Presidenti kinez Xi Jinping, nënshkroi dekretin për shkarkimin e Li Shangfu nga posti i Këshilltarit Shtetëror dhe Ministër i Mbrojtjes, si dhe për shkarkimin e ish-ministrit të Jashtëm, Qin Gang nga posti i Këshilltarit të Shtetit.
Lajmi është bërë zyrtar nga media shtetërore e Pekinit. Në njoftim, arsyet e shkarkimit nuk janë specifikuar.
Largimi i Li Shangfu-së, u bë i ditur disa javë pas disa spekulimeve për fatin e gjeneralit, i cili nuk ishte parë në publik që nga fundi i gushtit.
Ai është ministri i dytë që shkarkohet papritur, që kur Xi Jinping fitoi mandatin e tij të tretë si udhëheqës i Partisë Komuniste tetorin e kaluar.
Gjenerali Li, 65 vjeç, arriti në krye të Mbrojtjes marsin e kaluar. Një zgjedhje që u interpretua si një sfidë për Shtetet e Bashkuara, sepse Li Shangfu ishte në listën e zezë të Uashingtonit që nga viti 2018, i nënshtruar sanksioneve formale që penguan hyrjen e tij në territorin amerikan.
Arsyeja e ndalimit amerikan është se kur ai drejtonte “Departamentin e Prokurimit dhe Zhvillimit të Pajisjeve” të Ushtrisë Çlirimtare Popullore, Li kishte negociuar me Moskën për blerjen e avionëve luftarakë Su-35 dhe të raketave S-400.
Këtë verë, presidenti Xi Jinping shkarkoi ministrin e Jashtëm, Chin Gang, i cili dha dorëheqjen në korrik, pas një lidhje jashtëmartesore kur ishte ambasador në Shtetet e Bashkuara, sipas një raporti të Wall Street Journal.
Sipas raportit, Chin po bashkëpunon me hetimin, i cili tani është fokusuar nëse marrëdhënia apo sjellja e Chin rrezikon sigurinë kombëtare të Kinës.
Chin u zëvendësua si ministër i Jashtëm nga diplomati veteran Wang Yi në korrik, pas një mungese misterioze njëmujore nga detyra dhe pas vetëm gjashtë muajsh në post.
Ishte një verë helmesh dhe misteresh në Pekin. Përveç atyre të dy ministrave të shkarkuar pasi u promovuan vetëm në fillim të vitit, ranë kokat e dy gjeneralëve, Li Yuchao dhe Liu Guangbin, komandant dhe zëvendës i forcave raketore të Ushtrisë Çlirimtare Popullore. Për këta dy zyrtarë arsyeja u deklarua: korrupsioni.