Lajme
KIPRED: Disa media serbe dhe ruse u munduan ta paraqesin Kosovën si shtet të dështuar
Demokracia
10:46 | 25 Shkurt 2021

Share:

Instituti kosovar për kërkime dhe zhvillime të politikave kosovare ka publikuar raportin për fushatën dezinformuese të mediave ruse dhe serbe kundër Kosovës për vitin 2020.

Sipas njoftimit, nga monitorimi i të dhënave nga mediat e përzgjedhura serbe, nga 1 janari e deri më 31 dhjetor të vitit të kaluar tregojnë se janë publikuar 4 mijë e 800 lajme që në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë kishin të bëjnë me Kosovën.

KIPRED thotë se lajmet të cilat kishin dezinformata, synonin krijimin dhe forcimin e narrativave për lëkundjen e themelit të legaliteti të shtetësisë së Kosovës dhe që e mohojnë të drejtën e saj për ta ushtruar sovranitetin si shtet i pavarur, duke e akuzuar atë për mosrespektimin e marrëveshjeve të arritura gjatë dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja. Gjithashtu duke i diskredituar institucionet dhe udhëheqësinë e saj, posaçërisht udhëheqësitë që vinin nga radhët e UÇK-së dhe ish-kryeministrin Kurti.

“Duke e paraqitur Kosovën si një shtet të dështuar dhe problematik që është shndërruar në ‘një shtet të mafisë’ dhe vatër të krimit të organizuar, të trafikimit dhe radikalizmit, i cili po ashtu e shtyp komunitetin lokal serb, e planifikon dëbimin e tij përmes operacioneve sekrete ushtarake, dhe e rrezikon trashëgiminë e Kishës Ortodokse në vend. Për më tepër, ato po ashtu synojnë ta diskreditojnë edhe praninë ndërkombëtare në Kosovë, duke e akuzuar atë për ‘dështim në shtetndërtimin e Kosovës, posaçërisht në trajtimin e drejtësisë lidhur me krimet e luftës. Një dimension interesant i këtyre lajmeve që përmbajnë dezinformata janë përpjekjet për ndryshimin e narrativave për Luftën e Kosovës, përmes mohimit të krimeve të luftës të kryera nga Beogradi në Kosovë, duke i paraqitur serbët si viktimat e vetme dhe NATO-n si një agresor që ka kryer krime të luftës, duke e rritur numrin e viktimave serbe, dhe duke e paraqitur luftën e shqiptarëve të Kosovës për pavarësi si një luftë fetare, dhe UÇK-në si një formacion ushtarak islamist”.

Edhe mediat me origjinë ruse të cilat janë monitoruar kishin lajme që dezinformonin për Kosovën.

“Përqindja më e lartë e lajmeve të publikuara nga këto media gjatë kësaj periudhe për Kosovën që kanë përmbajtur dezinformata është ka qenë gjatë tre momenteve të rëndësishme të zhvillimeve politike në vend. Momenti i parë ka qenë i ndërlidhur me krijimin e qeverisë VV-LDK. Gjatë muajit të dytë të kryeministrit të Kurtit, në mars, përqindja e lajmeve që kanë pasur dezinformata ka qenë 12,4%, pasuar me periudhën menjëherë pas rënies së qeverisë së tij, në prill, me 12,16%, dhe një muaj para krijimit të qeverisë së koalicionit VV-LDK, në janar, me 11,76%. Momenti i dytë ka qenë i ndërlidhur me krijimin e qeverisë Hoti, në fillim të qershorit dhe me vazhdimin e dialogut midis Kosovës dhe Serbisë në Washington, që fillimisht ishte paraparë për 27 qershor 2020, por që u shty për shkak të publikimit të propozim-aktakuzës nga Prokuroria e Dhomave të Specializuara kundër Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, më 24 qershor, dhe në periudhën vijuese, domethënë, përqindja e lajmeve me dezinformata nga këto botime mediale ishte 12,2% në qershor, dhe 11,2% në korrik. Momenti i tretë përkoi me rënien e qeverisë Hoti në dhjetor, që e arriti vlerën prej 11,4% të lajmeve dezinformuese për Kosovën të botuara nga këto media”./Demokracia

Të ngjashme
Lajme • 17 Maj 2024