Sport
KOK-u kërkon nga Ministria e Shëndetësisë urgjentisht ta vaksinojë ekipin Olimpik të Kosovës
Demokracia
13:58 | 02 Prill 2021

Share:

Bordi Ekzekutiv i Komitetit Olimpik të Kosovës, nën drejtimin e presidentit të ri, Ismet Krasniqi, ka mbajtur mbrëmë mbledhjen e parë për ciklin olimpik 2021 – 2024, derisa ka sjellë edhe disa vendime të reja, shkruan Demokracia.com.

KOK-u ka kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe MKRS-ja sa më parë ta vaksinoi ekipin Olimpik të Kosovës për LO Tokio 2020.

Më poshtë mund të gjeni pikat e shqyrtuara të Rendit të Ditës:

–        U miratua Ekstrakti i Procesverbalit nga mbledhja e 61-të e BE të KOK-ut, e fundit për ciklin olimpik 2017 – 2020.

–        U raportua për aktivitetet mes dy mbledhjeve, si Kuvendin e Punës dhe Zgjedhor të KOK-ut, si dhe takimin e drejtuesve të rinj të KOK-ut, presidentit Ismet Krasniqi dhe nënpresidentëve, Gazmend Maxhuni e Eugen Saraçini me ministrin për Kulturë, Rini e Sport, Hajrullah Çeku.

–        U konstatua se përgatitjet për Lojërat Olimpike Tokio 2020 po shkojnë sipas dinamikës së paraparë.

–        Jeton Rudari, u zgjodh shef i misionit për LO Tokio 2020, ndërsa Kushtrim Krasniqi zyrtar i mediave (press attache). Rudari raportoi për procedurat e udhëtimit të Ekipit Olimpik të Kosovës, si dhe ndryshimet e fundit të bëra nga organizatori i LO Tokio 2020.

–        U vendos të bisedohet sa më parë me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Ministrinë për Kulturë, Rini e Sport, për të vaksionuar ekipin olimpik të Kosovës për LO Tokio 2020.

–        U vendos t’iu dërgohet federatave ekipore aplikacioni për të përfituar nga granti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar. Çdo katër vjet KON jep grantin “Team Support Grant” për kombëtaren më të suksesshme të sporteve ekipore.

–        Me propozimin e presidentit Krasniqi, Besim Aliti u emërua këshilltar i presidentit. Aliti është menaxher në Asociacionin Evropian të Sportit Universitar (EUSA), ndërsa ka përvojë edhe në Universitetin e Zagrebit – menaxhimi sportiv, në Lojërat Evropiane BAKU 2015, FIBA Evropianin e basketbollit  2015, Lojërat Evropiane Universitare 2016, Lojërat Islamike Baku 2017, koordinator i Ditës Ndërkombëtare të Sportit për Zhvillim dhe Paqe etj.

 

–        KOK do të shënojë edhe këtë vit 6 prillin – Dita Ndërkombëtare e Sportit për Zhvillim dhe Paqe

 

–        KOK do të shënojë 9 prillin – Ditën për Sport të Pastër

 

–        U miratua kërkesa e karateistes Fortesa Orana për mbështetje shtesë të përgatitjeve jashtë vendit para garave ndërkombëtare të vlefshme për normën olimpike Tokio 2020. /Demokracia.com

Të ngjashme