekonomikë.
Pretendimi i dytë i Operatorit Ekonomik ankimues:
Gjithsesi, eksperti thekson se certifikatat për produktet ndërtimore, siç janë këto të përmendura, zakonisht verifikohen gjatë fazës së implementimit të projektit, dhe jo domosdoshmërisht në fazën e ofertimit. Për rrjedhojë, vendosja e këtyre kërkesave në këtë fazë të procedurës së prokurimit është e pajustifikuar dhe e panevojshme, duke rezultuar në kufizim të panevojshëm të konkurrencës. Eksperti teknik rekomandon që Autoriteti Kontraktues të korrigjojë dokumentet e tenderit dhe të heqë këto kërkesa nga DT.
Pretendimi i tretë i OE ankimues:
Eksperti teknik ka analizuar të gjithë listën e pajisjeve dhe konstaton se në dosjen e tenderit janë kërkuar gjithsej 35 lloje pajisjesh dhe makinerish për realizimin e projektit. Eksperti sqaron se çdo projekt i hartuar për ekzekutim përmban metodologjinë e punës, ku ndër të tjera përcaktohen afatet kohore dhe resurset e projektit. Në përputhje me organizimin dhe teknologjinë e ndërtimit, metodologjinë e punës dhe afatet kohore, përcaktohen edhe angazhimet e stafit të nevojshëm dhe të makinerisë së domosdoshme për realizimin e aktiviteteve ndërtimore dhe të projektit në tërësi. Bazuar në këto analiza, vlerësohen pajisjet dhe makineritë minimale të nevojshme për realizimin e projektit.
Duke u bazuar edhe në përgjigjet e Autoritetit Kontraktues (AK) në kërkesën për rishqyrtim, nuk mund të thuhet me siguri se ekzistojnë plane dhe dokumente të detajuara të projektit. Prandaj, eksperti teknik do të vlerësojë në bazë të fushëveprimit të projektit dhe përshkrimit të pajisjeve të kërkuara. Disa nga pajisjet janë subjekt i pikës ankimore nga OE, dhe në vazhdim do të paraqitet vlerësimi për secilën prej tyre sipas numrit rendor të pajisjes në listën e bashkëngjitur nga AK – Aneksi 7.
Pajisja nr. 8
Gjysmërimorkio speciale me 2 pompa për zhbllokimin e kanalizimit dhe zbrazjen e pusetave me presion min. 200 bar, me kapacitet 5000 litra.
OE ankues ka kërkuar që kjo pajisje të largohet nga dosja e tenderit (DT), pasi që në asnjë pozicion të projektit nuk përfshihet përdorimi i saj.
Përgjigje nga eksperti teknik:
Eksperti vlerëson se, bazuar në përshkrimin e punëve, kjo pajisje nuk gjen përdorim në projektin në fjalë dhe është e panevojshme. Nëse AK e ka vlerësuar të nevojshme, duhet të ketë edhe pozicione konkrete të punëve ndërtimore që e justifikojnë përdorimin e saj. Në përgjigjen e dhënë, AK ka theksuar se pajisja shërben për zhbllokimin e gypave në kyçjen e rrjetit të ri të kanalizimit – pozicion i cili mungon në paramasë dhe nuk mund të realizohet. Prandaj, AK duhet të korrigjojë dosjen e tenderit pasi që pajisja është e panevojshme.
Pretendimi për pajisjen nr. 8 konsiderohet i bazuar.
Pajisja nr. 16
Vinç hidraulik i destinuar për ngarkimin dhe shkarkimin e automjeteve.
OE ka kërkuar largimin e kësaj pajisjeje me arsyetimin se ekzistojnë metoda të tjera për ngarkim dhe shkarkim. AK ka deklaruar se pajisja është menduar për ngarkim dhe shkarkim të materialeve ndërtimore dhe ka shtuar se mjafton të jetë një vinç hidraulik.
