Lajme
Komandanti i brigadës që kreu krime lufte në Kosovë zgjidhet nënkryetar i Kuvendit të Serbisë
Demokracia
15:12 | 03 Gusht 2022

Share:

Bozhidar Deliq, është zgjedhur nënkryetar i Kuvendit të Serbisë.

Ish-gjenerali i ushtrisë serbe Bozhidar Deliq, ndaj të cilit në Beograd janë ngritur dy kallëzime penale për krime lufte në Kosovë, do të jetë nga sot nënkryetar i Kuvendit të Serbisë.

Gjatë luftës në Kosovë në vitin 1999, Bozhidar Deliq ishte komandant i Brigadës 549 të Motorizuar të Ushtrisë Jugosllave.

Siç ishte raportuar, Fondi joqeveritar për të Drejtën Humanitare në Beograd, i cili heton krimet e luftës, ka ngritur dy kallëzime penale kundër Deliqit për krime në Kosovë, por ndaj tij asnjëherë nuk kanë nisur procedurat.

Si dëshmitar i mbrojtjes, Deliq u paraqit në Gjykatën e Hagës në gjykimin ndaj ish-presidentit serb Slobodan Milosheviq dhe gjeneralit Vladimir Lazareviq, i cili ishte dënuar për krime lufte në Kosovë.

Deliq ishte deputet i parlamentit serb në disa mandate, kurse në vitin 2007 nënkryetari i tij nga Partia Progresive Serbe (SRS) e të dënuarit të Hagës – Vojislav Sheshel.

Pas ndarjes në SRS në 2008, Deliq iu bashkua Partisë Progresive Serbe të Presidentit serb Aleksandar Vuçiç, për t’u larguar në vitin 2011 për shkak të mosmarrëveshjeve me politikën partiake dhe për t’u kthyer te radikalët.

Pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2020, kur SRS nuk e kaloi censusin, Deliq ra në konflikt me liderin e radikalëve dhe u përjashtua nga anëtarësia.

 

Të ngjashme