Lajme
“Kjo nuk është drejtësi”; “Është përndjekje”: Kërkohet reagimi i shtetit ndaj bastisjeve të Gjykatës Speciale
Demokracia
13:06 | 31 Tetor 2023

Share:

Bastisjet e dy ditëve të fundit të Prokurorisë së Specializuar të Hagës në Kosovë kanë nxitur reagime të shumta në vend. Dje dhe sot hetuesit e kësaj prokurorie kanë bastisur shtëpitë e tre ish-këshilltarëve të ish-presidentit Hashim Thaçi.

Aksionet e tilla po konsiderohet si përndjekje ndaj njerëzve të afërt të ish-presidentit.

Aksionet janë dënuar ish-bashkëpunëtoret e Thaçit dhe përfaqësuesit e shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së.

Më e ashpra në reagim ka qenë nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku.

Ish-ambasadorja e Kosovës në Uashington ka thënë se këto aksione nuk kanë fare të bëjnë më drejtësi, shkruan Nacionale.

Sipas saj, këto janë përndjekje politike.

Kjo nuk është drejtësi. Kjo është përndjekje. Persekutim. Dje Blerimi e Bashkimi. Sot Artani. Nesër nuk e di. Po ajo që po shihet sheshazi është që kjo është përndjekje politike.”, ka shkruar ajo në profilin e saj në “Facebook”.

Më pas ka reaguar edhe Adil Behramaj, ish-këshilltar i ish-presidentit Hashim Thaçi.

Behramaj, të cilit para disa muajve po ashtu iu kishte bastisur shtëpia, ka thënë se me këto aksione Specialja po tenton t`i mbulojë dështimet e veta.

Stafi i zellshëm i Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë, po provon t’i gjejë arsyet e dështimit të tyre nëpër shtëpitë tona. Dje shkuan te Bashkimi e Blerimi, sot tek Artani. Të gjithë këta, para se të ishin këshilltarë të presidentit, janë njerëz të dëshmuar në jetën publike dhe institucionale të shtetndërtimit të Kosovës, së bashku me bashkësinë ndërkombëtare. Bastisja e sotme tek Artani është vazhdim i gjuetisë kundër fjalës së lirë dhe përpjekje për ta shurdhuar çdo zë kritik. Është vërtet e paprecedent kjo qasje. Është e pabesueshme sesi përndjekja po shihet si drejtësi nga kjo prokurori, e cila as që mërzitet për të drejtat e njeriut!”, ka shkruar Behramaj në profilin e tij në “Facebook”.

Sipas tij, këto sjellje të hetuesve të Speciales nuk do të duhej të tolerohen.

Nëse sjellja e kësaj prokurorie është reflektim i vlerave perëndimore për drejtësinë dhe të drejtat e njeriut, atëherë është tejet e dhimbshme ku qenkan katandisur këto vlera. Në të kundërtën, kjo sjellje nuk do të duhej të tolerohej as nga ambasadorët e shteteve të Bashkimit Evropian në Kosovë!”, ka shkruar Behramaj.

Ndërsa, ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL-UÇK-së, Faton Klinaku, ka kërkuar reagimin e institucioneve të vendit në këtë rast.

Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se këto aksione nuk duhet të kalojnë në heshtje.

As në kohën e pushtuesit nuk kemi pasur këso heshtje me zhvillimet që po ndodhin në Kosovë! Minatorët kanë hyrë në javën e dytë të grevës së urisë e pushtetarët lëre që po heshtin e nuk interesohen fare për ta, por edhe i akuzojnë dhe shantazhojnë pse ata bëjnë grevë. Përndjekjet e vazhdueshme nga Gjykata Speciale, të cilat po ndodhin edhe sot, po kalojnë në heshtje të atyre që do të duhej që së paku të flisnin. Të mos harrojmë #PoshtëZajednica”, ka shkruar Klinaku.

Bastisja e sotme

Edhe gjatë ditës se sotme ka vazhduar aksionet e Prokurorisë së Specializuar të Hagës ndaj njerëzve të afërt të ish-presidentit Hashim Thaçi nuk kanë të ndalur.

Hetuesit e kësaj prokurorie sot kanë trokitur në derën e ish-këshilltarit të Hashim Thaçit, Artan Behrami, për të ia bastisur shtëpinë.

Ende nuk dihen arsyet e kësaj bastisjes, por ajo që dihet është Artan Behrami ka qenë kritik ndaj Gjykatës Speciale.

Një ditë me parë, ai ka kritikuar aksionet e kësaj prokurorie ndaj dy ish-këshilltareve tjerë të Hashim Thaçit.

Gjykata Speciale është fashiste, sepse përndjek, arreston dhe dënon vetëm shqiptarët. Prokuroria është në panik! Po humb çdo betejë juridike! Ndërsa, gjykata në përpjekje për të ndihmuar prokurorinë, seancat tragjike-komike po mundohet t’i mbulojë me spektakle. Bastisja e shtëpive të kolegëve, Blerimit dhe Bashkimit, është skandaloze dhe e paprecedent!” – ka shkruar Behrami të hënën në Facebook.

Një ditë më parë, Prokuroria e Specializuar e Hagës, ka realizuar edhe një aksione tjetër të bastisjes ndaj njerëzve të Thaçit. Të hënë janë bastisur në shtëpitë e së paku dy ish-këshilltarëve të Hashim Thaçit, Bashkim Smaka e Blerim Shala.

Avokati Artan Qerkini i kishte deklaruare për gazetën Nacionalen se nuk i di arsyet e kësaj bastisje.

“Është duke ndodhur një bastisje, por asnjë informacion tjetër nuk mund të ndajë për momentin”, ka thënë ai.

Prokuroria e Specializuar e Hagës kohëve të fundit ka pasur disa aksione të ndryshme të ngjashme.

ZPS-ja ua ka konfiskuar telefonat një pjese të madhe të ish-ushtarëve të UÇK-së, përfshirë edhe komandantin e zonës së Llapit, Rrustem Mustafa.

Bastisje kishte pasur edhe në shtëpinë e heroit Fahri Fazliu dhe në familjen e Hakif Zejnullahut.

Krejt këto aksione ata i kanë arsyetuar me tentimet për të ndikuar në dëshmitarë.

Së fundmi, Prokuroria e Hagës ka arrestuar Sabit Januzin e Ismet Bahtijarin, me pretekstin se kanë tentuar të ndikojnë tek një dëshmitar.

Të ngjashme