Lajme
Komike | Luani i Shqiptarisë, Kurti: Nuk e kam pasur idenë që BQK-ja po e ndalonte Dinarin
Demokracia
20:07 | 24 Shkurt 2024

Share:

Pavarësisht asaj – dhe për këtë ka pajtim të përgjitshëm – që Banka Qendrore e Kosovës është (tash) thuajse zgjatim i Lëvizjes Vetëvendosje; Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke folur nga Mynihu ku po merrte pjesë në Konferencë të Sigurisë para një jave, tha se “nuk e kam pasur idenë që BQK-ja po e marrin këtë vendim (të ndalimit të dinarit) ose që po draftonin këtë rregullore”.

Ky deklarim i Kurtit në “Monocle” vjen krejtësisht në kundërthënie me disa prej konkluzioneve të lëshuara nga vetë partia që ai e udhëheq – Lëvizjen Vetëvendosje – kur para dy jave në një mbledhje partiake (me Kurtit prezent) shkruan në Facebook një listë “të arriturash të tyre” e ku shkruhej specifikisht se “hoqëm dinarin e Serbisë nga Kosova”.

Fjalia “hoqëm dinarin serb”, e shkruar në tekstin e Lëvizjes Vetëvendosje, jepej për arritje të tyre politike e jo për vendim të një institucioni të pavarur si BQK; e kësisoji duke e bërë edhe më të pabesueshme atë që “nuk kam pasur idenë” që po merrej ky vendim, siç tha nga Mynihu.

Sidoqoftë, krejt po shkonte mirë me përgatitjet dhe në mes të janarit, pikërisht për shkak të përgatitjeve që po shkonin mirë Vuçiqi alarmoi rajonin dhe Evropën se do të pasojë katastrofa nga 1 shkurti kur të ndalohet dinari…Aty filloi presioni mbi mua. Jo në fillim, por vetëm pasiqë Vuçiqi foli”, tha Albin Kurti.

Tjetra – dhe atë për një gjë që Kurti ka arritur të krijojë konsensus botëror për të kundërtën, dhe atë pavarësisht a qëndron ose jo – ka të bëjë me qasjen e tij në raport me komunitetin serb të Kosovës. Kritikat ndaj tij për këtë qasje, tha Kurti, “janë për shkak se jemi të suksesshëm, e jo për shkak se po dështojmë në integrimin e serbëve”.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe mbarë QUINT-i të janë kryesisht vokalë në kritikën ndaj tij në atë që ata e shohin si përpjekje permanente antagonizuese nga qeveria kosovare e udhëhequr nga Albin Kurti në raport me serbët lokalë.

Për një gjë të tillë – prej kursit të ndjekur prej fundit të majit të kaluar – Kosova është edhe nën sanksione evropiane me miliona eura të humbura për projekte jetësore për komunat si trajtimi i ujërave të zeza, etj.

Megjithatë, Kurti mendon ndryshe.

Duhet të na njihet (pranohet) për të gjitha përpjekjet prej, le të themi, emërimin e njërit prej Anëtarëve të Bordit të Trepçës, një serb nga Leposaviqi, deri te Zëvendës Ombuspersoni i zgjedhur me votë të fshehtë në kuvend, sepse unë ju kam thënë grupit tim parlamentar duhet ta votoni një serb si zv/ombusperson. Unë brengosesha se mos nuk e votojnë. Por në fund ai doli fitimar dhe po bën punë të madh”, shtoi ai.

Çështja e ndalimit të dinarit ka shkaktuar plasaritje të thellë në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku këta të fundit e kanë parë të pabesueshme mënyrën dhe etikën e zbatimit (jo të vendimit si të tillë) ku kanë kërkuar nga qeveria që popullata lokale të mos e gjejë veten të dëmtuar para vendimeve për të cilat as s’i pyet as s’ua komunikon kush; shto kësaj për çështje jetike si penzionet dhe asistencat sociale; mjete këto nga të cilat ato varen e që i marrin nga Serbia.

Të ngjashme