Lajme
Kina po sanksionohet nga Perëndimi për trajtimin gjenocidal të ujgurëve, bota myslimane hesht
Demokracia
12:25 | 28 Mars 2021

Share:

Pas vendosjes së sanksioneve nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britanisë së Madhe dhe vendeve të Bashkimit Europian ndaj Kinës për trajtimin gjenocidal të pakicës ujgure, së fundi Kina dhe Rusia kanë bërë një kthim sanksionesh ndaj këtyre shteteve, duke ua sanksionuar qytetarët dhe organizatat e tyre, ndërsa nuk ka ndonjë reagim apo sanksionim nga shtetet arabe dhe Turqia ndaj Kinës, për këtë çështje, por po mbretëron një heshtje totale.

Qeveria kineze është duke kryer “gjenocid të vazhdueshëm” kundër ujgurëve etnikë, në kundërshtim me Konventën për Gjenocid të Kombeve të Bashkuara, është thënë në raportin e Institutit Newlines për Strategji dhe Politika, me bazë në Uashington, përcjell Demokracia.com.

Në raportin e publikuar më 9 mars është bërë një analizë e pavarur për përgjegjësitë shtetërore të Kinës, duke gjetur se politikat e Pekinit ndaj popullsisë ujgure kanë shkelur “secilin akt” të Konventës për Gjenocid.

Kina është përballur tashmë me kritika për vendosje të një milion ujgurëve dhe anëtarëve të grupeve të tjera etnike myslimane nëpër kampe të përqendrimit në provincën Ksinjiang.

Pekini në anën tjetër, deklaron se këto kampe janë qendra trajnime, të nevojshme për të luftuar terrorizmin separatist dhe ekstremizmin.

E ministrat e Jashtëm të Bashkimit Europian (BE) ranë dakord për të vendosur sanksione mbi shkeljet e të drejtave të njeriut kundër pakicës ujgure.

BE vendosi masa kufizuese ndaj katër individëve kinezë dhe një kompanie për abuzime dhe ndalime arbitrare në shkallë të gjerë të ujgurëve në rajonin Xinjiang të Kinës.

Sipas vendimit, katër zyrtarë të lartë të partisë kineze: Hailun Zhu, Junzheng Wang, Mingshan Wang dhe Mingguo Chen, nuk mund të hyjnë në territorin e BE-së dhe pasuritë e tyre do të ngrihen pasi “janë përgjegjës për shkeljet serioze të të drejtave të njeriut në Kinë, në veçanti ndalime arbitrare në shkallë të gjerë dhe trajtime degraduese të shkaktuara ndaj ujgurët dhe njerëzve nga pakicat e tjera etnike muslimane, si dhe shkelje sistematike të lirisë së tyre të fesë ose besimit”.

Hailun Zhu, si ish-sekretar i Komitetit të Çështjeve Politike dhe Ligjore të Xinjiang-ut, ishte arkitekti i “programit të mbikëqyrjes, ndalimit dhe indoktrinimit në shkallë të gjerë që synonte ujgurët dhe njerëzit nga pakicat e tjera etnike myslimane”.

Junzheng Wangs, si sekretar partie dhe komisar politik mbikëqyri “përdorimin sistematik të ujgurëve dhe njerëzve nga pakicat e tjera etnike muslimane si një forcë punëtore e detyruar, veçanërisht në fushat e pambukut”.

Mingshan Wang dhe Mingguo Chen, si ish-drejtor dhe zv/sekretar partie dhe drejtor i Byrosë së Sigurisë Publike në Xinjiang, “prezantuan një program të madh të dhënash të përdorur për të gjurmuar miliona ujgurë në rajonin Xinjiang për të veçuar ata që konsiderohet se mund paraqesin kërcënim dhe të dërgohen në kampe të paraburgimit”.

Me të njëjtin vendim, ministrat e jashtëm të BE-së urdhëruan gjithashtu një ngrirje të pasurive dhe një ndalim të udhëtimit për shtatë individë të tjerë dhe tre kompani të tjera nga Rusia, Koreja e Veriut, Libia, Sudani i Jugut dhe Eritrea.

Masat u miratuan në kuadrin e Regjimit Global të Sanksioneve për të Drejtat e Njeriut të Bashkimit Europian.

