Lajme
Kodra thirrje OMK-së të merret me rastin e Kardiokirurgjisë: Eksperimente me njerëz nuk guxojnë me u bë
Demokracia
15:40 | 05 Janar 2023

Share:

Kryetari i Shoqatë për Mbrojtjen e të Drejtave të Pacientëve, Besim Kodra, i ka bërë thirrje Odës së Mjekëve të Kosovës që ta trajtoj seriozisht rastin e pacientit në Kardiokirurgji, i cili vdiq ndonëse mjekët që e operuan thanë se ka qenë intervenim i suksesshëm.

Pas raportimit të Gazetës Shneta mbi rastin e Kardiokirurgjisë, ku një pacient ka vdekur pas një operacioni të rrallë të quajtur “David”, i cili u tha se ishte i suksesshëm nga mjekët që e kryen, ka reaguar edhe kryetari i PRAK-ut, Besim Kodra.

“OMK duhet t’a trajtoj seriozisht këtë rast … sidomos pas deklaratës së drejtorit të klinikës! Nëse gjenden shkelje atëherë kemi të bëjmë me vepër penale. Në shëndetësi komplikimet gjithmonë janë pjesë e procesit të trajtimit … por, eksperimente me njerëz nuk guxojnë me u bë!”, ka deklaruar Kodra.

Kodra ka publikuar edhe disa nene të Kodit Penal të cilat i përcaktojnë dënimet me burg në rast se konstatohen shkelje të tilla profesionale.

Reagimi i plotë i Besim Kodrës:

OMK duhet t’a trajtoj seriozisht këtë rast … sidomos pas deklaratës së drejtorit të klinikës! Nëse gjenden shkelje atëherë kemi të bëjmë me vepër penale.

Në shëndetësi komplikimet gjithmonë janë pjesë e procesit të trajtimit … por, eksperimente me njerëz nuk guxojnë me u bë!

Kodi Penal

Neni 256

Ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike

Kushdo që pa pasur kualifikimet profesionale apo autorizimet ligjore, kryen trajtime mjekësore, shërbime farmaceutike ose angazhohet në aktivitete tjera mjekësore për të cilat me ligj kërkohen kualifikime të posaçme, dënohet me gjobë ose me burgim deri në një (1) vit.
Kur vepra penale nga paragrafi 1. i këtij neni rezulton me lëndim të rëndë trupor ose me dëmtim të rëndë të shëndetit të personit, kryesi dënohet me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vjet.
Kur vepra penale nga paragrafi 1. i këtij neni rezulton me vdekjen e një apo më shumë personave, kryesi dënohet me burgim prej një (1) deri në dymbëdhjetë (12) vjet.
Neni 257

Eksperimentet e kundërligjshme mjekësore dhe testimi i barërave

1.Kushdo që pa autorizim ose në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm kryen eksperimente mjekësore, eksperimente të klonimit të njeriut apo eksperimente të ngjashme në njerëz, dënohet me burgim prej tre (3) muaj deri në pesë (5) vjet.

2.Kushdo që pa autorizim ose në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm kryen testime klinike të barërave, dënohet me burgim prej tre (3) muaj deri në tre (3) vjet.

Të ngjashme