Lajme
Kishës Katolike i lëshohen kushtet ndërtimore për objekt afarist pranë Katedrales “Nënë Tereza”
Demokracia
20:02 | 02 Prill 2025

Share:

Pranë Katedrales “Nënë Tereza” në Prishtinë, shumë shpejt pritet të ndërtohet një objekt afarist. Kisha Katolike e Kosovës tani ka vendosur të zgjerojë aktivitetet e saj edhe në sektorin e ekonomisë. Komuna e Prishtinës tashmë i ka dhënë dritën e gjelbër, duke miratuar kushtet ndërtimore për Dioqezën Prizren-Prishtinë, e cila do të ndërtojë lokalet e reja, me destinim biznesin, shkruan Demokracia.com.

Planet rregulluese të detajuara përfshijnë rregullimin e çdo zone të ndërtimit, përfshirë rregullimin e parcelave ndërtimore, qasjen në infrastrukturë të ndryshme dhe transportin. Si një mundësi për të rregulluar pjesën e ndërtimit, ndarjen e tokave dhe rregullime tjera për secilën zonë, Komuna e Prishtinës fillimisht i jep investitorit potencial kushte ndërtimore, pastaj ata mund të aplikojnë për leje ndërtimi.

Drejtoria e Urbanizmit të Komunës së Prishtinës ka lëshuar kushte ndërtimore për Kishën Katolike në Kosovë, veçanërisht për Dioqezen Prizren-Prishtinë për hartimin e dokumentacionit ndërtimor për ndërtimin e një ndërtese afariste/lokale me katin S+0 në kompleksin e Katedrales “Nënë Tereza”.

Kisha Katolike e Kosovës pret që shumë shpejt të nisë ndërtimin e një ndërtese afariste buzë Katedrales “Nënë Tereza” përballë lokaleve të Ndermarrjes Publike Banesore. Më fillim të muajit mars 2025, Komuna e Prishtinës ka lëshuar kushte ndërtimore për ndërtimin e lokaleve që do të shfrytëzohen për afarizëm.

Bazuar në dokumentin e kushteve ndërtimore, sipërfaqja totale e parcelave kadastrale brenda vijës rregulluese është 7655 m2. Për destinimin e shfrytëzimit të ndërtesës për biznes, si dhe hapësirat përcjellëse.

“Në perimetrin prej 50 m2 të parcelave kadastrale, ndodhen ndërtesat afariste në rrugën “Rruga Jusuf Gervalla”, ku është planifikuar edhe lidhja me lokalet që janë në procedurë për kushte ndërtimore, ndërsa në anën lindore ndodhen lokalet afariste dhe parkingu nëntoksor “Parking Center”.

Në maj të vitit 2019, kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, kishte publikuar një video ku tregohen lokalet që po shkatërrohen në afërsi të Katedrales “Nënë Tereza” në kryeqytet, të cilat do të lënë vend për ndërtimin e ri.

Ahmeti shkroi se shkatërrimi i këtyre lokaleve po ndodh pas një vendimi të Gjykatës Supreme. Lokalet kishin qëndruar pa u përfunduar për 5 vite pas ndërtimit të tyre nga Komuna e Prishtinës, si pjesë e një projekti për një qendër tregtare nga Ndërmarrja Publike Banesore.

Pasi kishte dy vendime nga Gjykata Themelore dhe Gjykata e Apelit, të dyja palët, Komuna e Prishtinës bashkë me Ipeshkvinë e Kosovës, kishin kërkuar një revizion në Gjykatën Supreme.

Kjo e fundit, në 2019, kishte konfirmuar vendimin e Gjykatës së Apelit dhe të drejtën e shfrytëzimit të pronës në hapësirën ku ishin ndërtuar lokalet, duke i dhënë të drejtën Ipeshkvisë së Kosovës.

Supremja kishte kërkuar nga Komuna e Prishtinës që ngastrën kadastrale ku ndodhet objekti i katedrales dhe lokalet t’ia transferoi Ipeshkvisë si shfrytëzues afatgjatë. Më 19 shkurt të vitit 2002, Kuvendi Komunal i Prishtinës i kishte dhënë në shfrytëzim Ipeshkvisë 1.2 hektarë tokë, pjesë që përfshinte edhe rrugët publike si “George Bush” dhe “Bill Clinton”, si dhe objektin e ATK-së.

Vendimin e kishte ndryshuar më vonë, por Ipeshkvia kishte kërkuar një kompensim me një tokë tjetër prej 5,345 metra katrorë. Në këtë pikë, Gjykata Supreme kishte refuzuar kërkesën e Ipeshkvisë dhe i kishte dhënë të drejtën Komunës së Prishtinës. /Demokracia.com/

 

Të ngjashme