Lajme
Knaus ndan një pjesë të fjalimit të Kurtit në Berlin: Ai deklaroi se s’mund t’ua imponojë serbëve draft-statutin e QUINT-it
Demokracia
21:05 | 28 Prill 2024

Share:

Drejtori i Inciativës Evropiane për Stabilitet (ESI), Gerald Knaus, tregoi se gjatë një takimi në Berlin të Gjermanisë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se s’mund t’ua imponojë serbëve draft-statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe të hartuar nga QUINT-i sepse kjo përbën shkelje të parimeve të Këshillit të Evropës dhe Kushtetutës së Kosovës.

“Qeveria e Kosovës mund të sigurojë kornizën ligjore dhe të mbështesë themelimin e një asociacioni të komunave nëpërmjet vullnetit të mirë, por nuk mund ta imponojë – shtysa për këtë do të duhej të vinte nga niveli lokal, pra nga vetë komunat”, theksoi kreu i ekzekutivit kosovar, ashtu sikurse e citoi Knaus, i cili mori pjesë në takimin që u mbajt më 25 prill në Berlin.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), Franca, Gjermania, Italia dhe Britania e Madhe – duan lëvizje reale drejt themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, posaçërisht dërgimin e një draft-statuti për këtë mekanizëm në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës përpara se ministrat në Këshillin e Evropës të bien dakord për pranimin potencial të Kosovës.

Por eksperti gjerman shprehet i habitur që deri tani asnjë përfaqësues politik i serbëve të Kosovës nuk e ka komentuar zyrtarisht draft-statutin e propozuar nga QUINT-i për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Madje, ai shtoi se serbët e Kosovës nën presionin e presidentit të Serbisë, nuk ndërmarrin asnjë inciativë dhe ankohen për mungesën e asociacionit.

“Në katër komunat e dominuara nga serbët në veri të Kosovës, ku serbët përbëjnë shumicën dërrmuese të popullsisë, aktualisht nuk ka as kryetarë të zgjedhur serbë. Arsyeja: popullsia serbe i bojkotoi zgjedhjet lokale në veri pas urdhrit të Serbisë. Me dorën e majtë Kosovës i vihen kushte, ndërsa e djathta siguron që kushtet të mos plotësohen”, shkroi mes tjerash Knaus.

Kosova u mbështet nga shumica dërrmuese e deputetëve në Asamblenë e Parlamentare të Këshillit të Evropës për të kaluar fazën e parafundit drejt anëtarësimit në këtë organizatë të rëndësishme evropiane, ndërsa lëvizjet reale politike pritet të nisin në prag të takimit të Komitetit të Ministrave të Jashtëm – organi vendimmarrës i organizatës – në mes të muajit maj.

Të ngjashme