Lajme
Kompania e armatimeve Rheinmetall do të prodhojë më shumë municione
Demokracia
13:11 | 17 Dhjetor 2022

Share:

Bundeswehrit i mungojnë granatat. Pas vetos së dyfishtë nga Zvicra, kompania e armatimeve Rheinmetall do të prodhojë vetë municione të shumta kundërajrore që mund të dërgohen në Ukrainë dhe të përdoren në Gjermani.

Kompania e madhe gjermane e armateve Rheinmetall po ndërton një fabrikë të re për të prodhuar më shumë municione në Gjermani dhe për të furnizuar ushtrinë gjermane Bundeswehr në mënyrë të pavarur. Sipas një raporti të agjencisë gjermane të lajmeve dpa, kompania e armatimit konfirmoi se sistemet për të ashtuquajturat municione të kalibrit të mesëm pritet të jenë gati në janar. Më parë në Berlin pati nota të zemëruara për shkak të vetos zvicerane kundër dërgimit të municioneve nga Gjermania në Ukrainë. Eksporti i planifikuar i rezervave të vjetra të armëve të nevojshme për tanket anti-ajrorë Gepard kërkon miratimin e qeverisë zvicerane, e cila e ka refuzuar këtë kërkesë duke iu referuar neutralitetit të saj.

Kompania Rheinmetall me bazë në Dusseldorf vuri në dukje se Gjermania ka nevojë për municione të konsiderueshme për të plotësuar boshllëqet e krijuara për shkak të dërgimit të tyre në Ukrainë. Këto boshllëqe duhet të plotësohen në përputhje me kriteret e NATO-s. Një zëdhënës i kompanisë së armatimeve i tha Agjencisë dpa, se qëllimi është që të sigurohen municione “për të rritur furnizimin e Gjermanisë dhe për ta bërë atë të pavarur nga prodhuesit e huaj”. Ndaj është vendosur që në Gjermani të ndërtohet një objekt i ri prodhimi për kalibrat nga 20 deri në 35 milimetra. Prodhimi është planifikuar të fillojë në qershor 2023.

Fillimi i dërgimit në korrik

Që në korrik të vitit 2023, Rheinmetall do të jetë në gjendje të dërgojë kontigjentin e parë të municionit për Gepard, tha zëdhënësi. Sipas raporteve, kjo do të thotë se Ukrainës mund t’i dërgohen deri në 300.000 copë municion, nëse qeveria federale e jep lejen përkatëse. Gjermania i ka dhënë Ukrainës Gepard, por fillimisht ishte në gjendje të dërgojë vetëm një sasi të vogël të municionit. Tanket Gepard, të cilat nuk përdoren nga Bundeswehri, janë të pajisura me gjyle prej 35 mm, që merren nga prodhuesi zviceran i armatimeve Oerlikon. Prodhuesi zviceran i armëve dhe municioneve tani i përket Rheinmetall.

Rheinmetall do të prodhojë municione të reja

“Jam shumë e lehtësuar që industria reagoi kaq shpejt. Në të ardhmen, gjithnjë e më shumë municion që na duhet urgjentisht, do të prodhohet në Gjermani,” tha për dpa kryetarja e Komisionit për Mbrojtje, Marie-Agnes Strack-Zimmermann. “Për shkak të situatës së sigurisë, është e një rëndësie të madhe që Gjermania, së bashku me partnerët e saj të NATO-s të bëhet më e pavarur në prodhimin e municioneve.”

Zemërimi në Berlin për shkak të vetos nga Zvicra

Tanket Gepard do të përdoren për të mbrojtur infrastrukturëne Ukrainës kundër sulmeve ajrore ruse. Do të përdoren edhe për mbojtjen e pajisjeve në porte për transportin e grurit ukrainas në tregjet botërore. Fakti që qeveria zvicerane vuri dy herë veton ndaj dërgesave të municioneve nga Gjermania në Ukrainë, duke iu referuar neutralitetit të saj, ka shkaktuar zemërim në Gjermani.

Edhe Bundeswehri ka blerë municion të kalibrit të mesëm nga Zvicra për sistemin e saj të armëve anti-ajrore Mantis, për armatimin e mjetit luftarak të këmbësorisë Puma, një armë detare dhe për aeroplanët luftarakë Tornado dhe Eurofighter. Bëhet fjalë për lloje municionesh të kalibrave nga 20 milimetra deri në 35 milimetra, të cilat tani do të prodhohen edhe në Gjermani.

Rheinmetall do të prodhojë municione të reja në Gjermani

Në nëntor, Strack-Zimmermann ka kërkuar që të nxirren mësimet nga vendimi zviceran. “Çfarë ndodh në të vërtetë nëse Gjermania ose një nga vendet e NATO-s sulmohet dhe municioni i prodhuar në Zvicër nuk jepet për shkak të këtij ‘neutraliteti’?”, pyeti politikanja e FDP-së.

Investimet e mëdha

Gjermania do të investojë më shumë se 20 miliardë euro për municione, duke përfshirë raketa dhe municione artilerie, në vitet e ardhshme. Rheinmetall e sheh veten si “përgjegjës për mbështetjen më të mirë të qeverisë federale për të rikthyer aftësinë mbrojtëse të Bundeswehrit,” tha zëdhënësi për dpa, por pa e përmendur shprehimisht Zvicrën. Vendimi për të ndërtuar një linjë të re prodhimi dhe për të zgjeruar kapacitetin e prodhimit të municioneve në Gjermani është i pavarur nga vendndodhja ekzistuese e prodhuesve në vende të tjera. Nuk dihet ende publikisht se ku do të ndërtohen saktësisht objektet e prodhimit.

Sistemet e armativeve të Rheinmetall

Zëdhënësi i Rheinmetall shtoi: “Ne e shohim këtë hap si një kontribut nga industria për forcimin e aftësisë së Republikës Federale të Gjermanisë për të vepruar në aspektin e sigurisë dhe mbrojtjes, brenda NATO-s dhe në përputhje me politikën mbrojtëse të Bashkimit Evropian, duke krijuar kapacitete të përshtatshme”.

Rritja e Rheinmetall

Zgjerimi i kapaciteteve në sektorin e municionit nga ana e Rheinmetall i shërben mbrojtjes në Evropë. Me marrjen e Expal Systems nga Spanja, kompania do të trefishojë kapacitetin e saj në fushën e municioneve të artilerisë dhe do ta dyfishojë atë të kalibrit të mesëm dhe të mortajave. Marrja do të përfundojë më së voni deri në verën e vitit 2023, pasi të kenë përfunduar rishikimet e kritereve të domosdoshme./DW

Të ngjashme