Lajme
“Kjo fjalia më futë ankthin” – biseda mes Ramës dhe Sveçlës, të qeshura në mbledhje
Demokracia
12:12 | 20 Qershor 2022

Share:

Kryeministri shqiptar, Edi Rama, i ka kërkuar ministrit Xhelal Sveçla sqarime më të detajuara për marrëveshjen e lehtësimit të lëvizjes së qytetarëve në pikë-kalimin kufitar në Vërmicë.

Marrëveshja parasheh lehtësimin e lëvizjes së qytetarëve të Kosovës dhe Shqipërisë në pikë-kalimin kufitar të Vërmicës deri në muajin shtator.

Ajo është prezantuar nga ministri Sveçla në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive që po mbahet sot në Prishtinë.

“Jam i lumtur që sot do të nënshkruajmë edhe dy marrëveshje dhe një protokoll zbatimi të dy marrëveshjeve të kaluara. Policitë e Kosovës dhe të Shqipërisë gëzojnë një bashkëpunim të shkëlqyer. Në kuadër të kësaj, sot do të nënshkruajmë marrëveshjen e cila do të krijojë lehtësira në kalimin kufitar në pikën Vërmicë. Kjo marrëveshje do të zvogëlojë procedurat e pritjes. Deri në fund të shtatorit do të ketë kalim të lehtësuar të kufirit, ndërkaq marrëveshja do të përcaktojë procedurat e tilla lehtësuese që do të jenë për çdo fundjavë dhe çdo festë zyrtare të vendeve tona”, deklaroi Sveçla.

Deklarimi i Sveçlës nuk ishte plotësisht sqarues për kryeministrin Rama. Ai i kërkoi Sveçlës sqarime shtesë.

“A mund të bëjë një pyetje unë se kjo fjalia ‘do të kemi disa lehtësira’ më futë ankthin se imagjinoj veten duke pritur ato lehtësirat në makinë. Ça janë këto lehtësira? Tash, këto disa lehtësira ça do të me thënë?”, pyeti Rama, ministrin e Brendshëm të Kosovës.

“Nëse mundem, ju lutem… herën e fundit që isha në pikëkalimin kufitar në Vërmicë, polici kufitar më uroj udhë të mbarë”, u përgjigj shkurt Sveçla.

Përgjigja me një dozë cinizmi dhe ironie e kryeministrit shqiptar shkaktoi të qeshura në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive.

“A mund t’ua kursejmë edhe këtë urim qytetarëve dhe ata kur kalojnë të mos kenë polic fare aty kur kalojnë dhe të ketë vetëm verifikim të rastësishëm në çdo 500 makina për shembull. Mund të ndodhi kjo, apo patjetër duhet të ndalen dhe t’u thonë ‘mirë se erdhët’?”, pyeti sërish Rama.

Rama tha se shpreson që ky protokoll të jetë i fundit mes dy shteteve.

Të ngjashme