Lajme
Komisioni Evropian shpreh ‘keqardhje’ për njoftimin e rritjes së tarifave të SHBA-ve për çelikun
Demokracia
19:40 | 31 Maj 2025

Share:

“Na vjen shumë keq për rritjen e njoftuar të tarifave të SHBA-ve për importet e çelikut nga 25% në 50%”

Komisioni Evropian ka shprehur keqardhje të thellë për rritjen e paralajmëruar të tarifave të SHBA-ve mbi importet e çelikut dhe se BE-ja është e përgatitur të vendosë kundërmasa.

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, tha se planifikon të rrisë tarifat mbi çelikun dhe aluminin e importuar në 50% nga 25%, duke ushtruar më shumë presion mbi prodhuesit globalë të çelikut dhe duke thelluar luftën e tij tregtare.

“Na vjen shumë keq për rritjen e njoftuar të tarifave të SHBA-ve për importet e çelikut nga 25% në 50%”, tha një zëdhënës i Komisionit Evropian në një deklaratë.

“Ky vendim shton më tej pasiguri në ekonominë globale dhe rrit kostot për konsumatorët dhe bizneset në të dyja anët e Atlantikut”, tha zëdhënësi.

Po ashtu ka shtuar se “rritja e tarifave gjithashtu dëmton përpjekjet e vazhdueshme për të arritur një zgjidhje të negociuar”.

Zëdhënësi vuri në dukje se Bashkimi Evropian kishte ndaluar kundërmasat e tij për të krijuar hapësirë për negociata të vazhdueshme.

“BE është e përgatitur të vendosë kundërmasa, duke përfshirë edhe përgjigjen ndaj rritjes së fundit të tarifave të SHBA-ve”, tha zëdhënësi.

“Komisioni Evropian aktualisht po finalizon konsultimet mbi kundërmasat e zgjeruara. Nëse nuk arrihet një zgjidhje e pranueshme nga të dyja palët, masat ekzistuese dhe ato shtesë të BE-së do të hyjnë automatikisht në fuqi më 14 korrik – ose më herët, nëse rrethanat e kërkojnë”.

Të ngjashme