Më 2 mars, BE miratoi sanksione për herë të parë nën këtë skemë. Masat synuan katër zyrtarë të lartë rusë të përfshirë në dënimin dhe ndalimin e opozitarit Alexey Navalny.

Regjimi i sanksioneve, i miratuar në vitin 2020, i mundëson BE-së të vërë në shënjestër individë, entitete dhe organe të tjerë përgjegjës për shkeljet serioze të të drejtave të njeriut.

Kjo nënkupton ndalimin e udhëtimit dhe ngrirjen e pasurisë për ata që janë përgjegjës për abuzimet e të drejtave të njeriut. BE ndalon individët dhe kompanitë evropiane të vendosin fonde në dispozicion të atyre të listuar.

Në një vendim të veçantë, ministrat e jashtëm të BE vendosën kufizime për 11 anëtarë të juntës ushtarake të Mianmarit mbi grusht shtetin dhe shtypjen e protestuesve civilë.

Kina vendos sanksione ndaj amerikanëve dhe britanikëve

Në anën tjetër, Pekini ka njoftuar se ka vendosur sanksione ndaj dy amerikanëve, një kanadezi dhe një grupi për të drejtat e njeriut, për shkak të kritikave që ata i bën Kinës lidhur me trajtimin e ujgurëve në rajonin Xinjiang, transmeton Demokracia.com.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken tha se këto masa të Kinës do të përqendrojnë më shumë vëmendjen në “gjenocidin” dhe shkeljet e të drejtave të ujgurëve etnikë dhe të grupeve të tjera myslimane në Xinjiang.

“Përpjekjet e Pekinit për të frikësuar dhe heshtur ata që ngrenë zërin për të drejtat e njeriut dhe liritë thelbësore vetëm kontribuojnë në presionin ndërkombëtar mbi gjenocidin që po vazhdon dhe krimeve kundër njerëzimit në Xinjiang”, tha Blinken.

Ky vendim i Kinës vjen pasi Bashkimi Evropian, Britania, Kanadaja dhe Shtetet e Bashkuara javën e kaluar sanksionuan disa anëtarë të udhëheqjes politike dhe ekonomike të Xinjiangut, për shkak të shkeljeve të të drejtave të njeriut në këtë rajon.

Ditëve të fundit, Kina është kundërpërgjigjur duke njoftuar sanksione ndaj zyrtarëve publikë dhe qytetarëve të BE-së, Britanisë, Kanadasë dhe Shteteve të Bashkuara, të cilët kanë qenë kritikë ndaj politikave të Pekinit.

Ministria e Jashtme e Kinës ka akuzuar Shtetet e bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe Kanadanë për vendosjen e sanksioneve “bazuar në thashetheme dhe dezinformata”.

Të sanksionuarit nga Kina përfshijnë dy anëtar të Komisionit të SHBA-së për Liri Fetare: Gayle Manchin dhe Tony Perkins. Ndërkaq, është sanksionuar po ashtu anëtari i Parlamentit kanadez, Michael Chong, që është anëtar i Komunitetit Parlamentar për të Drejtat e Njeriut. Këtyre personave u është ndaluar hyrja në Kinë, Hong Kong dhe Macau.

Chong tha se sanksionimi nga Kina ishte “nder”.

“Ne kemi për detyrë që të tregojmë për shtypjen e Kinës në Hong Kong dhe gjenocidin që po kryen ndaj ujgurëve”, tha Chong përmes një postimi në Twitter.

Grupet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut thonë se të paktën një milion ujgur dhe grupe të tjera myslimane gjenden në kampe në Xinjiang. Këto grupe po ashtu kanë akuzuar autoritetet kineze se po detyrojnë gratë të sterilizohen dhe po detyrojnë këtë popullsi që të bëjnë punë të detyrueshme.

Kina po ashtu shpalli sanksione kundër organizatave dhe individëve në Mbretërinë e Bashkuar për, siç tha, “përhapjen qëllimkeqe të gënjeshtrave dhe dezinformatave” në lidhje me trajtimin që i bën Pekini pakicës myslimane ujgure.

Ministria e Jashtme kineze tha se sanksionet godasin katër njësi dhe nëntë individë, përfshirë pesë ligjvënës britanikë.

Ministria përmendi në deklaratën e saj edhe sanksionet që ka ndërmarrë së voni Britania kundër Kinës.

