Me 24 vite burg janë dënuar katër anëtarët e një bande shqiptare që drejtonin një rrjet të shitjes së kokainës me një vlerë prej 2 milionë paundësh në Preston dhe Chorley të Anglisë.
Një prej të arrestuarve, Bekin Hasmehaj, 35 vjeç, ishte drejtues i asaj që mediet e huaja e quajnë “ndërmarrje” të drogës.
Klientët telefononin një qendër telefonike dhe do të bënin një porosi, duke lënë një kod të veçantë për dorëzimin e drogës, ndërsa më pas, personi pas telefonit lajmëronte një korrier për të dërguar drogën. Sipas prokurorisë “modeli i grupit shqiptar ishte kompleks dhe ishte krijuar për ta bërë të vështirë për policinë identifikimin e parave ose drogës”.
Një tjetër drejtues i bandës, Albi Hoxhaj, 36 vjeç, drejtonte një nga qendrat e drogës në Mançester ndërsa gjatë një periudhe gjashtëmujore ai drejtoi korrierët për të shpërndarë drogën në zonat e Preston dhe Chorley.
Klevis Prensi, 33 vjeç, është i arrestuari i radhës. Ky i fundit ka qenë i afërt me familjen Hasmehaj ndërsa shtëpia e tij përdorej për peshimin dhe paketimin e drogës. Altin Nikolli, 37 vjeç, ka punuar në një nga qendrat e marrjes së telefonatave të klientëve për një muaj në fund të vitit 2019, shkruan gazeta Lancs.
https://www.lancs.live/news/lancashire-news/preston-2m-cocaine-conspiracy-saw-25590326