Lajme
Kina shokon me represionin brutal ndaj ujgurëve
Demokracia
09:53 | 28 Maj 2022

Share:

Fotografitë nga kampet qeveritare të riedukimit dhe dokumente të tjera dëshmojnë për internimin e ujgurëve në Kinën veriperëndimore. Nga dokumentet sekrete shihet se ujgurët atje keqtrajtohen në mënyrë brutale.
Dokumente tronditëse nga veriperëndimi i Kinës, nga provinca ujgure e Xinjiang: fotografitë tregojnë kampe internimi të ruajtura mirë, karrige torture, roje me shkopinj, të burgosur të poshtëruar. Në procesverbalet e urdhrave të zyrtarëve të lartë të partisë ata i urdhëronin rojet të qëllonin mbi të arratisurit. Refugjatë që sipas Pekinit duhet të jenë studentë në qendrat e formimit profesional dhe jo të burgosur.

Dokumentet e publikuara sekrete janë pjesë e rrjedhjes më të madhe të të dhënave ndonjëherë nga kampet e riedukimit të drejtuara nga shteti në rajonin Xinjiang të Kinës veriperëndimore. Ato ilustrojnë shtrirjen e persekutimit dhe ndalimit masiv të shumë njerëzve. “Dosjet e Policisë Xingjiang”, për të cilat tani po raporton një grup mediash ndërkombëtare, përmbajnë informacione për rreth 300.000 kinezë të regjistruar nga autoritetet, kryesisht anëtarë të pakicës myslimane ujgure.

Fotografitë, fjalimet dhe udhëzimet zyrtare dëshmojnë se kampet nuk janë “institucione të trajnimit profesional”, siç pretendon qeveria kineze, por kampe të mbajtura nën mbikqyrjen e forcave të mëdha të sigurisë, njoftojnë gazetarët nga 14 kompani mediatike nga e gjithë bota. Në Gjermani janë përfshirë në këtë hulumtim Bayerischer Rundfunk dhe revista “Der Spiegel”.

Rojet e sigurisë me pushkë, karriget për tortura…
Fotografitë e publikuara tregojnë forcat e sigurisë me pushkë në krah. Foto të tjera dokumentojnë se si burra të armatosur me shkopinj çojnë larg një të burgosur me pranga në duar dhe këmbë. Ai mban një thes të zi mbi kokë dhe, në fund të serisë së fotografive, është ulur në një karrige të ashtuquajtur tigër – një karrige speciale që, sipas organizatës për të drejtat e njeriut Human Rights Watch, përdoret për tortura në burgjet kineze. Në këto të dhëna përfshihet edhe një fjalim i panjohur më parë nga viti 2017, i liderit të atëhershëm të Partisë Komuniste në rajonin Xinjiang. Aty thuhet se çdo i burgosur që tenton të arratiset qoftë edhe vetëm disa hapa duhet “të vritet me plumb”./DW

Të ngjashme