Lajme
Komedi politike çdo 48 orë, 18 akte – zero konstituim
Demokracia
14:29 | 19 Maj 2025

Share:

Sot ka dështuar edhe tentativa e 18-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Deputetët refuzuan propozimin e Avni Deharit, i cili në cilësinë e kryesuesit të seancës, kërkoi sërish votim të fshehtë, transmeton klankosova.tv.

Fillimisht ishte Përparim Gruda nga PDK, ai i cili shfaqi prerazi qëndrimin e këtij subjekti kundër kësaj mënyre votimi, ku para fillimit të seancës u shpreh se nuk kanë arsye për të fshehur votën para qytetarëve që i kanë dhënë besimin.

Derisa Faton Peci nga Guxo-VV, përgjegjës la partitë rivale të tyre, ku sipas tij kanë treguar mungesë vullneti, ndërsa po Lëvizja siç pretendoi ai, ka ofruar zgjidhje!

Mirëpo Alban Zogaj nga LDK, ritheksoi se kanë një hendek të madh mes subjektit që përfaqëson dhe Lëvizjes Vetëvendosje. Ai madje tha se çelësi i rezultatit do ishte që partia fituese të komunikonte.

Qëndrim të njëjtë pati edhe Daut Haradinaj i AAK-së, i cili deklaroi se lideri i Vetëvendosjes do duhej sot të reflektonte. Kjo sipas tij, duke ndryshuar emrin e kandidates së tyre për kryeparlamentare, në të cilin Albin Kurti insiston të jetë veç Albulena Haxhiu.

Po lideri i Nismas, Fatmir Limaj dha doza kritike, duke insistuar se ngërçi aktual mund të tejkalohet vetëm përmes dialogut dhe marrëveshjes ndërmjet partive politike.

E meqë as tentativa e 18-të nuk solli rezultat ndryshe nga parapraket përfundimsht, qe lideri i PDK-së Memli Krasniqi i cili vuri në pah një dukuri nga e cila Vetëvendosje sipas tij po bënë lojë.

Ai tha se rregullorja e 48 orëshit, thërret që seancat e kuvendit mund të mbahen edhe brenda 24 orëve, dhe siç potencoi ai edhe po të mblidhen çdo ditë deri në konstituim, nuk është gabim.

Teksa edhe lideri i LDK-së, Lumir Abdixhiku, u shpreh se vendi, e ka emergjente krijimin e institucioneve të reja, dhe sipas tij mungesa e urgjencës nga partia e parë është lajm i keq për Republikën.

Ndërkohë derisa liderët po jepnin qëndrimet e tyre me të përfunduar seanca, bashkë në një diskutim, u panë deputetja e VV-së Albulena Haxhiu, kandidate për kryeparlamentare dhe deputeti i PDK-së, Nait Hasani. Fillimisht, u mësua se temë diskutimi mes tyre ishte një organizim për shënimin e përvjetorit të Masakrës së Dubravës.

Me një ide nga seanca e 18-të, doli deputetja e betuar e AAK-së Time Kadrijaj. Ajo para mediave deklaroi se kandidaten e Vetëvendosjes për kryetare të Kuvendit Albulena Haxhiun, duhet ta propozojnë për “Çmimin Nobel” për dështime!

Jo shumë kohë më vonë qe lideri i VV-së ai i cili u pa ta linte hollin e Kuvendit, dhe me gjithë tensionin e dukshëm, ai arriti sërish t’i shmang mediat dhe të largohej pa fjalë.

Duke qenë se pas 18 tentativave të pasuksesshme për të zhvilluar votimin e fshehtë për zgjedhjen e kryetares së Kuvendit, kryesuesi i seancës caktoi datën e radhës për mbledhjen e Kuvendit.

Akti i radhës u caktua më 21 maj, në ora 11:00, me shpresën për një përparim eventual në procesin e votimit!

Të ngjashme