Përgjigje nga eksperti teknik:
Kërkesa për këtë pajisje është vlerësuar si diskriminuese, pasi që ekzistojnë metoda të ndryshme për kryerjen e këtij funksioni. Pajisja në fjalë është e rrallë në praktikë dhe një kërkesë e tillë vetëm sa kufizon konkurrencën, duke orientuar drejt OE-ve të caktuara. Përshkrimi duhet të modifikohet dhe të përshtatet me natyrën e punës së projektit, siç është përmendur në përgjigjen e AK.
Pretendimi për pajisjen nr. 16 konsiderohet i bazuar.
Pajisja nr. 17
Vinç – ashensor me konstruksion metalik për bartjen dhe ngritjen e materialeve, elektromotorik, me lartësi deri në 40 m.
OE ka kërkuar largimin e pajisjes si të panevojshme, duke argumentuar se nuk ka objekte që kërkojnë një lartësi të tillë në projekt.
Përgjigje nga eksperti teknik:
Përshkrimi për pajisjen nr. 17 është kufizues, dhe lartësia deri në 40 metra e përkufizon si një pajisje shumë specifike. Për shkak se janë pajisje të rralla, kërkesa kufizon konkurrencën. Ka pajisje të ndryshme që kryejnë të njëjtin funksion – siç janë vinç-kullat – prandaj kërkesa duhet të modifikohet dhe të lejojë përdorimin e pajisjeve alternative. Për më tepër, edhe pse objekti i administratës ka një lartësi të caktuar, kufizimi deri në 40 m duhet të shihet si prag maksimal, duke lejuar edhe lartësi më të ulëta.
Pretendimi për pajisjen nr. 17 konsiderohet pjesërisht i bazuar.
Pajisja nr. 18
Instrument për certifikim dhe testim të kabllove – Multimates TESTPRO CV100-K50 Copper Certification Kit.
OE ka kërkuar largimin e pajisjes si të panevojshme, duke argumentuar se këto janë pajisje që zotërohen nga kompani të specializuara, ndërsa OE-të ndërtimore zakonisht nuk i posedojnë.
Përgjigje nga eksperti teknik:
Në kuadër të projektit ka punime elektrike, dhe gjatë realizimit mund të kërkohet testim i kabllove për të siguruar performancë dhe cilësi. Ky instrument është profesional dhe i përshtatshëm për testime të tilla.
Pretendimi për pajisjen nr. 18 konsiderohet i pabazuar.
Pajisja nr. 19
Makineri sharre me shirit horizontal, hidraulike, për prerjen e çelikut në forma këndore.
OE e ka konsideruar të panevojshme këtë pajisje, pasi në paramasë nuk ka pozicione që kërkojnë përdorimin e saj.
Përgjigje nga eksperti teknik:
AK ka dhënë përshkrime shumë të detajuara për pajisjet, që kufizojnë fleksibilitetin e OE-ve për të përdorur mjete alternative me funksion të njëjtë. Kjo pajisje mund të jetë e panevojshme në varësi të metodës së punës që aplikon OE-ja, pasi teknologjia ka evoluar dhe ekzistojnë forma të tjera për kryerjen e këtij procesi.
Pretendimi për pajisjen nr. 19 konsiderohet i bazuar.
Pajisja nr. 26
Automikser vetëngarkues për prodhimin e betonit.
OE ka kërkuar që të largohet kërkesa për librezën e qarkullimit për këtë pajisje, me arsyetimin se përdoret vetëm brenda kantierit dhe nuk kërkon regjistrim.
Përgjigje nga eksperti teknik:
Eksperti vlerëson se, sipas Ligjit për Automjete, mjetet motorike të dedikuara për përdorim në kantierë ndërtimi përjashtohen nga homologimi dhe nuk kanë nevojë për regjistrim për qarkullim rrugor. Prandaj, kërkesa për librezën e qarkullimit është e panevojshme dhe duhet të largohet nga DT.
Pretendimi për pajisjen nr. 26 konsiderohet i bazuar.
