Trajneri francez, Alain Giresse është përzgjedhësi i ri i Kombëtares së Kosovës në futboll. Prezantimi i tij është bërë të mërkurën nga presidenti Agim Ademi në një konferencë për media.
69-vjeçari e ka zëvendësuar të shkarkuarin Bernard Challandes i cili u largua nga “Dardanët” në tetor të vitit të kaluar, raporton Demokracia.com.
Giresse do të debutojë me Kombëtaren e Kosovës më 24 mars kundër Burkina Faosos.
Kosova dhe Burkina Faso do të ballafaqohen në një duel miqësor, ndërkohë që pesë ditë më vonë Kosova luan një tjetër sfidë kontrolluese me Zvicrën.
Giresse ka thënë se e njeh ekipin kombëtar të Kosovës dhe se pret me padurim ta fillojë punën në fushën e gjelbër.
“Kosova luan si ekip bashkë, ne duhet të ndërtojmë një ekip me potencialin ekzistues të lojtarëve. Puna është bërë paraprakisht dhe unë jam këtu vetëm për të vazhduar punën, të përparojmë dhe të bëjmë më të mirën. Lojtarët janë shumë teknikë, kanë dëshirë ta mbajnë topin, gjë që më pëlqen shumë”.
“Mua më pëlqen stili i lojës të lojtarëve të Kosovës. Sa i përket ekipit, është me rëndësi ta gjejmë balancin e duhur por edhe mentalitetin, që është i nevojshëm për të treguar lojë të mirë”, ka thënë Giresse në konferencë për shtyp./Demokracia.com/