NGA BESNIK DIZDARI
E kam fjalën për “duelin” midis këtyre dy koncepteve apo dukurive që papritmas po na mbërrijnë edhe përmes futbollit, madje sidomos përmes futbollit. E pra, këto ditë, në tokën sportive shqiptare ka lindur një shfaqje unikale, madje e vetme në histori: Shqipëria ka organizuar për herë të parë një turne final europian të futbollit. Në këtë rast më të voglin për nga rangu, atë të ekipeve finaliste të Kombëtareve 17-vjeçare, të njohur si “EURO U17”. Vetë Shqipëria, me skuadrën e saj, ka marrë pjesë si vend organizator. Çka do të thotë se ndërkaq, ajo ka marrë përsipër të organizojë 15 ndeshje në katër qytete të saj: Tiranë, Elbasan, Durrës, Rrogozhinë. Siç u pa, gjithçka po organizohet shumë mirë. Për fat, Shqipëria me këtë Kombëtare të saj 17-vjeçare i ka humbur të tria ndeshjet me të njëjtin rezultat 0-4! Pa shënuar asnjë gol, pa marrë asnjë pikë dhe po të bëjmë renditjen e 8 ekipeve ajo është e fundit me 0 pikë, me 0 gola, me 0 fitore, me 0 barazime. Më keq nuk ka ku shkon. Më saktë: më keq se asnjëherë tjetër në histori. Dhe për më tepër e gjitha kjo i ngjet në stadiumet e saj, para publikut të saj. E tash po mundohem ta lehtësoj paksa. Shqipëria pati fatin të ndeshet me ekipet e shteteve ndër më të fuqishmit në Europë, edhe për ekipet e moshave: Gjermani, Francë e Portugali. Kësisoj, për një çast mund të mendosh se kjo katastrofë universale në historinë tonë, edhe mund të justifikohet.
Mirëpo, kur sheh ndërkohë, se në të gjitha kahet sundon shifra e pamëshirshme “0”, atëherë deri këtu kjo nuk mund të pranohet. Ndërkaq, në Rubrikën Sportive të televizionit publik, RTSH, me sa arrita të shoh e të dëgjoj, u përjetua një eufori e qartë. Thuajse gjithçka u paraqit gati si një mrekulli. Duke ngatërruar keqas dështimin e skuadrës së Shqipërisë me organizimin e mirë të turneut në tanësi. Vetvetiu të vjen keq që edhe këtu, pra në sport apo në futboll, sundon përulja e llojit të politikës. U fol deri për ndikimin e këtij turneu për te turizmi, e madje organizimi i tij u përcaktua deri si dhe një “vitrinë për Shqipërinë”! Dhe u arrit deri aty saqë u fol për ardhjen në stadiumet të një shumice “të jashtëzakonshme” spektatorësh, edhe pse kjo nuk ishte aspak e vërtetë. Stadiumet nuk mbërritën as te mbushja me spektatorë e gjysmës të tribunave të tyre. E edhe në këtë rast mund të them se, me të gjitha llojet e organizimeve europiane të saj, që nga politika e deri te futbolli, Shqipëria përjeton euforina artificiale të papërshkrueshme. Dhe le të përshkohemi te “Kombëtaria dhe Pseudokombëtaria”, siç është titulli i këtij shkrimi. Sigurisht që do të flasim me fakte.
Vështroni tash emrat e 18 futbollistëve të aktivizuar të Shqipërisë në këtë turne, si dhe klubet prej nga ata vijnë:HULI/Juventus, GECAJ/Juventus, NUHAJ/Olympiakos, SYLEJMANI/Servette, FERATI/ Rio Aves, KURTI/ Virtus Entela, VUKAJ/Inter, LLANA/Olympiakos, RAMKU/ Udinese, GJOKA/Paok, KULLA/Sassuolo, SHEJI/Torino, MYRTAJ/Tottenham, HALLIDRI/Hellas Verona, ÇEKREZI/Torino, REDZEPI/Stuttgart, DURMISHI/Juventus, HARADINI/ RotWeis Essen.
