Sport
KOK kërkon që institucionet ta trajtojnë rastin e Belgin Jasharit
Demokracia
08:15 | 26 Prill 2025

Share:

Komiteti Olimpik i Kosovës u ka bërë thirrje institucioneve që ta trajtojnë rastin e futbollistit të ri, Belgin Jashari.

Sipas raportimeve të mediave në Kosovë, futbollisti i grupmoshave U15 të ShF Fushë Kosovës, më 21 prill të këtij viti është sulmuar fizikisht gjatë ndeshjes që ekipi e tij e ka luajtur ndaj ShF Arsenal. Sulmi ndaj Jasharit, sipas klubit, ishte i motivuar nga përkatësia etnike e lojtarit si pjesëtar i komunitetit ashkali.

Për këtë KOK ka reaguar duke thënë se një qasje e tillë është e papranueshme.

“Komiteti Olimpik i Kosovës dënon ashpër sulmin fizik ndaj futbollistit të ri Belgin Jashari, anëtar i komunitetit ashkalinj. Rrëfimi i tij për dhunën dhe diskriminimin e vazhdueshëm gjatë ndeshjeve është alarmues dhe i papranueshëm. Sporti nuk njeh ngjyrë, prejardhje apo përkatësi etnike. Dhuna dhe urrejtja nuk kanë vend në sport, nuk kanë vend në shoqërinë tonë. Ne i qëndrojmë pranë Belginit dhe të gjithë të rinjve që guxojnë të ndjekin ëndrrat e tyre në fushat sportive, e sidomos kur ëndërrojnë të veshin fanellën e Kombëtares së Kosovës”, ka shkruar KOK.

“U bëjmë thirrje institucioneve relevante që ta trajtojnë me urgjencë këtë rast dhe të garantojnë një ambient të sigurt dhe të drejtë për çdo sportist, pa dallim. Belgin, jemi me ty!”.

Të ngjashme