Lajme
Kompanitë e preferuara të Qeverisë | Pas Kurtit edhe Sveçla i jep tender kompanisë së djalit të pronarit të “Mobelland” (DOKUMENT)
Demokracia
12:10 | 27 Prill 2023

Share:

Ministria e Punëve të Brendshme, e cila udhëhiqet nga Xhelal Sveçla, ka nënshkruar kontratë për blerjen e disa mobilieve. Edhe kësaj radhe fituese e tenderit del të jetë kompania e djalit të pronarit të “Mobelland”, kompani këto që vazhdimisht po marrin tenderë nga Zyra e Kryeministrit dhe ministritë e Qeverisë Kurti.

Veç pak javë më parë kompania “Mobelland” nga Suhareka mori një tender nga Zyra e Kurtit për furnizim me mobilie, jo vetëm kaq, pak muaj me parë edhe kompania e djalit të pronarit të “Mobelland”, “SRAHEP SH.P.K.” mori një tender për furnizimin me mobilie në Zyrën e Kryeministrit, e që kjo kompani ishte e regjistruar si biznes tek në shkurt të këtij viti, shkruan Demokracia.com.

DOKUMENT| Kolltuku i parehatshëm për Kurtin, i porositë edhe disa të reja 

Ashtu siç mund të shihet në ARBK, pronar i kompanisë “Mobelland” është Rizah Morina, ndërsa pronar i “SRAHEP SH.P.K.” është djali i tij, Ardian Morina.

Demokracia.com ka raportuar vazhdimisht për tenderët që këto kompani po i marrin nga Zyra e Kurtit.

DOKUMENT| Loja e zyrës së Kurtit me tenderë, nuk i blen mobiljet më nga pronari i “Mobelland”, por tash nga kompania e djalit të tij

Ndërkaq, siç bëhet e ditur në kontratën e publikuar sot në KRPP, Ministria e Punëve të Brendshme i ka dhënë tender kompanisë  “SRAHEP SH.P.K.”, për furnizim me tavolina.

Për këtë tender ka aplikuar vetëm kjo kompani, e cila do të marrë 679 euro.

Me këto para, ministria e Sveçles do të blejë 4 tavolina.

 

Kujtojmë se dy muaj radhazi, në  mars dhe në prill Zyra e Kryeministrit Kurti ka dhënë tender për blerjen e mobilieve.

Demokracia.com kishte raportuar se ato dy kontrata i kishin fituar pikërisht këto dy kompani, në mars kishte fituar kompania “SRAHEP SH.P.K.”, që është kompania e djalit të pronarit të “Mobelland” nga Suhareka. Ndërsa në prill fitoi vetë kompania “Mobelland”.

Edhe në korrik të vitit të kaluar, zyra e Kurtit kishte blerë karrige të reja në vlerë prej 9 mijë euro, derisa tenderi i ishte besuar sërish kompanisë “Mobelland” nga Suhareka. /Demokracia.com/

Të ngjashme