Vlerësimi i Ekspertit Teknik për Pajisjet e Kërkuara në DT
Pajisja nr. 27 – Kamion kiper me kran, gjatësia minimale e kranit 20 m
OE ka kundërshtuar kërkesën që pajisja të posedojë “pëlqim ose atest”, duke e cilësuar si favorizuese për OE të caktuar. Eksperti teknik vlerëson se ky përshkrim është i paqartë, kufizues dhe diskriminues, pasi nuk sqarohet lloji i pëlqimit apo atestit të kërkuar. Sipas ekspertit, pajisjet që i nënshtrohen kontrollit teknik të rregullt nuk kanë nevojë për pëlqim ose atest të veçantë. Kërkesa duhet të largohet nga DT.
Vlerësim: Pretendimi konsiderohet i bazuar.
Pajisja nr. 28 – Gjysmë rimorkio kompresor, minimum 1.5T
OE ka kundërshtuar kërkesën për regjistrim valid të pajisjes, duke theksuar se përdoret vetëm brenda në punishte. Eksperti teknik e mbështet këtë vlerësim, duke sqaruar se pajisjet që përdoren vetëm në punishte nuk kanë nevojë të regjistrohen.
Vlerësim: Pretendimi konsiderohet i bazuar.
Pajisja nr. 30 – Traktor me fshirëse për pastrim, maksimum 1.5T
OE ka argumentuar se kjo pajisje është më shumë për mirëmbajtje sesa për punë ndërtimore. Eksperti teknik pajtohet, duke vlerësuar se pajisja nuk është e lidhur me natyrën e projektit dhe duhet të largohet nga DT.
Vlerësim: Pretendimi konsiderohet i bazuar.
Pajisja nr. 31 – Xhip transportues 4×4 me korpe dhe 2 dyer, me ateste
OE ka kundërshtuar kërkesën, duke theksuar se pajisja nuk lidhet me asnjë pozicion në paramasë. Eksperti teknik e konsideron kërkesën si të tepërt, diskriminuese dhe të panevojshme.
Vlerësim: Pretendimi konsiderohet i bazuar.
Pajisja nr. 32 – Furgon special për punime elektrike me 2 dyer
OE ka kërkuar ndryshimin e kërkesës, duke theksuar se punimet elektrike mund të realizohen edhe pa këtë automjet. Eksperti teknik e vlerëson pajisjen si të panevojshme dhe rekomandon largimin e saj nga DT.
Vlerësim: Pretendimi konsiderohet i bazuar.
Pajisja nr. 33 – Dumper me goma vetshkarkues, minimum 5T
Eksperti vlerëson se pajisjet që operojnë vetëm në vend ndërtimi nuk kanë nevojë për regjistrim. Sa i përket kapacitetit, kërkesa prej minimum 5T është brenda logjikës së përcaktimit të kufirit minimal dhe i takon AK të vlerësojë nevojën.
Vlerësim: Pretendimi konsiderohet pjesërisht i bazuar.
Pajisja nr. 34 dhe 35 – Lugë ngarkuese me fshirëse / Lugë ngarkuese me pirun dhe fshirëse
OE ka kërkuar largimin e këtyre pajisjeve, duke argumentuar se janë të panevojshme për natyrën e punëve. Eksperti pajtohet dhe vlerëson se pajisjet nuk ndërlidhen me aktivitetet ndërtimore.
Vlerësim: Pretendimi konsiderohet i bazuar.
