Lajme
Kjo është Marrëveshja për Energjinë e vitit 2013, LVV e cilësonte si legalizim të Serbisë në Kosovë
Demokracia
11:41 | 21 Qershor 2022

Share:

Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi dhe homologu i tij serb kanë arritur pajtueshmëri për zbatimin e Marrëveshjes për Energjinë të vitit 2013, e cila asokohe ishte kundërshtuar ashpër nga Lëvizja Vetëvendosje.

Në nivelin e transmisionit, sipas kësaj marrëveshjeje, operatori i transmisionit i Serbisë ishte zotuar që do ta njeh ndërkombëtarisht KOSTT-in si operator i vetëm i transmisionit në tërë territorin e Republikës së Kosovës dhe këtë njohje do ta materializojë, duke nënshkruar marrëveshje përkatëse sipas standardeve të ENTSO-E (Asociacioni i Operatorëve të Transmisionit, Sistemit dhe Tregut për energji elektrike në Evropë).

Me këtë marrëveshje, operatori serb i transmisionit do të mbështesë edhe anëtarësimin e KOSTT në ENTSO-e dhe nuk do të bëjë obstrukcione politike.

Demokracia.com sjell përfitimet që i kishin listuar qeveritë e kaluara, të cilat kundërshtoheshin nga Lëvizja Vetëvendosje:

  • Kosova, respektivisht KOSTT-i mund të arkëtojë të hyra nga energjia e transituar për vende të treta, meqë me firmosjen e marrëveshjes KOSTT-I bëhet pjesë e mekanizmit për kooperim ndërmjet operatorëve në nivel evropian. Duke iu referuar të dhënave energjetike nga e kaluara këto të hyra mund të arrijnë deri 1,500,000.00 -2,500,000.00 Euro/vit.

 

  • KOSTT-i mund të arkëtojë të hyra nga ndarja e kapaciteteve të transmisionit në linjat e interkonjeksionit me vendet fqinjë në rastet e kongjestioneve. Të dhënat paraprake që janë vlerësuar në mënyrë të përafërt çojnë deri te informacioni se këto të hyra mund të arrijnë vlerën deri 1,500,000 Euro/vit.

 

  • Zvogëlimi i çmimeve të importit të energjisë për 19% të vlerës së TVSH, ashtu si Serbia ka ngarkuar kompanitë tregtare që kanë eksportuar në Kosovë.

Gjithashtu palët janë zotuar që për periudhën e kaluar mbi bazën e parimeve dhe praktikave të mekanizmave të zbatuara në të kaluarën të gjejnë zgjidhje për kërkesat e dyanshme për transit dhe ndarja e kapaciteteve të transmisionit në linjat e interkonjeksionit. Nëse nuk mund të gjejnë marrëveshje të kënaqshme për të dy anët atëherë arbitrazhi ndërkombëtar vihet në veprim. (Kontesti sipas vlerësimeve të KOSTT për tërë periudhën e kaluar mund sillet në vlerat 25 deri 30 milion euro).

KOSTT-i me marrjen nën kontroll të nënstacionit të Vallaqit (110/35kV) në pjesën veriore praktikisht vendos kontrollin në tërë sistemin e transmisionit dhe ndërhyrja ilegale e operatorëve serb në pjesën veriore pushon duke përfshirë kontrollin dispeçerik të HC Ujmanit dhe importin në linjën 110kV nga Novi Pazari.

Bashkëpunimet në nivel të Autoriteteve Rregullatore:

Gjithashtu palët janë dakorduar të bashkëpunojnë në krijimin e kornizave rregullatorë që në harmoni me Traktatin mbi energji që mund të njohin licencat e njeri tjetrit gjatë tregtimit me energji elektrike, shkruan Demokracia.com.

Pas nënshkrimit përveç atyre provizioneve që në marrëveshje janë trajtuar për veprim saktësisht dhe obligojnë palët menjëherë për veprim si Marrëveshja për Interkonjeksion, Kërkesat nga e kaluara e që adresojnë saktë KOSTT dhe EMS, për çështjet tjera do të formohen grupet implementuese për t’u marrë vesh Planin e Implementimit dhe më pas Planin e Veprimit.

Kjo është marrëveshja e plotë për energjinë mes Kosovës dhe Serbisë, e arritur në fund të vitit 2013, të cilën tani Bislimi e Petkoviq janë pajtuar ta implementojnë.

Lëvizja Vetëvendosje e kishte cilësuar këtë marrëveshje si legalizim të ndikimit të Serbisë në Kosovë.

Po ashtu, kjo marrëveshje thoshin se e konteston pronësinë e Republikës së Kosovës sipas kërkesave të Serbisë, mbi resurset dhe rrjetin tonë energjitik.

“Lejimi i kompanisë serbe “Elektrosever-it” që të operojë brenda territorit të Kosovës ose thënë konkretisht që Serbia do të ketë kontrollin mbi resurset e shpërndarjen e energjisë elektrike në Kosovë. Kompanisë serbe “Elektrosever” ia kanë njohur të drejtën e transmisionit të energjisë elektrike që përbën një problem serioz të përmasave sa rrezikon ta zhbëjë funksionimin e sistemit energjetik të Kosovës”, pretendonte LVV-ja në të kaluarën. /Demokracia.com/

Të ngjashme