Lajme
Kompanisë “EXFIS” i bllokohen mijëra litra naftë jashtë standardeve – arsyetohet me KFOR-in
Demokracia
17:44 | 25 Mars 2022
Ilustrim

Share:

Një sasi prej 20 mijë litrave naftë, e cila rezultoi jashtë standardeve të cilësisë, ishte dedikuar të hidhej në tregun e Kosovës. Dy rezervuarët me naftë të importuar nga “Ex Fis” Sh.P.K. u bllokuan në doganë, para se të ato liroheshin pas një arsyetimi të kompanisë që ndërlidhej me KFOR-in.

Dy nga tri rezervuare të naftës të importuara nga kompania e derivateve “Ex Fis” Sh.P.K. disa javë më parë, janë ndaluar në Doganën e Kosovës për mungesë të cilësisë.

Një sasi prej 20 mijë litrave, të cilën kompania “EXFIS” e importoi nga rafineria OKTA në Shkup të Maqedonisë së Veriut më 7 mars, rezultoi të jetë naftë jashtë standardeve të përcaktuara me ligjet në fuqi në Kosovë.

Një kontroll i kryer nga “Sierra Lab”, trupa inspektuese e kontraktuar nga Ministria e Tregtisë për kontrollin e cilësisë së naftës, konstatoi se dy prej tri rezervuarve – të cilat në total ngarkonin 30 mijë litra naftë – nuk ishin në përputhje me standardet e kërkuara me ligj për pikën e ndezjes së naftës.

Sipas trupës inspektuese, cilësia e naftës së bllokuar në doganë nuk “ishte në përputhje me Udhëzimin Administrativ për parametrin e pikës së ndezjes deri në 4.5 Gradë Celcius”.

Paparaci, ka siguruar vendimin e “Sierra Lab” dërguar Ministrisë së Tregtisë për kontrollin e tri autoboteve të naftës së importuar nga “EXFIS”.

“Ju njoftojmë se ngarkesa e importuesit edhe pas super analizë s’ka rezultuar të mos jetë në përputhje me UA 01/2017 për parametrin e pikës së ndezjes. Ishte në tre rezervuar (komora) prandaj edhe janë marrë mostra nga tre rezervuar ku rezervuari 2 dhe 3 kanë rezultuar të mos jenë në përputhje me UA 01/2017 për parametrin e pikës së ndezjes ndërsa komora 1 është në përputhje me UA 0/2017 për parametrin e pikës së ndezjes”, thuhet në njoftimin e trupës inspektuese të kontrollit të cilësisë së naftës.

Me naftën e bllokuar në doganë, “EXFIS” siguroi një mënyrë për t’i hapur rrugë importit në Kosovë të sasisë së derivateve me cilësi të mangët.

Më 17 mars, kompania drejtori një lutje në adresë të doganës me kërkesë që t’i lejohej importi i sasisë së bllokuar të naftës për nevoja të KFOR-it.

Forcat Paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë (KFOR), sipas përshkrimit në kërkesën e “EXFIS”, e kanë të lejuar përdorimin e naftës me pikë të ndezjes deri në 38 Gradë Celcius.

“Bazuar në këtë fakt, ju lutem të na mundësoni që derivatin e përmendur ta importojmë për nevoja të NATO/KFOR për të cilin sipas standardeve është e lejuar që pika e ndezjes deri më 31 mars të jetë 38 Gradë Celcius”, thuhet në kërkesën e “EXFIS”.

Kërkesa e “EXFIS” drejtuar Doganës së Kosovës

Këtë kërkesë, “EXFIS” e mbështeti me dokumente që dëshmojnë standardet e vendosura për cilësinë e naftës nga KFOR-i.

Për kontrollin dhe monitorimin e cilësisë së derivateve të naftës në import është përgjegjëse Dogana e Kosovës, ndërkohë që për treg të brendshëm është përgjegjëse Ministria e Tregtisë dhe Industrisë.

“Ex Fis”, një kompani private e cila operon në tregun e derivateve në Kosovë që nga viti 2005, posedon një kapital të vlefshëm 1.5 milionë euro, bazuar në të dhënat publike pranë Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve.

Kompania është pronë e afaristit Isa Muharremi.

Gjithsej 46 njësi në formë të pikave të karburanteve përbëjnë rrjetin e shtrirjes së “Ex Fis” në territorin e Kosovës.

“EXFIS”, nuk është përgjigjur në pyetjet e Paparacit rreth tentimit të kompanisë për importin, për nevoja të tregut të brendshëm, të rreth 30 mijë litrave naftë jashtë standardeve të cilësisë.

Në kërkesën për sqarime nuk është përgjigjur pozitivisht as Dogana e Kosovës, ndërkaq nga trupa inspektuese “Sierra Lab” kanë refuzuar të komentojnë rastin, të telefonuar nga mediumi të enjten.

Të ngjashme