“Ky veprim, i bazuar në asgjë përveç në gënjeshtra dhe dezinformim, shkel në mënyrë flagrante ligjin ndërkombëtar dhe normat themelore që rregullojnë marrëdhëniet ndërkombëtare, ndërhyn në mënyrë të ashpër në punët e brendshme të Kinës dhe minon rëndë marrëdhëniet Kinë – Mbretëri e Bashkuar”, thuhet në deklaratë.

Kina është e vendosur të ruajë sovranitetin e saj kombëtar, sigurinë dhe interesat e zhvillimit, thekson deklarata.

Palëve të sanksionuara dhe anëtarëve të familjes së tyre të ngushtë u ndalohet hyrja në Kinë.

Kina ka arrestuar së paku një milion ujgurë – kryesisht myslimanë – duke i vendosur në kampe në rajonin veriperëndimor të Ksinjiangut. Atje dyshohet se bëhen tortura, punë të detyrueshme dhe abuzime seksuale.

Kina i mohon akuzat e Perëndimit, duke thënë se kampet janë objekte “riedukimi”, që përdoren për të luftuar terrorizmin.

Të hënën, Mbretëria e Bashkuar, së bashku me Bashkimin Europian (BE), Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe Kanadanë, kanë vendosur sanksione kundër disa zyrtarëve kinezë, për shkak të çështjes së ujgurëve.

Facebook thotë se ka ndaluar spiunimin e ujgurëve

Ndërkaq edhe kompania “Facebook” njoftoi se ka ndaluar përpjekjet e hakerëve në Kinë për të spiunuar mbështetësit e pakicës ujgure që jetojnë jashtë këtij vendi.

Një grup i hakerëve, me burime të mira në Kinë, shënjestruan qindra aktivistë ujgurë, gazetarë dhe disidentë që jetojnë jashtë, duke u përpjekur t’i mashtrojnë ata duke klikuar në faqe të internetit të bllokuara me kod të dëmshëm, tha Facebook, përcjell Demokracia.com.

Shënjestrat kryesore ishin ujgurët nga Ksinjiangu në Kinë që tani jetojnë në Australi, Kanada, Kazakistan, Siri, Turqi, Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera, sipas Facebook.

Hakerat krijuan llogari të rreme në “Facebook” duke pretenduar se ishin gazetarë, aktivistë ose simpatizantë të komunitetit ujgur, kështu që njerëzit të bënin ndërveprim me ata.

“Taktika ishte e tillë që një herë synohej të fitohej besimi dhe pastaj ta përdorin atë si një mënyrë për t’i mashtruar ata”, tha shefi i politikës së sigurisë në “Facebook”, Nathaniel Gleicher.

Grupet e të drejtave të njeriut thonë se të paktën një milion ujgurë dhe pakica të tjera kryesisht myslimane janë burgosur në kampe në Ksinjiang. Autoritetet kineze akuzohen gjithashtu për sterilizimin me forcë të grave dhe imponimin e punës së detyruar.

Kina, ka mohuar akuzat, duke thënë se ato janë qendra trajnimi profesional dhe shërbejnë për luftimin e ekstremizmit.

Rusia dhe Kina i dënojnë sanksionet e Perëndimit

Rusia dhe Kina i dënuan bashkërisht sanksionet e Perëndimit, një ditë pasi Bashkimi Europian, Mbretëria e Bashkuar, Shtetet e Bashkuara dhe Kanadaja futën në listën e zezë disa zyrtarë të lartë kinezë për, siç thanë, abuzime me të drejtat e ujgurëve.

Deklarata e përbashkët u bë gjatë vizitës së ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov, në Guilin të Kinës Jugore.

Lavrov tha se “vendimet e njëanshme” të BE-së “i kanë shkatërruar” lidhjet me Rusinë.

Homologu i tij kinez, Wang Yi, tha se epoka e ndërhyrjes në çështjet e brendshme të Kinës “ka marrë fund përgjithmonë”.

Është hera e parë që BE-ja i ka vënë sanksione Kinës për abuzim me të drejtat e njeriut, që nga protestat pro demokracisë në Sheshin Tiananmen, më 1989.

Më herët, aleatët perëndimorë kanë sanksionuar edhe zyrtarë rusë, të afërt me presidentin Vladimir Putin, për një varg çështjesh.

