Nevoja për mbështjen që japin tifozët për skuadrat e futbollit është shfaqur dukshëm nga herat e tjera te klubet që bëjnë gara në Superligën e Kosovës në futboll.
Kur kampionati elitar në Kosovë po shkon drejt fundit, mbështetja dhe përkrahja e tifozëve është një nga faktorët që shtyjnë ekipet drejt motivimit për ta fituar një ndeshje dhe për t’iu afruar objektivave në fund të sezonit, shkruan Demokracia.com.
Se “Lojtari i 12-të”, siç quhet në zhargonin e futbollit për tifozët, luan rol shumë të rëndësishëm në një ndeshje futbolli, e sidomos te ekipet nikoqire, është parë së fundmi edhe në elitën e futbollit kosovar.
Hyrja pa pagesë në stadium të vendosura nga disa klube ka bërë që përkrahje dhe numri i tifozëve në shkallët e stadiumeve kosovare të rritet dukshëm, e që në disa raste solli edhe rezultat.
Llapi, Gjilani e Dukagjini janë disa nga klubet që vendosën të “hapin dyertë” e stadiumit për tifozët pa pasur nevojë të paguajnë biletë në ndeshje derbi.
E para që nisi këtë iniciativ ishte Dukagjini i Klinës, shkruan Demokracia.com.
“Hithat” në ndeshjen ndaj Prishtinës vendosën që të jetë hyrja falas, për shkak të rëndësisë së takimit e panë të nevojshme përkrahjen edhe më të madhe nga klinasit.
Gjilani para pak javësh e zhvilloi një ndër ndeshjet më të rëndësishme të sezonit ndaj Ballkanit (0:3 rez. zyrtar).
Për “kuqebardhët” ishte e domosdoshme edhe prezenca e madhe e publikut e cila nuk i ka munguar ndër vite.
Vendimi për të lejuar hyrjen falas u prit mjaft mirë edhe nga tifozët që ju përgjigjën në numër edhe më të madh duke qenë prezent në stadium.
Mbështetja dhe përkrahje që u dhanë “Skifterat” futbollistëve të Gjilanit atë ndeshje u pa qartë edhe gjatë minutave të lojës, ndonëse ishin në disavantazh nga minuta e parë e takimit.
E së fundmi, klubi që kishte nevojë të madhe për përkrahje masive të tifozëve në shkallët e stadiumit ishte edhe Llapi, shkruan Demokracia.com.
Llapjanët në stadiumin “Zahir Pajaziti” të përcjellur nga një numër i madh i tifozëve përmbysi rezultatin e ndeshjes së parë (1:0 – 2:1) ndaj Prishtinës në gjysmëfinale dhe “preu” biletën për në finalen e madhe të 21 majit në Kupën e Kosovës.
Edhe Llapi ditë pas dite në faqen zyrtare të klubit para duelit bënte thirrje për prezenc të madhe të tifozëve në një ndeshje ku tifozët nuk kishin fare nevojë të blinin biletë sepse ishte falas.
Në këto raste, klubet treguan se më e nevojshme është përkrahja dhe mbështetja që japin tifozët, sesa gjërat materiale që sjellin biletat e shitura.
Kujtojmë se në shumicën e stadiumeve kosovare në Superligë bileta për të hyrë në stadium është rreth dy euro, e në disa tjera shkon deri në tri./Demokracia.com/