Lajme
Komisioni Evropian: Kërkesa e Putinit për pagesë në rubla nuk duhet pranuar
Demokracia
21:54 | 01 Prill 2022

Share:

Kompanitë evropiane nuk duhet të përmbushin kërkesën e Rusisë për të paguar gazin në rubla, sepse kjo është në kundërshtim me marrëveshjet e nënshkruara, tha sot një zëdhënës i Komisionit Evropian.

Komisioni thekson se “duhet respektuar kontratat e nënshkruara dhe se 97 për qind e kontratave të gazit deklarojnë se ato paguhen në dollarë dhe euro dhe se këto kompani nuk duhet të pajtohen me kërkesat ruse”, transmeton Demokracia.com.

Presidenti rus Vladimir Putin tha të enjten se ai kishte nënshkruar një dekret që u kërkon blerësve nga vendet “armike” të paguajnë për gazin rus në rubla nga fillimi i prillit, përmes një banke ndërmjetëse në Rusi.

Klientët në bankën ndërmjetëse duhet të hapin një llogari të veçantë dhe të derdhin shumën e përcaktuar nga kontrata, kryesisht në euro dhe dollarë. Më pas banka do t’i shesë ato në një ankand të organizuar nga Bursa e Moskës dhe do t’i transferojë të ardhurat në rubla në llogarinë e furnizuesit të gazit.

Lista e vendeve “armike”

Rusia ka përfshirë në listën e vendeve “armike” ato që kanë vendosur sanksione ndaj saj, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara, anëtarët e Bashkimit Evropian, Britaninë dhe Kanadanë.

Gjermania dhe Franca refuzuan të enjten kërkesën e Rusisë, duke thënë se ishte një shkelje e papranueshme e kontratës dhe “shantazh”.

Ministri gjerman i Ekonomisë Robert Habeck tha se Gjermania është gati për të gjithë skenarët, duke përfshirë ndërprerjen e furnizimit me gaz rus në Evropë.

Përpjekja e Rusisë për të përçarë aleatët perëndimorë duke kërkuar pagesën për gazin në rubla ka dështuar, tha Habeck. Nuk do të lejojmë që të shantazhohemi, shtoi ai.

Ministri francez i Financave Bruno Le Maire, tha se Franca dhe Gjermania e kishin refuzuar kërkesën ruse.

“Për të blerë gazin rus, ata duhet të hapin një llogari në rubla në bankat ruse”

Putin tha të enjten se ai kishte nënshkruar një dekret që u kërkon blerësve të huaj të paguajnë për gazin rus në rubla që nga 1 prilli, përndryshe kontratat do të ndërpriteshin.

“Për të blerë gazin rus, ata duhet të hapin një llogari në rubla në bankat ruse. Dhe nga nesër, gazi do të paguhet nga ato llogari,” tha Putin në televizion.

“Nëse nuk paguhet në këtë mënyrë, ne do ta konsiderojmë gabim nga ana e blerësit, me të gjitha pasojat që vijnë me të, askush nuk na jep asgjë falas dhe nuk do të jemi organizatë humanitare. Pra. kontratat ekzistuese do të ndërpriten”, tha ai.

Vendimi i Putinit çoi në një rritje të vlerës së rublës, e cila ra në nivele historikisht të ulëta pasi Perëndimi vendosi sanksione drastike për pushtimin e Ukrainës nga Rusia më 24 shkurt.

Por kompanitë dhe qeveritë perëndimore e kanë hedhur poshtë një veprim të tillë si një shkelje të kontratave ekzistuese sipas të cilave gazi paguhet në euro dhe dollarë.

Putin tha se qëllimi i dekretit është forcimi i sovranitetit të Rusisë, e cila do të përmbushë detyrimet e saj kontraktuale.

Rusia siguron rreth një të tretën e nevojave të Evropës për gaz. /Demokracia.com/

Të ngjashme