Lajme
Komisionerët e zgjedhjeve ende nuk janë paguar, flasin nga KQZ-ja e Ministria – kush i ka fajet?
Demokracia
14:37 | 25 Prill 2025

Share:

Rreth 2 mijë komisionerë e kryesues, të angazhuar gjatë zgjedhjeve parlamentare të këtij viti në Kosovë, ende nuk kanë marrë pagesat për punën e tyre. Nga KQZ thanë se për shkak të disa gabimeve do t’i ridërgojnë për pagesë në MF listat e këtyre personave. Por, nga Ministria theksuan se komisionarët dhe kryesuesit e angazhuar nga KQZ nuk paguhen përmes sistemit të pagave. Kush i ka fajet për këto vonesa?

Në redaksinë e Gazetës Insajderi kanë ardhur ankesa që kanë shprehur shqetësimin e tyre rreth mos ekzekutimit të pagesave, gjatë kohës që janë angazhuar për komisionerë në zgjedhjet e fundit.

Një person në mënyrë anonime i tha Insajderit se një pjesë e madhe e atyre që ishin të angazhuar në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025, nuk kanë marrë ende pagesën.

“Një pjesë e madhe prej 2 muajsh nuk e kanë marrë ende pagesën për Komisionerët dhe Kryesuesit nga zgjedhjet e fundit”, theksoi ai, duke shprehur shqetësimin e tij për vonesën që ka ndodhur.

Gazeta Insajderi ka kontaktuar me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, rreth kësaj situate.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha se janë rreth 2 mijë persona që ende nuk i kanë marrë mjetet që iu takojnë. Ai sqaroi se disa pagesa janë vonuar për shkak të gabimeve në shënimin e numrit të llogarisë bankare, llogarive joaktive apo jo personale, të cilat janë të zakonshme në çdo proces zgjedhor.

Ai theksoi se pas përmirësimit të këtyre të dhënave, KQZ do të ridërgojë listat në Ministrinë e Financave për pagesë.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka proceduar për pagesë në Ministrinë e Financave listën me të dhënat e rreth 20 mijë personave të angazhuar gjatë fazave të ndryshme të procesit zgjedhor. Janë rreth 2 mijë persona që ende nuk i kanë marrë mjetet që iu takojnë për arsye të ndryshme dhe që po përsëriten në çdo proces zgjedhor, si: gabime në shënimin e numrit të llogarisë bankare, llogari joaktive apo edhe llogari jopersonale. Pasi të bëhen përmirësimet e nevojshme, KQZ do t’i ridërgojë për pagesë në MF edhe listat me të dhënat e këtyre personave”, tha Elezi për Insajderin.

Tutje, Insajderi ka pyetur edhe Ministrinë e Financave, të cilët thanë se komisionarët dhe kryesuesit e angazhuar nga KQZ nuk paguhen përmes sistemit të pagave të rregullt.

Komisionarët e angazhuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), nuk paguhen nga sistemi i pagave. Ndërsa pagesat tjera i kryen organizata buxhetore, për çka mund te i drejtoheni KQZ-së”, thanë nga kjo Ministri për Insajderin./Insajderi.org

Të ngjashme