Lajme
Kjo është situata aktuale në Drenas pas vërshimeve
Demokracia
11:50 | 11 Shkurt 2021

Share:

Reshjet e fundit kanë shkaktuar vërshime në Komunën e Drenasit.

Reshjet e fundit të shiut kanë shkaktuar vërshime në disa pjesë të Kosovës, me theks të veçantë në rajonin e Dukagjinit dhe në rrafshin e Kosovës.

Vërshime ka pasur edhe në Komunën e Drenasit, raporton Demokracia.com.

E nga kjo komunë, kanë thënë se pavarësisht vërshimeve, rrugët janë të kalueshme dhe nuk ka qytetarë të evakuuar.

Drejtoresha për Shërbime Publike dhe Emergjencë, nga komuna e Drenasit, Lumnije Krapi ka thënë për Demokracia.com se për shkak të këtyre reshjeve është duke u rritur niveli i ujit në ato pjesë ku konfiguracioni i terrenit është më i ulët, mirëpo nuk ka pasur nevojë për evakuim të qytetarëve deri më tani.

“Pas fillimit të reshjeve menjëherë po ka rritje të nivelit të ujit, në ato pjesë ku konfiguracioni i terrenit është më i ulët. Kryesisht lumi po del nga shtrati, mirëpo deri më tani nuk ka pasur nevojë për evakuim”, tha Krapi për Demokracia.com

Krapi po ashtu tha se rrugët janë të kalueshme, mirëpo në mëngjes ka pasur probleme në rrugën Drenas-Dobroshec, përkatësisht te “Guri i Plakës” dhe vërshime ka vetëm në oborret e shtëpive.

“Rrugët janë të kalueshme, në mëngjes kemi pasur pengesa në rrugën Drenas-Dobroshec, përkatësisht  te “Guri i Plakës”.  I kemi njoftuar qytetarët që të kenë kujdes në atë pjesë të rrugës. Kemi vërshime nëpër oborre. Do të jemi pranë qytetarëve në të gjitha sfidat që do të paraqiten”, përfundoi Krapi. /Demokracia.com

Të ngjashme