Lajme
Kjo është letra që Klan Kosova ua dërgoi KPM-së dhe ambasadave të Quint-it pas vendimit të MINT-it
Demokracia
18:50 | 15 Qershor 2023

Share:

Barlet Imami, Drejtor Ekzekutiv i “Klan Kosova” Sh.p.k., u ka dërguar një letër anëtarëve të Komisionit të Pavarur për Media (KPM) si dhe ambasadave të vendeve të Quint-it të akredituara në Kosovë pas vendimit të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) për pezullimin e certifikatës së biznesit të Klan Kosovës.

Në letrën dërguar të sipërpërmendurve, Imami thotë se Vendimi i MINT-it nuk ka bazë ligjore dhe ngërthen në vete shkelje esenciale të procedurës administrative.

Si rrjedhojë, Imami thotë se “Klan Kosova do të ushtrojë të drejtën e saj të ankimimit brenda afatit prej 30 ditësh në përputhje me këshillën juridike, ku si pasojë e shfrytëzimit të kësaj të drejte bazuar në nenin 47, paragrafi 6 të Ligjit për Shoqëritë Tregtare Nr. 06/L -016, citojmë si në vijim “6. Për të gjitha çështjet lidhur me ankesat administrative që nuk janë të rregulluara në këtë ligj, aplikohen dispozitat përkatëse të ligjit në fuqi për procedurën administrative.”, si dhe nenit 130, paragrafi 1, i Ligjit për Procedurën Administrative, citojmë si në vijim “1. Përveçse kur parashikohet ndryshe me ligj, parashtrimi i një ankese pezullon, sipas fuqisë së ligjit, prodhimin e pasojave juridike të aktit administrativ, deri në njoftimin e vendimit që zgjidh ankesën”, automatikisht pezullon ekzekutimin e vendimit të MINT”.

“Rrjedhimisht, bazuar më lartë kërkojmë me respekt nga ana e KPM-së që të pezullojë ndërmarrjen e çfarëdo veprimi ndaj Klan Kosova, deri në gjykimin meritor të kësaj çështjeje. Në të kundërtën çdo veprim i ndërmarrë nga ana e KPM-së do të ishte i kundërligjshëm dhe i parakohshëm dhe do të obligonte Klan Kosovën që të ndërmarrë të gjithë hapat ligjorë kundrejt një veprimi jo të drejtë dhe jo ligjor dhe mbi të gjitha do të ishte keqpërdorim i detyrës zyrtare”, ka thënë Drejtor Barlet Imami, Drejtor Ekzekutiv i “Klan Kosova” Sh.p.k..

Për më tepër, Imami thekson faktin që “Ligji për Procedurën Administrative e njeh pezullimin e vendimeve vetëm për procedurën administrative në zhvillim e sipër, ndërsa në këtë rast nuk kemi një çështje të tillë”.

“Tutje, nga një lexim i kombinuar i dispozitave ligjore të Ligjit për Procedurën Administrative, saktësisht neni 55 dhe 77 par.2, na drejton tek konstatimi se edhe në rastet kur një akt administrativ konsiderohet i kundërligjshëm mirëpo është dobiprurës, mund të shfuqizohet vetëm nëse shfuqizimi është i domosdoshëm për të parandaluar një dëmtim serioz të jetës dhe shëndetit të njerëzve apo sigurisë publike, e që në rastin konkret vendimi për regjistrimin e biznesit të Klan Kosova shpk, nuk ka cenuar asnjë nga të mirat e lartcekura”, ka potencuar Drejtori Ekzekutiv i “Klan Kosova” sh.p.k., Barlet Imami.

Në fund, Imami ka thënë se beson fuqishëm “që KPM-ja do të ruajë rolin e saj mbi kompetencat e Ligjit për KPM i cili ia përcakton, si dhe do të mbrojë lirinë e medias dhe do të përkrahë të licencuarit e saj nga të gjitha veprimet jo të drejta”.

Të ngjashme