Lajme
KMDLNJ: Në veri të Kosovës s’ka kushte për zgjedhje
Demokracia
15:18 | 08 Dhjetor 2022

Share:

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut(KMDLNJ), ka vlerësuar se nuk ka kushte për mbajtje të zgjedhjeve dhe se të gjitha partitë politike, me një konsensus duhet të kërkojnë që ato të mbahen në një kohë kur të plotësohen kushtet për mbajtje të zgjedhjeve të lira dhe të pakushtëzuara.

KMDLNJ nëpërmjet një komunikate për media, ka theksuar se që nga dita e shpalljes së këtyre zgjedhjeve u vunë në veprim strukturat paralele dhe paramilitare për të penguar këto zgjedhje përmes frikësimit të votuesve të mundshëm si dhe kandidatëve, përfaqësues të subjekteve politike apo kandidatë të pavarur të cilët u tërhoqën nga gara.

“Sidomos kohëve të fundit janë aktivizuar forcat që zbatojnë dhunë psikike dhe fizike ndaj atyre që kundërshtojnë Partinë Paramilitare Politike, Listën Serbe, e cila, në emër të ‘mbrojtjes’ së interesave të serbëve angazhohen të zbatojnë politikat destabilizuese të Serbisë në Kosovë. Është shpeshtuar hedhja e mjeteve plasëse që rrezikojnë, jetën, sigurinë dhe pronën e qytetarëve të atyre komunave me qëllim të krijimit të kushteve penguese për mbajtje të zgjedhjeve. Nëse të gjitha këto merren parasysh sikur që pjesa dërrmuese e votuesve të nacionalitetit serbë po i bojkotojnë këto zgjedhje KMDLNj–ë e vlerëson se nuk ka kushte elementare të mbahen zgjedhjet e shpallura nga Presidentja e Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Sipas reagimit të KMDLNJ-së, në zgjedhje votohet për të siguruar një përfaqësim politik që garanton plotësimin e kushteve dhe nevojave për qytetarët, pa iu kërcënuar liria e votës dhe pa u dhunuar vullneti i votuesit.

Zgjedhjet për komunat veriore – Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq e Zveçan – janë caktuar për 18 dhjetor, pasi kryetarët e tyre kanë dhënë dorëheqje si shenjë pakënaqësie ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për targat.

Të ngjashme