OpEd
Komploti brenda Kremlinit që mund të rrëzojë Putinin
Demokracia
16:34 | 21 Prill 2022

Share:

Nga Luca Angelini “Corriere della Sera”

“Ushtria ruse është një institucion krenar, dhe nëse vazhdon të pësojë disfata katastrofike në Ukrainë, unë mund të imagjinoj një situatë ku ose Putin do të synojë të eleminojë krerët e ushtrisë së tij – për t’ua hedhur atyre fajin për dështimin e tij në Ukrainë – ose vetë ushtria, duke ditur se çfarë do të ndodhë, mund të jetë e para që do të përpiqet të rrëzojë Putinin”.

Skenari i paralajmëruar nga analisti Tomas Fridman i “New York Times”, nuk e bind Andrei Soldatov dhe Irina Borogan të Agentura.ru, një faqe e specializuar në monitorimin e shërbimeve sekrete të Moskës. Në një artikull në “Foreign Affairs”, ata shpjegojnë se pse nuk ka gjasa që “siloviki”, siç quhen drejtuesit e lartë të organeve të sigurisë, apo ushtria të ndërmarrin një grusht shteti kundër “Carit” në Kremlin.

Arsyeja e parë që përmendin ata ka të bëjë me “traditën”. Historikisht, ushtria ruse nuk ka qenë kurrë një kërcënim i madh për sundimtarët e vendit. Në dallim nga shoqëritë e tjera shumë më të militarizuara, në Rusi ka pasur shumë pak grushte shteti ushtarake të suksesshëm.

Herën e fundit që ushtria ruse nisi një rebelim të hapur ishte në vitin 1825, kur Dekambristët u përpoqën të rrëzonin Carin Nikolla I. Revolta dështoi, dhe shumica e udhëheqësve të grushtit të shtetit u vranë ose internuan.

Është e vërtetë që në tetorin e vitit 1993, një grup veteranësh të ushtrisë sovjetikë që e quanin veten “Unioni i Oficerëve”, morën pjesë në një kryengritje ultra-konservatore, por ata u arrestuan para se të fillonte rebelimi.

Sa i përket epokës sovjetike, që në kohën e CHEKA-s dhe më pas të KGB-së, shërbimet sekrete i kanë mbajtur gjithmonë sytë dhe veshët shumë hapur për të identifikuar dhe shtypur që në gjenezë çdo tundim për grusht shteti nga ana e forcave të armatosura.

Dhe Putini ka i zgjeruar shumë kompetencat e FSB-së, që sot ka të njëjtën seli qendrore në Lubjanka, në selinë e dikurshme të KGB-je, ku u formua edhe ai vetë. “Me një mbikëqyrje të tillë të pandërprerë – përfundojnë Soldatov dhe Borogan – ushtria ruse nuk ka prodhuar kurrë ata lloj ushtarakësh që mund të udhëheqin një revoltë efektive”.

Por ç’mund të thuhet për FSB-në? Tek e fundit, siç e përmendëm edhe më lart, shërbimet sekrete kanë nxjerrë “një nga liderët më të fuqishëm në vend që nga koha e Stalinit”, pra Vladimir Putinin. Edhe në këtë rast, Soldatov dhe Borogan, rendisin një sërë arsyesh që sugjerojnë të mos kemi asnjë iluzion.

“Nëse dikush pret që anëtarët e shërbimeve të sigurisë të ngrihen kundër Putinit, do të ishte mirë të marrë parasysh precedentët e papërfillshëm të kundërshtimeve në radhët e FSB ndaj Putinit. Shërbimet ruse të sigurisë, kanë qenë gjithmonë të prirura ndaj korrupsionit, por ato nuk kanë qenë shumë të afta në ndërtimin e bazave efektive të pushtetit dhe rrjeteve të tyre të patronazhit.

Për shkak të mënyrës se si është strukturuar FSB-ja, oficerët priren të jenë më shumë besnikë ndaj gradës dhe pozitës së tyre, sesa ndaj drejtuesve të lartë brenda shërbimeve, Kështu, nëse një gjeneral i FSB-së e humbet postin e tij, ai nuk mund të mbështetet tek besnikëria e ish-vartësve të tij”- theksojnë më tej ata.

Dhe ata që punojnë në Lubjanka kanë mësuar se mund t’i nënshtrohen “kurës së Putinit” si kushdo tjetër. “Për momentin, dhjetëra oficerë të FSB-së ndodhen në burg me akuzat për korrupsion dhe tradhti (që shpesh përfshijnë spiunazhin e supozuar për SHBA-në).

Ndërsa këto akuza janë ndonjëherë të vërteta, shpesh duket se ka arsye të tjera që përcaktojnë se kush është në shënjestër të Kremlinit. Në shumicën e rasteve, të akuzuarit u arrestuan nga vetë departamenti i sigurisë së brendshme të FSB-së.

Si rezultat i këtyre praktikave, ka kohë që brenda FSB-së ekziston një kulturë e përhapur e mosbesimit. Oficerët e nivelit të mesëm nuk u besojnë gjeneralëve, dhe gjeneralët nuk u besojnë vartësve të tyre. Shembulli më i spikatur është tentativa e puçit të vitit 1991 të udhëhequr nga kreu i KGB-së, Vladimir Kriushkov, e cila dështoi sepse anëtarët e shërbimit sekret, në vend se të ndiqnin aktivisht “komandantin” e tyre, preferuan të vëzhgonin njëherë se si do të rridhnin ngjarjet.

Edhe një faktor tjetër që nuk duhet anashkaluar: brezi aktual i oficerëve të FSB-së nuk ka njohur kurrë një “Car” tjetër përveç Vladimir Putinit. (Edhe kur presidenti ishte zyrtarisht Medvedev, dhe Putin kryeministër, të gjithë e dinin se kush e komandonte vërtet vendin), dhe në dallim nga e kaluara i gjithë shërbimi drejtohet praktikisht nga një emër, Aleksandër Bortnikov që prej vitit 2007.

Është e vërtetë që siç e theksoi edhe Fridman, silovik-ët nuk duhet të jenë shumë të kënaqur nga fakti se Putini duket se dëshiron që t’i fajësojë për faktin se fushata në Ukrainë nuk po ecën sipas parashikimeve, apo nga poshtërimi publik i Sergei Narishkin, kreut të inteligjencës së huaj, që guxoi të ngrinte disa dyshime mbi pushtimin e planifikuar.

Por është e vështirë të mendohet një rebelim i hapur i tyre. Sipas Soldatov dhe Borogan, ka vetëm një skenar në të cilin mund të imagjinohet një komplot brenda Kremlinit: “Pa një përvojë politike dhe një bazë të gjerë mbështetjeje, siloviki, si në shërbimet e sigurisë po ashtu edhe në ushtri, vështirë se janë në gjendje të planifikojnë dhe kryejnë vetë një grusht shteti.

As nuk ka të ngjarë të ndikohen nga ndryshimi i mundshëm i ndjenjës popullore në Rusi kundër Putinit. Por silovik-ët janë të pamëshirshëm në mbrojtjen e interesave të tyre, dhe ekziston të paktën një situatë në të cilën ata mund ta humbasin besimin ndaj presidentit aktual: nëse problemet ekonomike të Rusisë, arrijnë në pikën ku guvernatorët e saj rajonalë fillojnë të rebelohen ndaj Putinit, dhe kur rendi ekonomik që e ka mbështetur shtetin e sigurisë së Putinit për më shumë se 20 vjet të nisë të shembet.

Atëherë silovik-ët mund të arrijnë në përfundimin se Kremlini po e humbet kontrollin e vendit, dhe se e ardhmja e tyre është e kërcënuar. Nëse ndodh kjo, ata mund të tërhiqen dhe ta lënë të ndodhë grushti i shtetit, apo edhe ta ndihmojnë atë. Por ky nuk është një skenar i afërt. Sidomos për sa kohë që Evropa vazhdon të blejë gazin dhe naftën ruse.

Të ngjashme
OpEd • 28 Qershor 2024
OpEd • 27 Qershor 2024
OpEd • 25 Qershor 2024