Pretendimi i katërt i OE ankues:
Ekspertja shqyrtuese, bazuar në shkresat e lëndës, sqaron se lidhur me afatin ligjor për dorëzimin e tenderëve, AK në Dosjen e tenderit ka specifikuar gjithashtu arsyen e përshpejtimit dhe shkurtimit të afatit për dorëzimin e tenderëve. Kjo bazuar në E-prokurim dhe, sipas ligjit, ky afat për dorëzimin e tenderëve është 22 ditë nga data e njoftimit për kontratë deri në ditën e dorëzimit të tenderëve. Si e tillë, bazuar në nenin 46 të Ligjit për Prokurim Publik, rregullat e posaçme për mundësimin e shkurtimit të afateve kohore, paragrafi 2 thotë:
2. Gjatë një aktiviteti të prokurimit që përdor procedurat e hapura të prokurimit, autoriteti kontraktues mund të përcaktojë një afat të caktuar kohor për pranimin e tenderëve që është:
-
2.1. Nëse kontrata përkatëse është kontratë publike me vlerë të madhe, jo më pak se pesëmbëdhjetë (15) ditë;
-
2.2. Nëse kontrata përkatëse nuk është kontratë publike me vlerë të madhe, jo më pak se dhjetë (10) ditë.
Rrjedhimisht, AK ka vepruar sipas nenit 46 të LPP-së duke shkurtuar afatin nga 40 ditë në 22 ditë. Në rastin konkret, ky pretendim ankimor është irelevant për shkak të zgjatjes së afatit të procedurave ankimore.
Si përfundim, bazuar në sqarimet e dhëna, rekomandohet që AK të bëjë ndryshimet në dosjen e tenderit dhe të zgjat afatin për dorëzimin e ofertave.
“Duke u bazuar në sqarimet e lartpërmendura, eksperti shqyrtues dhe teknik i propozon panelit shqyrtues që ankesa e OE ankues të aprovohet si pjesërisht e bazuar, AK të bëjë përmirësimet në dosjen e tenderit dhe të zgjasë afatin për ofertim“, aknë shkruar ekspertët.
Edhe Paneli i OSHP-së pa arsyetim të mjaftueshëm
Në vendimin e publikuar dje, Paneli e cilëson raportin e ekspertit si “të thatë”, “jo të argumentuar” dhe “të pabazuar profesionalisht” dhe e lë në fuqi vendimin e komunës. Megjithatë, vetë Paneli nuk ofron ndonjë analizë të re ose të thelluar që do të rrëzonte në mënyrë të qartë dhe bindëse përmbajtjen e raportit të ekspertit. Mungesa e një kundër-raporti teknik, apo të paktën e një argumentimi juridik të strukturuar, e bën këtë vendim të duket më shumë si një refuzim formal sesa një trajtim i drejtë dhe objektiv i çështjes.
Në disa raste, Paneli bie në kontradiktë me vetveten. Për shembull, ndërsa e cilëson si të paargumentuar analizën e ekspertit për kërkesat teknike të dosjes së tenderit nuk ofron asnjë vlerësim alternativ që do të tregonte nëse këto kërkesa janë të arsyeshme dhe të justifikuara ligjërisht. Madje, vendimi përmend vetëm se Autoriteti Kontraktues “kishte të drejtë të ndryshojë dokumentet e tenderit”, pa dhënë ndonjë gjykim se a ka qenë ky mosveprim në përputhje me dispozitat e Ligjit për Prokurimin Publik.
Kjo mungesë e trajtimit substancial shfaqet edhe në rastin e pretendimeve të kompanisë “Pro & Co Group”, e cila kishte kundërshtuar kriterin që kërkonte përvojë të mëparshme në projekte me vlerë mbi 15 milionë euro. Në këtë pikë, Paneli e konsideron vlerësimin e ekspertit si të saktë dhe profesional duke aplikuar një standard të dyfishtë: në një rast eksperti s’është i besueshëm, në një tjetër gëzon plotësisht kredibilitetin e tij.
Këto mospërputhje në vlerësim dhe mungesa e një trajtimi të detajuar juridik dhe teknik lënë përshtypjen se Paneli ka qenë më tepër i përqendruar në justifikimin e një qëndrimi të caktuar paraprak, sesa në shqyrtimin e paanshëm dhe të drejtë të provave dhe të ligjit. /Demokracia.com/
Vendimi Panelit:
Lexo edhe: