Lajme
Kompanitë e BE-së nënshkruajnë marrëveshje në vlerë 40 miliardë euro me Egjiptin
Demokracia
14:16 | 29 Qershor 2024

Share:

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha të shtunën se kompanitë evropiane po nënshkruajnë marrëveshje me vlerë më shumë se 40 miliardë euro me firmat egjiptiane, që përfshijnë një gamë të gjerë industrish.

Von der Leyen po fliste në Konferencën e Investimeve BE-Egjipt në Kajro, ku zhvilloi gjithashtu bisedime me presidentin egjiptian Abdel-Fattah el-Sissi.

“Në këtë konferencë, kompanitë evropiane po nënshkruajnë mbi 20 marrëveshje të reja ose MM me partnerët egjiptianë, të cilat kapin vlerën e mbi 40 miliardë eurove”.

“Kemi kompani në sektorë që variojnë nga hidrogjeni tek menaxhimi i ujit, nga ndërtimi tek kimikatet, nga transporti në aviacion dhe automobilistikë”, tha ajo.

Von der Leyen gjithashtu mbrojti investimet në energjinë e gjelbër dhe trajnimin dixhital, duke vënë në dukje “qëllimin ambicioz të Egjiptit për t’u bërë një qendër e energjisë së pastër”.

Konferenca dyditore është pjesë e Partneritetit Strategjik dhe Gjithëpërfshirës Egjipt-BE për të cilin u ra dakord nga von der Leyen dhe el-Sissi në mars.

Marrëveshja mbulon marrëdhëniet politike, stabilitetin ekonomik, investimet dhe tregtinë, si dhe çështjet e migracionit dhe sigurisë.

Të ngjashme