Lajme
Kirurgët e fëmijëve ankohen për mosfunksionalizim të spitalit pediatrik
Demokracia
08:09 | 13 Qershor 2022

Share:

Spitali Pediatrik, i hapur muaj më parë, ende nuk është kompletuar. Hapësirat e këtij spitali, donacion miliona eurosh, nuk janë në funksion. Mos organizimi nga kompetentët e mungesa e stafit të nevojshëm kanë lënë shumë hapësira të këtij objekti pa u përdorur

Tregimi disavjeçar për ndërtimin e spitalit pediatrik-kirurgjik nuk ka ende një epilog. Objekti gjigant i nisur nga viti 2016 është përfunduar por nuk po shfrytëzohet në tërësi.

Salla e operacioneve urgjente brenda klinikës së kirurgjisë së fëmijëve është jashtë funksionit. Kjo për shkak të mungesës së stafit në këtë klinikë.

Ardian Shefkiu, drejtor i Klinikës së Kirurgjisë, adreson kritika për mosfunksionim të këtij spitali.

“Është për keqardhje që nuk mund të funksionalizohen edhe pse jemi 15 kirurg dhe kemi kapacitete që të funksionalizohen. Është humbje e madhe sepse po krijohen lista të pritjes Përveç sallës së operimeve urgjente, aty janë edhe shumë dhoma me të gjitha kushtet e nevojshme por pa pacientë”, tha për RTK Ardian Shefkiu, Drejtor i Klinikës së Kirurgjisë.

Shefkiu tha se kapacitetet e spitalit janë mjaft të mëdha por nevoja për staf është shumë e madhe sepse nuk po arrihet t’i vënë në veprim mundësitë që kemi për të ofruar shërbime. “Ka 40 shtretër 5 salla dhe prej tyre vetëm dy janë funksionale për shkak të mungesës së anesteziologëve”, tha ai.

Derisa shumë dhoma e salla operative qëndrojnë të mbyllura, intervenimet për problemet në zemër, mjekët i bëjnë te klinika e kardiologjisë.

Ramush Bejiqi, Pediatër Kardiolog, tha se atyre u nevojiten salla e kateterizimit sepse ua kanë bllokuar kardiologjinë adulte dhe ata kanë pacientët e vet me jetë të rrezikuar. Sipas tij ekzistojnë hapësirat që mund të bëhen këto ndryshime?

SHSKUK-ja sikur edhe Ministria e Shëndetësisë thonë se po i rishikojnë mundësitë për ta rritur numrin e profesionistëve shëndetësorë për aq sa u lejon buxheti.

Kërkesat për ta rritur numrin e stafit në këtë klinikë janë parashtruar disa herë por zgjidhje nuk është bërë.

Në Klinikën e Kirurgjisë Pediatrike më së keqi janë për stafin e mesëm e në veçanti për instrumentalët, e punën e të cilëve, shpesh e kryejnë vetë kirurgët kujdestarë.

Të ngjashme