Arte
Kompozitori Ilir Bajri krijon 14 instrumente virtuale, përdorimi i së cilave do të jetë pa pagesë
Demokracia
20:04 | 09 Qershor 2021

Share:

Ilir Bajri njihet si kompozitor dhe interpretues i jashtëzakonshëm, por tani do të njihet edhe si krijues i instrumenteve virtuale.

Muzika e Ilir Bajrit ndërthur estetika të padiskueshme të të shprehurit të emocioneve përmes tingujve, në një mënyrë aq komplekse sa të mos lejojë indiferencën e asnjë krijese që ka aftësinë e të dëgjuarit, shkruan Demokracia.com

Një adhurues i madh edhe i teknologjisë, Ilir Bajri tregon se si që në fillim të karrierës së tij ka pasur dëshirë të bëjë bashkë muzikën dhe teknologjinë, por gjithnjë në shërbim të njerëzores.

Në një bisedë për Demokracia.com Ilir Bajri tregon se dëshira e tij për eksperimentim me muzikën elektronike ka filluar në vitet e 80-ta, pasi kishte parë në televizion idhujt e tij muzikorë.

Që nga ajo kohë ka filluar interesimi im për të krijuar instrumente të cilat do të krijojnë tinguj unik. Këto instrumente ishin me pagesë dhe shuma ishte e papërballueshme”, thotë ai në një bashkëbisedim me Demokracia.com.

Por, kjo dëshirë nuk është pa frustrime e pengesa. Një e tillë është qasja e kufizuar në instrumentet virtuale për muzicientët. Por, Iliri, edhe për këtë ka bërë diçka.

Si rezultat i kësaj, me iniciativë të veten dhe krejt i vetëm, Ilir Bajri ka krijuar një mundësi të rrallë për muzikantët dhe të pasionuarit pas muzikës, duke krijuar rreth 14 instrumente virtuale.

Iliri, tregon se në krijimin e instrumenteve virtuale, ajo që e vështirësonte edhe më shumë procesin ishte edhe mungesa e informatave se si të ndërtohen këto instrumente.

Ai tregon se si arriti të gjejë në internet një lloj platforme në të cilën kishte shpjegime në një mënyrë të kapshme se si ndërtohen këto instrumente.

Ndonëse vet procesi i mësimit zgjati rreth një vit, ai arriti të gjejë një lloj forumi ku njerëzit nga e gjithë bota që ndërtonin instrumente virtuale, shpërndanin njohuritë e tyre dhe ndihmonin njëri-tjetrin, ndihmë kjo që kryesisht kishte të bënte me skripting, pra gjuhën programuese, që në fillim dukej shumë e vështirë.

“Në vitin 2017 kam filluar të punoj disa tinguj muzikor, si një lloj librarie të tingujve, për studentë të muzikës sidomos, por edhe për entuziastët e muzikës, që ka me qenë pa pagesë dhe ajo u popullarizua shumë shpejt në internet”, tregon Ilir Bajri.

Njerëz të shumtë filluan t’i shkruajnë dhe kjo “platformë” filloi edhe të përdorej, që ishte edhe qëllimi kryesor dhe kënaqësia ultimative e tij.

Prej kësaj filloi të eksplorojë idenë e krijimit të një instrumenti virtual.

“Unë kam përdorur instrumente virtuale prej një periudhe të gjatë, më se 20 vite, por nuk besoja se mund të krijoja vet një të tillë”, tregon Iliri.

“Procesi në fillim ka shkuar shumë ngadalë. ‘Ndërtimi’ i instrumentit të parë ka zgjatur rreth 4 muaj, ndërsa tani jam në gjendje të krijojë brenda disa ditësh”.

Përveç që ka arritur të krijojë instrumentet për të cilat ai vet ka pasur nevojë për të krijuar muzikën e tij, Iliri u ka mundësuar atyre që merren me muzikë të kenë qasje të lirë e madje edhe të modifikojnë ato.

“Përpos që janë pa pagesë ato janë edhe ‘opensource’, gjë që u mundëson edhe të tjerëve t’i përdorin, analizojnë dhe ndryshojnë sipas nevojave të tyre këto intrumente”, shpjegon Iliri.

Përpos këtyre 14 instrumenteve virtuale të krijuara deri më tani, Ilir Bajri është duke zhvilluar një seri prej 4 instrumenteve të cilën e ka titulluar “Orkestra e lirë publike” (FreePublicOrchestra). Këto katër instrumente simulojnë komplet Orkestrën Simfonikë dhe është e dedikuar për kompozitorët e rinj, ata që shkruajnë muzikë teatër, për film apo për video lojëra.

Përpos kësaj, është edhe një set tjetër që ai po përgatitë, i përbërë nga 6 instrumente, që janë të përshtatshme për muzikë elektronike, muzikë eksperimentale, e që mund të përdoret si ‘backgroundmusic’ e cila ngjason dhe mund të përdoret për filma, video lojëra, teatër etj.

Iliri, si përfundim tregon që kjo punë është e vazhdueshme dhe e përditshme për të, nga e cila merr njohuri të reja çdoherë, bashkë me faktin se këto instrumente janë online dhe se vetëm në 6 muajt e fundit janë shkarkuar 7 mijë herë, është kënaqësia e tij më e madhe.

Për të përdorur këto instrumente ju mund të shtypni këtu./Demokracia.com/

Të ngjashme