Policia e Kosovës sot e ka promovuar projektin “Njihuni me policin tuaj”, i bazuar në strategjinë e Policimit në Bashkësi dhe Policimit të Drejtuar nga Inteligjenca.
Ky projekt është promovuar në Drejtorinë Rajonale të Policisë së Kosovës në Mitrovicën e Veriut, ku ka marrë pjesë edhe komandanti i kësaj drejtorie, Nenad Gjuriq.
Në fotografitë e publikuar nga Policia e Kosovës, Gjuriq shihet se nuk i ka të vendosura gradat në uniformën e tij. Vendosja e gradave është obligim për çdo zyrtar policor të graduar, ndërsa mosvendosja e tyre është shkelje e rëndë disiplinore, shkruan Demokracia.com.
Nenad Gjuriqi ishte emëruar komandant rajonal i policisë në veri të Kosovës në vitin 2013. Vendimi ishte marrë në kuadër të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, sipas të cilës, komunat veriore me shumicë serbe kanë të drejtën e propozimit të komandantit rajonal.
Nenad Gjuriq (i pari nga e majta), foto e vitit 2020 ku shihet me grada
Para se të emërohej komandant i DRP-së në veri, Nenad Gjuriq, ka qenë ushtrues detyre i komandantit të stacionit policor në Zveçan. Ai qe suspenduar nga kjo detyrë me kërkesë të drejtorit rajonal. Sipas një komunikate të Policisë së Kosovës, shpjegohej se ai kishte dështuar në respektimin e urdhrit dhe mospërfillje të hierarkisë komanduese lidhur me hyrjen ilegale të një zyrtari të Republikës së Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës. /Demokracia.com/