Ministria për Komunitete dhe Kthim që drejtohet nga Nenad Rashiq ka shpallur fituesit për tenderin “Ndërtimi i shtëpive për të kthyerit dhe komunitetet në nevojë”, shkruan Demokracia.com.
Qeveria e Kosovës për pesë vjet ka shpenzuar 8.2 milionë euro për ndërtimin e shtëpive për të kthyerit në vend. Gjatë kësaj periudhe për ndërtimin e këtyre shtëpive janë nënshkruar dy kontrata trivjeçare. Dje është nënshkruar e treta. Fitues ka dalë grupi i kompanive SINANI – ING SH.P.K.; EL-BAU SH.P.K.; EING COM SH.P.K, në një vlerë prej 2,584,004.98 euro.
Për këtë aktivitet të prokurimit kanë garuar 8 kompani dhe çmimin më të lirë sesa kompanitë fituese e ka pasur një tjetër grup kompanish në një vlerë prej 2,474,004.44 euro, por është vlerësuar si ofertues i papërgjegjshëm.
Pronarët e grupit të kompanive “El Bau” dhe “Eing Com” kanë shfaqur afërsi me partinë e Albin Kurtit. Të dyja marrin shumë tenderë në komunat që udhëhiqen nga Vetëvendosje në Gjilan e Podujevë.
Kompania EING COM SH.P.K. është në pronësi të Eljesah Podvorica.
Pronari i kompanisë, EING COM SH.P.K, Eljesah Podvorica, jo rrallëherë është parë në shoqërinë e njerëzve të Lëvizjes Vetëvendosje.
Në vitin 2021, deputeti i kësaj partie Sali Zyba dhe pronari Eljesah Podvorica ishin së bashku në një vizitë në Therandë.
Dyshja shihen në një fotografi nën shoqërinë edhe të disa personave për rreth.
Podvorica, gjithashtu në vitin 2019 ishte parë në shoqërinë e deputetit tjetër të Vetëvendosjes, Nijazi Isakut.
“Në kafe me tre luftëtarët e lirisë, UÇK-së”, shkruhej në postim. /Demokracia.com/
Në vitin e kaluar kompania “El Bau” dhe “Eing Com” kanë themelor një kompani të përbashkët të quajtur “EING COM & EL BAU SH.P.K”.
“El Bau” është kontraktor i rregullt në Gjilan.
Kompania “El Bau” po lufton edhe për një tender të madh në Komunën e Gjilanit.
Pronar dhe menaxher në kompaninë “Demiri Gartenbau” është Qëndrim Demiri. Demokracia.com ka zbuluar se Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Gjilanit, Albana Demiri, e ka djalë të axhës Qëndrimin. Konkretisht, ata janë fëmijët e dy vëllezërve.
Kompania “El Bau” shpk merr thuajse të gjithë tenderët në Komunën e Gjilanit. Pronarë në këtë kompani janë Suad e Fatlum Pireva. Këta dy e kanë nip pronarin e kompanisë “Demiri Gartenbau”, ndërsa Drejtoreshën e Arsimit e kanë mbesë.
Sipas Ministrisë për Komunitete dhe Kthim, e cila ka funksionuar që nga viti 2005, rreth 226,000 qytetarë të Kosovës, kryesisht serbë, ikën nga shtëpitë e tyre pas konfliktit të qershorit 1999 në Kosovë. Ndërkohë, janë kthyer rreth 30 mijë qytetarë, por nuk ka të dhëna të sakta për ata që janë larguar sërish apo i kanë shitur pronat e tyre.
Për procesin e kthimit, ndërtimit të shtëpive me para të shtetit, dhe në disa raste ato shtëpi të shiten përsëri nga përfituesit, javë më parë ka raportuar Radio Evropa e lirë.
Sipas këtij raportimi, derisa po bëhen përpjekje për t’i kthyer serbët e zhvendosur nga Kosova në vendet e tyre nga ku u larguan pas luftës së vitit 1999, ata të cilëve iu është mundësuar kthimi, po i shesin shtëpitë e reja të ndërtuara ose të rinovuara. /Demokracia.com/