Lajme
Ristuccia demanton Kurtin se në Kosovë ka pjesëtarë të Wagnerit rus
Demokracia
13:18 | 24 Shkurt 2023

Share:

Komandanti i KFOR-it, Angelo Mikele Ristuccia tha sot se misioni nuk ka asnjë provë për praninë e grupit ushtarak privat rus Wagner në Kosovë dhe as se Rusia mund ta sulmojë Kosovën përmes “satelitit” të saj të Serbisë, siç theksuan zyrtarët e Kosovës të udhëhequr nga kryeministri i Kosovës,  Albin Kurti.

“Deri më tani nuk kemi asnjë provë për këtë. Do të jem më i saktë, të gjitha ngjarjet në zonë që kanë ndodhur në muajt, javët e fundit, janë më shumë të lidhura me dinamikën e brendshme sesa me ndikimet e jashtme”, tha Ristuccia për Kossev.

Ai e vlerëson situatën aktuale në Kosovë si të ndjeshme dhe të paqëndrueshme, por ende paqësore dhe dukshëm më të mirë se sa ishte në dhjetor, transmeton Demokracia.com.

“Mund të themi se situata tani është shumë më e mirë se sa ishte në dhjetor. Megjithatë, ka një sërë çështjesh që na shqetësojnë, siç është, për shembull, vakuumi i rrezikshëm që u krijua në veri pasi serbët nga Kosova dhanë dorëheqje nga institucionet”, mendon Ristuccia.

Ky vakum është shumë i rrezikshëm, sidomos nga pikëpamja e sigurisë, tha komandanti i KFOR-it.

Ai ka përsëritur se Forcat e Sigurisë së Kosovës nuk mund të vijnë në veri të Kosovës pa miratimin e tij dhe se asnjëherë nuk kanë bërë një kërkesë të tillë.

Në të njëjtën kohë, Ristuccia theksoi se forcat speciale të policisë nuk kanë nevojë për leje për të qëndruar në veri, duke kujtuar marrëveshjen në Bruksel.

“Serbia ka nënshkruar dhe ka përcaktuar qartë Policinë e Kosovës si të vetmen kompetente për detyrat e zbatimit të ligjit dhe policisë. Pavarësisht nga llojet e policisë, si është organizuar policia, çfarëdo qofshin ato – njësitet ROSU, njësitë speciale, ato janë përgjegjëse për luftimin e krimit, grupeve të organizuara kriminale. Nuk ka kufizime për Policinë e Kosovës kur bëhet fjalë për kryerjen e detyrave të tilla në mbarë Kosovën”, ka shpjeguar Ristuccia.

Ai po ashtu ka thënë se Policia e Kosovës ka të drejtë të ndërtojë bazë edhe në veri nëse është nevoja të parandalohet krimi. /Demokracia.com/

Të ngjashme