Lajme
Komisioni Europian kritikon disa vende anëtare: Mos u jepni rusëve “pasaporta të arta”
Demokracia
15:57 | 28 Mars 2022

Share:

Sanksionet e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian kanë goditur rëndë jo vetëm ekonominë ruse, por edhe pasurinë personale të oligarkëve rusë afër Kremlinit.

Por disa prej tyre kanë arritur të shpëtojnë pjesë të pasurisë së tyre marramendëse për faktin se të paktën zyrtarisht, ata nuk janë më nënshtetas rusë.

Ata kanë përfituar nga politika tejet liberale e disa vendeve të BE-së për dhënien e nënshtetësisë, e bazuar jo aq në vitet e rezidencës dhe të një përfshirje sociale të qartë në atë vend, por me paratë që sjell.

Është rasti i vendeve si Bullgaria, Qipro dhe Malta, ku të paktën këto të fundit nuk janë vetëm parajsa fiskale por edhe parajsa për ato që dëshirojnë të shndërrohen në qytetarë të BE-së në kohë të shpejtë, duke investuar disa qindra mijëra euro në atë shtet. “Pare xhepi” për oligarkë me asete që vlejnë miliarda euro, por tashmë tejet të rëndësishme për të mënjanuar sanksionet perëndimore dhe për të udhëtuar lirshëm.

Sot Komisioni Europian kanë kritikuar ashpër praktikën e këtyre vendeve, të cilësuar si “pasaportat e arta”, duke kërkuar kontrolle të forta.

Por fenomeni nuk është i thjesht për t’u kontrolluar, dhe monitoruar, sepse përtej vendeve të cituara, fenomeni duket sikur është më i gjerë sesa mendohet. Bëri bujë në këtë kuptim zbulimi se tashmë ish-pronari i Chelsea, miliarderi Roman Abramovic, kishte marrë nënshtetësi portugeze.

Në Maltë, nënshtetësia merret pas një investimi, pra me kapitale të ardhura jashtë vendit, rreth 690 mijë euro. Por kërkesa e ishullit që nënshtetasit e ri të banojnë në mënyrë efektive deri në 3 vite para se të marrin pasaportën e dëshiruar, nuk duket më e favorshmja për miliarderët lindorë.

Shumë më të lehtë e kanë me pasaportat bullgare, aty ku mjafton një investim 1 milion euro, dhe pasaporta mund të merret brenda vitit, madje sipas informacioneve të A2 CNN disa raste edhe më shpejt. Nuk ka asnjë obligim për të qëndruar në territor.

Nga të gjithë vendet, Qipro duket më i përshtatshmi për t’u shndërruar familjarisht në qytetarë të BE-së. Mjafton një investim 2 milion euro, si dhe 200 mijë euro donacion disa institucioneve shtetërore, dhe bëhesh qipriot, edhe pa shkelur në vend. Jo vetëm, por bashkëshortja dhe fëmijët shndërrohen automatikisht në nënshtetas, dhe nëse dëshirohet që edhe prindërit dhe ose vjehrri të kenë një pasaportë, mjafton një shumë 500 mijë euro për secilin./A2CNN

Të ngjashme