E shihni se nga 18 lojtarët, plot 10 vijnë nga klube italiane, madje deri të Juventus, Inter, Torino, Verona… Aq sa të duket se kjo është Italia U17, jo Shqipëria U17. Dhe që me këta emra klubesh të famshëm do të bëhej nami. Por thjesht tri humbje fort të thella me të njëjtin rezultat 0-4! Dhe o burra, me editoriale euforikë! Mbërrijmë ndërkaq, te më e rëndësishmja e të rëndësishmeve: asnjë lojtar nga Shqipëria! Asnjë lojtar prej klubeve shqiptare! Asnjë talent të të ashtuquajturave “Akademi” të tyre! Por vetëm Juventus, Inter, Torino, Verona, Olympiakos, Servette, Udinese, Paok, Tottenham, Stuttgart! Konkluzioni? “Shqipëria nuk ka më talente në futboll”. Të jetë e vërtetë…? Dhe Shqipëria që jep alarmin për të gjetur futbollistë të kombësisë shqiptare në vende të tjera, sidomos në Itali, prej ku pra, vinin plot 10 lojtarë nga 18 që u aktivizuan, të cilët së bashku me të tjerët nuk janë lojtarë të lindur në Shqipëri, por që kanë emigruar në Itali, Greqi, Zvicër, Angli apo Gjermani. Po të cilët, për fat, e kanë mësuar Himnin e Shqipërisë, edhe pse shqipja tyre mund të mos jetë zotëruar plotësisht. E dimë ndërkaq, se kudo Kombëtaret U17 synim kryesor kanë të formojnë talente për Kombëtaren e parë. Mirëpo, a keni studiuar se sa lojtarë të Shqipërisë U17 kanë arritur te Kombëtarja e parë e Shqipërisë të pakën në 10 vjetët e fundit? Studioheni dhe do të zhgënjeheni. Ky “studim” ia vlen, qoftë për të kujtuar ndershmërisht këtë dukuri të pamëshirshme që po u thotë “ndal” talenteve të futbollit të tokës shqiptare. Sepse, siç besoj e dini, që pak ose aspak shqiptarë të futbollit të tokës së Shqipërisë pra, do të gjeni edhe te Shqipëritë U19 e U21. Madje, deri te Kombëtarja e parë, e cila edhe në prag të ndeshjes me Serbinë, ndër 24 lojtarë vetëm 3 kanë dalë nga futbolli i qyteteve të Shqipërisë! Natyrisht, nuk jemi kundër përzgjedhjeve të djemve shqiptarë të jashtë Shqipërisë. Aq më tepër kur kujton se Kombëtarja e parë e Shqipërisë arriti në dy finalet e Europës, duke pasur mbi 80 për qind lojtarë jo të Republikës së Shqipërisë.
Por logjika të thotë: “Masa në vendin e duhur”! Sidomos kur është fjala për Kombëtaret 17, 19 apo 21-vjeçare, ku me logjikën më elementare duhet që shumica të jenë nga akademitë apo skuadrat e Kampionateve të Shqipërisë. Nga 7 skuadrat që po marrin pjesë në këtë kampionat U17, vetëm Italia kishte 4 lojtarë të jashtë Italisë, Belgjika vetëm 5, Çekia vetëm 1, Anglia vetëm 1, Franca dhe Portugalia asnjë. Kjo është dukuria mbareuropiane, së cilës nuk ka përse t’i ikë Shqipëria nëse dëshiron që Kombëtaria të mposhtë Pseudokombëtarinë në zhvillimin e futbollit kombëtar shqiptar, kryesisht përmes talenteve të dalë prej farishteve të futbollit të saj. Aq më tepër që kjo Shqipëri dihet, nuk ka forca të fitojë një titull europian të këtij rangu. Nuk mund t’i ikim realitetit. Po në Shqipëri, po për fat po buçet “thirrja”: “Këtu nuk ka më talente”! Dhe vrapojnë jashtë kufijve trajnerë e menaxherë, zyrtarë e vëzhgues. Për fat, pa mbërritur te ngritja e “çadrave” të kampingjeve deri në Zvicër që pat shkaktuar protestën e këtij vendi. Vërtet, si ka mundësi që kjo Shqipëri U17, asisoj krejt europiane apo ndërkombëtare e shumështetëshe, edhe në turin paraprak humbi qartë e thellë dhe fitoi vetëm 1 pikë me Ishujt Faroe? E megjithatë, prapë, o burra përtej Adriatikut. Madje, edhe me trajner italian, i cili edhe ai qenka bindur si Republika e Shqipërisë nuk ka më talente futbolli, përsa kohë përzgjedh lojtarë vetëm jashtë Shqipërisë.