Lajme
Kompania e vëllait të deputetit të VV-së kapet me kontrabandë
Demokracia
11:42 | 14 Nëntor 2023

Share:

Një automjet i postës private, Postman Sh.P.K., është ndaluar të hënën dhe brenda tij janë gjetur mallra në vlerë 18 mijë euro, të kontrabanduara nga Maqedonia e Veriut.

Postman Sh.P.K. është postë private në pronësi të Albin Rrahmani, vëllait të deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Eman Rrahmani, raporton Paparaci.

Policia e Kosovës tha sot se një shofer i postës private, me inicialet R.T., është arrestuar pasi është ndaluar dhe i janë gjetur mallrat e kontrabanduara në automjet.

“Me datën 13.11.2023 Njësia e Task Forcës – Lindje gjatë zbatimit të detyrave sipas autorizimeve policore për parandalimin, identifikimin dhe arrestimin e personave të dyshuar kryes të veprave penale, ka ndaluar një automjet të cilin e drejtonte i dyshuari mashkull kosovar me iniciale  R. T., tek i cili gjatë kontrollimit të mjetit janë gjetur të ngarkuara 43 paketa me mallra-suplemente  (proteina) të llojeve të ndryshme me peshë rreth 210 kg, me vlerë sipas tregut rreth 18.000 euro”, tha policia.


Automjeti i ndaluar i Postman Sh.P.K. /Foto: Paparaci

Policia tha se nuk kishte asnjë dokument mbi prejardhjen e mallrave, të cilat dyshohet se janë kontrabanduar përmes rrugëve ilegale nga RMV-RKS.

Paparaci, ka provuar të kontaktojë të martën me pronarin e kompanisë postare, Albin Rrahmanin, por ai ka qenë i paqasshëm në telefon. Mediumi ka dërguar pyetje me shkrim në adresë të Postman Sh.P.K., por ende nuk ka marrë përgjigje.

Albin Rrahmani, pronar i kompanisë Postman Sh.P.K./ Foto: Facebook

Ndërkaq, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje dhe vëllai i pronarit të Postman Sh.P.K., Eman Rrahmani ka thënë se nuk është në dijeni për ngjarjen.

“Nuk kam koment për rastin. Nuk jam në dijeni, as s’kam ide çka ka ndodh”, tha Rrahmani në një deklarim për Paparacin.

Lidhur me rastin, policia tha se është kryer edhe një kontroll në një lokacion tjetër të dyshuar por “nuk është gjetur sasi e mallrave tjera”.

Me urdhër të prokurorit, malli dhe automjeti janë dërguar në terminalin doganor “Dheu i Bardhë”.

Të ngjashme