Lajme
Kisha Ortodokse Serbe reagon gjoja për “pengimin” e priftërinjve në Kishën e kriminelit Arkan
Demokracia
20:27 | 02 Qershor 2022

Share:

Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit që është në kuadër të Kishës Ortodokse Serbe ka reaguar lidhur me atë siç e ka quajtur pengim të liturgjisë.

Sipas tyre kjo ka ndodhur në Kishën e Krishtit Shpëtimtar, apo e njohur si Kisha e Arkanit.

“Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit shprehu shqetësimin dhe zhgënjimin e saj më të thellë për pengimin e priftërinjve të Kishës Ortodokse Serbe që të kryejnë liturgjinë e shenjtë në Kishën e Krishtit Shpëtimtar në Prishtinë [Kisha e Arkanit], në festën e Ngjitjes së Zotit, duke theksuar se kjo është shkelje e elementeve fetare. Kisha e Krishtit Shpëtimtar në kadastër është e regjistruar si pronë e Kishës Ortodokse Serbe”, thuhet në reagimin e tyre.

Kisha e cila është ndërtuar në hapësirat e Universitetit të Prishtinës në vitin 1992, pas marrjes së dhunshme të pushtetit nga Serbia më 1989, jo vetëm që është ndërtuar në masa të dhunshme, por edhe është përkrahur dhe financuar nga krimineli Zheljko Razhnjatoviq.

Në vitet e 90-ta, Arkani kishte krijuar edhe subjektin politik që quhej Partia e Bashkimit të Serbëve dhe ushtrinë me paramilitarë serb që quhej Garda e Vullnetarëve Serbë, të njohur si Tigrat, e cila ka pas më shumë se 300 ushtarë, që armatimet dhe financimin e ka siguruar nga shteti i Serbisë.

Arkan ka qenë edhe deputet i Parlamentit të Serbisë.

Gjatë gjithë kohës së luftërave në ish-Jugosllavi, Kisha Ortodokse Serbe dhe krimineli Arkan me partinë e tij kanë pasur bashkëpunim të ngushtë. Kjo ilustrohet edhe me shumë foto të asaj kohe.

Ekzistojnë fotografitë e tij, luftëtarët e të cilit tashmë sillen nëpër grupet paramilitare ruse, me klerikët ortodoksë serbë, si Amfiholije dhe Sava Janjiq.

Fotografia e Janjiqit me Arkanin është nga viti 1992, përkatësisht ditën kur po vihej themeli i kishës në kampusin univeristar të UP-së. E veçanta është fotografia e të ish të parit të Kishës Ortodokse Serbe, Irinejit me grupin paramilitar rus të kozakëve.

Pra, Kisha Ortodokse Serbe ka qenë nxisja kryesore për fillimin e luftërave në ish-Jugosllavi dhe përkrahësja e vazhdueshme e kriminelit Sllobodan Millosheviq, si dhe e ka bekuar çdo serb që ka shkuar në luftërat që Serbia i ka bërë në Slloveni, Kroaci, Bosnje e Hercegovinë dhe së fundi edhe në Kosovë. /Demokracia.com/

Të ngjashme