Konkurs publik, email privat. Memorandum bashkëpunimi me komunën, por edhe me kompaninë e një zyrtari komunal. Fakulteti i Arkitekturës dhe Komuna e Prishtinës kanë shpallur një konkurs për studentët, që në vend të frymëzojë kreativitetin, ka ngritur dyshime për konflikt interesi dhe mungesë transparence, shkruan Demokracia.com.
Fakulteti i Arkitekturës në kuadër të Universitetit “Hasan Prishtina”, në koordinim me Komunën e Prishtinës, ka shpallur një konkurs për studentët për ideprojektet e ndërhyrjeve të vogla urbane në Prishtinë.
Konkursi është shpallur në bazë të një memorandumi bashkëpunimi që Universiteti “Hasan Prishtina” ka me Komunën e Prishtinës.
“THIRRJE PËR KONKURS STUDENTOR – Intervenime për Përmirësimin e Kualitetit Urban në Prishtinë
Në kuadër të memorandumit të bashkëpunimit ndërmjet Komunës së Prishtinës dhe Fakultetit të Arkitekturës të Universitetit të Prishtinës, shpallet konkursi studentor për ideprojektet e ndërhyrjeve të vogla urbane – të njohura si “xhepa urbanë” – që synojnë përmirësimin e cilësisë së jetës dhe funksionimit të hapësirave publike në kryeqytet”, thuhet në mbishkrimin e konkursit i cili është publikuar vetëm në faqen e Facebook-ut të Fakultetit të Arkitekturës.
Në konkurs thuhet se koordinatori i këtij procesi është Komuna e Prishtinës. Po ashtu, aty është dhënë edhe emaili ku duhet të dorëzohen aplikacionet: [email protected].
Visar Geci është i punësuar prej një kohe në Komunën e Prishtinës, përmes një programi të UNDP-së, si këshilltar i kryetarit Përparim Rama, dhe është i përfshirë në kontratën për Shërbimin e Arkitektit të Kryeqytetit.
Por problemi qëndron se emaili i dhënë për aplikim nuk është adresë zyrtare e Komunës së Prishtinës. Ai është një email privat që Geci e përdor për firmën e tij private “1010 SHPK”, kompani e regjistruar në ARBK më 2.10.2018, me aktivitet primar “Aktivitetet e arkitekturës”.
Për më tepër, në të njëjtën ditë, Fakulteti i Arkitekturës ka publikuar një tjetër njoftim ku ka bërë të ditur nënshkrimin e një marrëveshjeje bashkëpunimi të njëjten ditë (sot) pikërisht me Studion 1010.
“Me kënaqësi ju njoftojmë për nënshkrimin e marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet Fakultetit të Arkitekturës – Universiteti i Prishtinës dhe Studios së arkitekturës 1010, që vepron në Graz dhe Prishtinë.
Ky partneritet synon të forcojë bashkëpunimin profesional përmes:
– Angazhimit të studentëve në projekte reale dhe aplikative
– Shkëmbimit të njohurive dhe resurseve profesionale
– Organizimit të përbashkët të punëtorive dhe ekspozitave
– Promovimit të qasjeve ndërdisiplinare në zgjidhjet arkitekturore
Ky hap i rëndësishëm është në përputhje me misionin tonë për të krijuar kuadro të përgatitura për sfidat bashkëkohore të arkitekturës dhe urbanizmit të qëndrueshëm”, thuhet në njoftimin e Fakultetit.
Pra, në të njëjtën orë kur është publikuar konkursi për studentët e Arkitekturës që do të përfshihen në projekte të Komunës së Prishtinës – dhe ku fituesit do të shpërblehen me nga 500 euro – është publikuar edhe marrëveshja me kompaninë private të Visar Gecit, zyrtar aktual në Komunën e Prishtinës. Kjo përputhje ngre dyshime për konflikt të mundshëm interesi.
Nga ana tjetër, vetë konkursi i shpallur nga Fakulteti i Arkitekturës në koordinim me Komunën e Prishtinës ka mangësi të shumta: mungon një udhëzues i detajuar, nuk janë specifikuar kriteret e vlerësimit, nuk është përmendur bordi vlerësues dhe nuk janë përcaktuar elementet minimale të një thirrjeje serioze. Gjuha e përdorur në tekstin e thirrjes është tepër e përgjithshme dhe e thjeshtuar në një nivel joadekuat për kontekstin universitar.
Në vend se të jetë një mundësi e pastër për studentët, ky konkurs duket më shumë si një skemë e kamufluar për promovimin e interesave private në emër të bashkëpunimit institucional. /Demokracia.com/
Lexo edhe: