Lajme
Kompanitë më oferta 100% të njëjta, dyshime se ministria shfajësohet kundërligjshëm: Fituesi e dorëzoi ofertën i parë
Demokracia
15:50 | 30 Tetor 2023

Share:

Një tender i dyshimtë është duke u realizuar nga Ministria e Bujqësisë, e cila udhëhiqet nga Faton Peci.

Një rast pothuajse i paprecedent në prokurimet publike ka ndodhur në Ministrinë e Bujqësisë, shkruan Demokracia.com.

Ndonëse kishin çmime krejt të njëjtë, ministria duke u thirrur në një rregullore për prokurimin publik e ka rekomanduar për kontratë kompaninë, e cila ka ofertuar e parë. Por, siç shihet nga hapja e ofertave, kompania fituese ka pasur çmim 1 cent më të shtrenjtë në ofertën pa Tatimin mbi Vlerën e Shtuar -TVSH. Të dy kompanitë i kanë plotësuar të gjitha kërkesat e tjera.

Bëhet fjalë për tenderin “Vlerësimi financiar i pronave dhe aseteve të paluajtshme të Institutit Bujqësor të Kosovës”.

Për këtë tender kanë ofertuar katër kompani, shkruan Demokracia.com.

  1. Pro Acc group Shpk – Prishtinë, më çmim 29,831.01 euro;
  2. Grupi i kompanive “CV” shpk, “krg-Kosova Reality Group” LLC -Prishtinë, më çmim 29,831.01 euro;
  3. Grupi i kompanive “Geo- Group” shpk, “Fitim Sertolli B.I”, “Lindita Konduri” – Prishtinë, më çmim 49,221.17 euro;
  4. “NMA” shpk, Prishtinë.

Siç shihet, i pari dhe i dyti kanë pasur ofertë njëqind për qind identike.

Në arsyetimin e anulimit të “CV” shpk, ministria ka shkruar se “Me keqardhje ju njoftojmë se tenderi i paraqitur nga ana juaj nuk qe i suksesshëm, ngase tenderi juaj bazuar në nenin 38.8 të Rregullores n.r 001/ 2022, ku thotë përzgjedhja bëhet sipas kohës së dorëzimit të ofertave (Operatori ekonomik, i cili bënë dorëzimin e ofertës i pari).

Fillimisht, duhet thënë se Autoriteti Kontraktues gabimisht e ka konstatuar se operatori i propozuar është më i lirë, pasi siç shihet në hapjen e ofertave, kompania tjetër është më e lirë për një cent pa TVSH, sepse TVSH është normë tatimore e jo çmim, pasi rregullohet me ligjin e TVSH-së dhe mund të ndryshojë gjithmonë apo të largohet i tëri, prandaj nuk është vlera e çmimit.

Lidhur më vendimin e ministrisë nuk është pajtuar kompania, e cila ka pasur çmim të njëjtë “CV” shpk, duke pretenduar se ajo ka pasur çmim më të lirë, pasi ka konsideruar se oferta e saj vendosur pa TVSh ka qenë një cent më e lirë se e kompanisë fituese. Po ashtu, kompania pretendon se fituesi nuk i ka përmbushur edhe disa kërkesa tjera. Ankesa është hedhur poshtë nga ministria. Më pas ajo ka bërë ankesë në Organin Shqyrtues të Prokurimit – OSHP, e cila ka ofruar argumentet e veta për shkelje.

Lidhur më normën e TVSh-së, kompania ankuese i është referuar nentit 23.10 të rregullores 0001_2023, i cili përcakton se çmimi për njësi duhet me qenë i ndarë nga norma e TVSH (pra i referohet normë e jo çmim):

“Pas plotësimit dhe ngarkimit, Lista e çmimeve e standardizuar shndërrohet në një format të listës së çmimeve, e cila është e përshtatshme për tenderuesit, me fusha të mbyllura të përcaktuara nga autoriteti kontraktues dhe me fushat e shënuara për t’u plotësuar nga ofertuesit:

– Çmim për njësi

– Norma e TVSH-së

– Emri i prodhuesit

– Shënimi i ofertuesit

Prandaj, sipas kompanisë në arsyeshmerinë e vet të refuzimit AK e shkel ligjin dhe rregulloren, pasi vetë sistemi e ka obligative ndarjen e çmimit pa TVSH dhe ndaras TVSH-në. “(Provë: sistemi e-prokurimi dhe vetë Procesverbali i Hapjes e ka të cekur Çmimi ku janë çmimet e ndara me dhe pa normën e TVSH-së). Në procesverbal figuron çmimi total prej 25280.51 Euro (pa TVSH) i ofruar nga ne dhe figuron çmimi prej 25280.52 i ofruar nga operatori i propozuar nga AK e që është më i lartë për Një Euro Cent. Nuk ka pasë vërejtje e as ndryshime”.

Tutje kompania ankuese ka thënë se AK në vendimin për refuzim për shqyrtim të datës 19.10.2023 e thotë të pavërtetën se e ka zbatuar nenin 40.10, pasi nuk na kanë informuar fare për korrigjim, sepse nuk jemi informuar.

“Ne i japim faktet dhe e sqarojmë çmimin pa TVSH dhe me TVSH ku ne kemi zbatuar ligjin dhe rregulloren ku çmimi i shërbimeve duhet të jetë pa TVSH, sepse edhe fatura përgatitet ndaras, por edhe sistemi e-prokurimi e ka të ndarë çmimin pa TVSH dhe me TVSH”.

Kompania ankuese thotë se nëse llogaritet çmimi pa TVSH ka dalë 25,280.5169, por meqenëse kërkohen dy numra pas pikës dhjetore është dashur të zbatohët ligji dhe rregullorja, respektivisht nenin 17.11 ku janë përdorur vetëm dy numra pas pikës dhjetore apo 25,280.51.

“Pra nuk ka pasë gabim nga ana e jonë fare, ndërsa vlera e TVSH-së ka dalë në mënyrë automatike në sistem duke e vendosur vlerën me gjithë TVSH prej 29,381.01 Euro. Operatori tjetër e ka rritë çmimin e vet për 1 Euro Cent duke shkel ligjin dhe rregulloren respektivisht nenin 17.11. Prandaj Çmimi i tij është me i lartë, sepse e ka rritur çmimin dhe si rezultat oferta jonë do të duhej të shpallej fituese si çmimi më i ulët. Argumenti tjetër ligjor është se po të ketë ndryshim nga qeveria e që të largohet TVSH-ja, atëherë ndryshohet edhe kontrata, e cila e parashihet edhe me rregulloren e KROUP 001- 2022, ku përcaktohet me nenin 13.10. Në raste kur ka ndryshime, sipas një vendimi të një organi kompetent, në tatime, normën e TVSH-së apo ndryshime në tarifat për import, çmimet e kontratës duhet të rregullohen në përputhje me rrethanat”.

Aktualisht, tenderi është pezulluar nga ana e Ministrisë së Bujqësisë, deri sa OSHP-ja të marrë vendim. Ky organ nuk pritet të marrë vendim edhe disa javë, pasi janë më dhjetëra lëndë të grumbulluara që presin shqyrtim.

Pos TVSH-së, më poshtë mund të shihni edhe ankesat tjera të parashtruara nga kompania ankuese. /Demokracia.com/

 

 

Të ngjashme