Sport
Klubet e Superligës nuk kursyen “xhepat” në merkaton e verës, cilësohet si më e “zjarrta” në futbollin kosovar
Demokracia
14:27 | 20 Gusht 2021

Share:

Edicioni i ri i garave në Superligën e Kosovës në futboll është vetëm një ditë larg nga fillimi. Sikurse sezonet paraprake, edhe ky edicioni pritet të jetë tejet i “nxehtë” për faktin se shumë skuadra kanë synime të qarta.

Për një të tillë ata nuk kanë pasur kohë të shfrytëzojnë pushimet e tyre, ngase ishin të fokusuar të përforcojnë skuadrën në afatin kalimtar të verës.

Merkato e kësaj vere po cilësohet si ndër më të mirat në futbollin e Kosovës, sidomos nga klubet që synojnë kreun e tabelës dhe daljen në garat evropiane.

Futbollistët e dëshmuar nga trojet shqiptare, kanë qenë cak i “katërshes” së madhe të Superligës që edhe këtë edicion pritet ta thonë fjalën kryesore në elitën e futbollit kosovar.

Erdin Hashani, trajneri i Vjosës së Shtimës i cili është njohës i mirë i futbollit kosovar thotë se skuadrat kosovare po sjellin lojtar cilësor në radhët e veta dhe ky është “çelësi” i suksesit në garat evropiane.

Çdo herë e më shumë në Superligën e Kosovës po vijnë lojtarë më cilësor dhe kjo po e dëshmon edhe paraqitjen e skuadrave tona në Evropë. Kjo është dëshmi që liga e Kosovës është duke u ngritur. Për dallim nga vitet e tjera këtë vitin e fundit kanë ardh lojtarët më cilësor dhe sikur skuadrat janë vetëdisuar. Skuadrat tona janë përforcuar aty ku ato kanë menduar që kanë nevojë. Mendoj që secila skuadër ka marrë lojtarë cilësor. Kisha m’i cek këto skuadrat që kanë bërë përforcimet më të mëdha janë Drita, Prishtina, Ballkani dhe Gjilani, sepse nga përforcimet qe i kanë bërë e kupton që keto skuadra synojnë titullin. Unë jam i mendimit që sa më shume të kemi lojtarë vendor, sepse nëse ne nuk i përkrahim ata atëherë kush i perkrah tjetër. Por normalisht që jam me i përkrah ata lojtarë që janë cilësor. E sa i përket ardhjeve unë mendoj që ata lojtarë që vijnë duhet të jenë së paku një herë më të mirë se sa lojtarët tanë vendor për me u ngrit cilësia, sepse jemi dëshmitar viteve më herët kishte sasi e jo cilësi. Shpresoj që tash e tutje të kemi cilësi e jo sasi”, deklaroi Hashani të premten për Demokracia.com.

Mendim të njëjtë se kjo merkato ishte më e nxehta në futbollin elitar të Kosovës ka edhe trajneri dhe ish-futbollisti i njohur, Genc Sermaxhaj.

Ky i fundit gjithashtu përmendi ekipet e “katërshes së madhe” të Superligës që sipas tij bën transferimet më cilësore.

Është viti i parë i supertransfereve që janë bërë në futbollin e Kosovës. Transfere të tilla do të ngrisin cilësinë e futbollit, do të shtohet interesimi e poashtu edhe rivaliteti i ekipeve për të garuar mes vete për trofe. Gjilani e Drita janë ekipet që kanë bërë trasferime me lojtarë shumë të mirë. Prishtina poashtu, ndërsa Ballkani me pak perforcime, por ka mbajtur ekipin e njëjtë dhe kjo katërshe do te jetë sërish në garë për të dalë më e mira. Kemi transferime te disa ekipe qeë cilësia e lojtarëve që kanë sjellë janë të përaferta, dhe nuk mund të themi se ky apo ai është transferim më i madh. Pra cili do te jete transferi me i madh dhe më i qëlluar, do ta shohim në kampionat. Çdo vit që po vjen, ekipet tona po sjellin çdo herë e më shumë transfere me të mira e më të vlefshme. Këto sigurisht ndihmojnë në ngritjen e cilësisë së lojës”, nënvizoi Sermaxhaj për Demokracia.com.

Edicioni i ri në Superligën e Kosovës në futboll fillon të shtunën me tri përballjet e para dhe vazhdon të dielën me dy të tjera në kuadër të xhiros së parë kampionale. /Demokracia.com

Të ngjashme