Lajme
Komandanti ukrainas brenda Azovstalit: Rusët shkelën premtimin, luftimet po vazhdojnë
Demokracia
18:30 | 05 Maj 2022

Share:

Komandanti ukrainas, Sviatoslav Palamar, i cili është brenda rrënojave të fabrikës së çelikut Azovstal në Mariupol, ka publikuar të enjten një video-mesazh, ku thotë se luftimet e ashpra me forcat ruse janë duke vazhduar.

“Është dita e tretë që armiku depërton në territorin e Azovstalit. Lufta e ashpër dhe e përgjakshme po vazhdon”, ka thënë Palamar, zëvendëskomandanti regjimentit Azov, raportoi CNN-i.

Ai ka shtuar se rusët nuk e kanë mbajtur zotimin e tyre për të lejuar civilët të largohen përmes korridoreve të evakuimit të enjten.

“Edhe një herë, rusët shkelën premtimin për armëpushim dhe nuk lejuan evakuimin e civilëve që vazhdojnë të fshihen në bodrumet e fabrikës Azovstal. I bëj thirrje komunitetit botëror të evakuojë civilët”, ka thënë Palamar.

Ai gjithashtu i bëri thirrje presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, që të kujdeset për ushtarët e plagosur që po vdesin nga trajtimi jo i duhur.

“Ofroni mundësinë për të marrë kufomat e ushtarëve në mënyrë që ukrainasit t’u thonë lamtumirë heronjve të tyre. Përgjigjuni në mënyrë të përshtatshme ndaj një situate kritike në të cilën armiku nuk respekton asnjë normë etike”, ka thënë më tej ai.

Rreth 100 civilë janë larguar nga kjo fabrikë të dielën, ndërsa mendohet se edhe rreth 300 civilë vazhdojnë të jenë brenda objektit, duke përfshirë 30 fëmijë.

Të ngjashme