Lajme
Kompanitë e taksive në Kosovë vazhdojnë të mos i paguajnë tatim shtetit
Demokracia
10:49 | 06 Korrik 2022

Share:

Kompanitë e taksive në Kosovë janë duke vazhduar operimin lirshëm pa ndonjë sistem fiskal, përkundër që ligji i obligon të fiskalizohen. Si rrjedhojë, të njëjtat vazhdojnë të arkëtojnë fitime vetanake duke mos i paguar tatim shtetit.

Nga Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) thonë se janë duke bërë përpjekje të vazhdueshme që t’i identifikojnë dhe t’i detyrojnë të gjitha bizneset (pa përjashtim) të fiskalizohen, siç e kanë obligim ligjor.

E numri aktual i kompanive aktive të taksive në Kosovë, është gjithsej 1 mijë e 877.

Nga ATK-ja janë shprehur për Buletinin Ekonomik se tashmë janë në pritje që ndonjëri apo të gjithë Operatorët Ekonomik që janë të autorizuar për Pajisje Elektronike Fiskale, të certifikojnë ndonjë model të Sistemit Fiskal (SF) për sektor të veçantë, pra për TAXI.

Kjo për shkak se funksionimi logjik i SF për sektor të veçantë – TAXI, siç thonë ata, është i ndryshëm nga Pajisjet Elektronike Fiskale të zakonshme, pasi që Sistemi i tillë Fiskal duhet të administrojë shërbimet sipas llojit të shërbimit, në këtë rast ID-së, çmimit, kilometrave, vlerës, normës së TVSH dhe ID-së së TAXI-t.

Sipas ATK-së, janë disa kompani të taksive që aktualisht janë të fiskalizuara me Pajisje Fiskale, mirëpo jo në nivelin e kënaqshëm.

Kurse, sa i përket inspektimeve që janë bërë deri më tani për këtë kategori, ATK-ja pohon se ka pasur edhe raste të shqiptimit të gjobave dhe ndëshkimeve për mos fiskalizim për këto kompani nga Inspektorët Tatimor në terren, mirëpo në përgjigjet e tyre nuk kanë japur shifra të gjobave përkatëse të shqiptuara.

Ndërkohë, sipas Udhëzimit Administrativ MF-Nr.02/2018, neni 4-Pajisjet Fiskale, paragrafi 1.1, përcakton se: ”Të gjithë personat që bëjnë furnizime të mallrave dhe/ose shërbimeve në objektet , njësitë ose vendet te cilat mund të jenë në qasje të publikut , janë të obliguar që të shfrytëzojnë PEF dhe pajisjet tjera të obligueshme për regjistrimin dhe vërtetimin e furnizimit të mallrave dhe shërbimeve”.

“Nuk mundemi pa e përmendur se nga Operatorët Ekonomik jemi informuar se Pandemia COVID 19 dhe se fundmi lufta në Ukrahinë ka ndikuar negativisht edhe tek partneret e tyre (prodhuesit), ku ka shkaktuar vështirësi si në procesin e komunikimit, takimeve, furnizimit me lëndë të parë, përkrahja profesionale dhe teknike, etj”, kanë dhënë tutje detaje për këtë sektor nga ATK-ja.

Të ngjashme