Sport
“Kjo situatë largon investitorët, është çështje politike”: Nga Drita dhe Gjilani të zhgënjyer për ngecjen e punimeve në stadium, MKRS-ja vazhdon me heshtje
Demokracia
19:43 | 04 Mars 2021

Share:

Derisa Drita dhe Gjilani janë dy prej klubeve më të popullarizuara në futbollin kosovar, të dyja skuadrat nuk e kanë në dispozicion një stadium modern që i plotëson kërkesat e futbollistëve si dhe të tifozëve gjilanas.

Punimet në stadiumin e qytetit në Gjilan sa nisin e ngecin, derisa klubet gjilanase marrin premtime për finalizimin e projektit vetëm në kohën e fushatave zgjedhore politike, raporton Demokracia.com.

Projekti i stadiumit të ri në Gjilan është në dorën e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, e cila nuk i ka dhënë “zor” për finalizimin e këtij projekti.

Derisa fusha në stadiumin e qytetit në Gjilan është e mjerueshme, Drita dhe Gjilani ndeshjet si vendas në garat evropiane i luajnë në stadiumin e Prishtinës, “Fadil Vokrri” në kryeqytet.

Në lidhje me këtë çështje, Demokracia.com ka kontaktuar drejtorin e Dritës, Valon Zymberi, atë të Gjilanit, Sevdail Robelli, të cilët janë shprehur tejet të zhgënjyer.

Nga ana tjetër, Ibër Alaj nga MKRS-ja ka qenë i paqasshëm për gazetën në telefon.

Zymberi: Shumë po dëmtohemi, kjo gjendje mund t’i largojë investitorët

Drejtori i Dritës së Gjilanit, Valon Zymberi ka deklaruar se situata aktuale me punimet në stadiumin e qytetit është për të “ardhur keq”.

Në një prononcim për Demokracia.com, Zymberi thotë se kjo situatë ka krijuar telashe për klubin ku ai punon.

“Nëse ka diçka që ka për t’i larguar investitorët mos të investojnë në futboll, ka me qenë pikërisht infrastuktura. Është për të ardhur keq që sa shumë flitet për këtë stadium dhe asnjëherë nuk ka ndonjë prononcim zyrtar nga ministria”, ka thënë Zymberi, duke vazhduar:

“Shpeshëherë kur mendohet që po ndihmohen klubet, më shumë po dëmtohemi. Rasti i stadiumit tonë na ka dëmtuar shumë neve si klub sepse është bërë rrëmujë edhe e kanë lënë shkret”.

Për fund, ai tregon se duhet fajësuar edhe mediat që nuk pyesin në ministri për këtë çështje.

“Faji është edhe i mediave që gjithmonë na pyesin vetëm ne klubeve dhe asnjëherë nuk pyesin në ministri, edhe atë jo të shkojnë njëherë, por çdo javë deri sa të kuptojnë se ku është problemi”, deklaroi të enjten Valon Zymberi.

“Një situatë e tillë na ka vështirësuar punën, është çështje politike”

Drejtori i Gjilanit, Sevdail Robelli në anën tjetër, ka thënë se nuk e di pse po ndodhë një gjë e tillë.

“Katër vite kanë kaluar prej kur kanë nisur punimet dhe ato po shkojnë ngadalë. Nuk e di pse po ndodhë një gjë e tillë. Në qytetet tjera po ndërtohen, mendoj se është çështje politike”, ka thënë Robelli.

Tutje, ai thotë se vetëm klubet e Gjilanit kanë përballuar një gjë të tillë.

“Është e vështirë, edhe t’i zhvillojmë stërvitjet edhe ndeshjet. Veç klubet e Gjilanit kanë mundur ta përballojnë një situatë të tillë. Na kanë vështirësuar punën në të gjitha aspektet”, përfundoi të enjten për Demokracia.com Sevdail Robelli. /Demokracia.com

 

Të ngjashme