Sanksionet kanë pasuar aneksimin e Gadishullit ukrainas të Krimesë nga Rusia, në vitin 2014, ndërhyrjen e pretenduar të Rusisë në zgjedhjet presidenciale në SHBA, më 2016, dhe sulmet me agjent nervor kundër ish-spiunit rus, Sergei Skripal, më 2018, dhe kundër udhëheqësit rus të opozitës, Aleksei Navalny, më 2020.

Kremlini i mohon akuzat e Perëndimit.

Kina ka arrestuar së paku një milion ujgurë – kryesisht myslimanë – duke i vendosur në kampe në rajonin veriperëndimor të Ksinjiangut. Atje dyshohet se bëhen tortura, punë të detyrueshme dhe abuzime seksuale.

Kina i mohon akuzat e Perëndimit, duke thënë se kampet janë objekte “riedukimi”, që përdoren për të luftuar terrorizmin.

Lavrov tha se ai dhe Wang u pajtuan se sanksionet janë “të papranueshme”.

Wang tha se vendet e fuqishme “nuk duhet të përzihen në punët e brendshme të të tjerëve, ose të përdorin flamurin e demokracisë dhe të drejtat e njeriut për të ndërtuar fuqinë e tyre”.

Ujgurët nuk po përkrahen nga myslimanët turq dhe vendet tjera arabe

Ndërkaq, presidenti turk Recep Tayyip Erdogan jo vetëm që hesht, por është duke ndihmuar aktivisht Kinën që të shtyp ujgurët, duke ekstraduar ata që kërkojnë azil në Turqi.

Departamenti i Shtetit Amerikan thotë se në Xinjiang ku jetojnë rreth 11 milionë ujgurë është duke ndodhur një gjenocid. Sipas tyre, në kampet e përqendrimit të cilat Kina i quan kampe ri-edukimi, janë të mbyllur afërsisht dy milionë ujgurë, përcjell Demokracia.com.

Vuajtjet e ujgurëve në këto kampe janë çnjerëzore. Sipas aktivistëve ujgurë, shteti kinez paguan burrat kinezë që të flenë me gratë ujgure, derisa burrat e tyre janë në kampe ri-edukimi, për të promovuar ‘unitetin etnik’.

Turqia së pari i identifikon ujgurët që kërkohen nga Kina, nga të cilët më shumë se gjysma nuk merren me politikë apo aktivizëm. Ata dërgohen më pas në qendra paraburgimi dhe pastaj dëbohen në Taxhikistan – një shtet ky që pa hezitim zbaton kërkesat për esktradim nga Kina.

Sipas një vlerësimi, rreth 50,000 ujgurë kanë kërkuar strehim në Turqi. Ata po përpiqen të shmangin shtypjen çnjerëzore që po iu bëhet në Kinë. Por krahu i gjatë i ‘Dragoit’, i ka arritur edhe aty.

Arslan Hidayat, një aktivist për të drejtat e ujgurëve me qendër në Stamboll ka njohuri të dorës së parë në lidhje me këto ekstradime. Hidayat përshkroi peripetitë dhe dorën e gjatë e durimin këmbëngulës të Kinës për të siguruar kthimin e ujgurëve.

Kujtojmë se në vitin 2019 Turqia doli kundër këtyre veprimeve, mirëpo pas takimit që pati Erdogan me Presidentin kinez Xi Jinping më 2 shkurt të 2019-ës, ai ndryshoi plotësisht qëndrimin e tij. Fillimisht udhëheqësi turk tha se nëse “çështja ujgur” shfrytëzohet për shkak të emocioneve, ajo do të reflektonte “keq për marrëdhëniet turko-kineze”.

“Ata që shfrytëzojnë çështjen, ata që përpiqen të fitojnë diçka nga çështja, duke vepruar emocionalisht pa menduar për marrëdhëniet që Turqia ka me një vend tjetër, fatkeqësisht përfundojnë duke i kushtuar si republikës turke ashtu edhe vëllezërve të tyre,” tha ai gjatë një sesioni pyetjesh e përgjigjjesh me reporterët.

Ministria e Jashtme e këtij vendi tha se ajo çfarë po ndodhte ishte një “turp i madh për njerëzimin”. Asokohe ishte shteti i vetëm musliman që po i dilte në mbrojtje ujgurëve, që gjithashtu janë musliman suni.

“Ne i bëjmë thirrje bashkësisë ndërkombëtare dhe Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara që të marrin masa efektive për t’i dhënë fund kësaj tragjedie njerëzore në Xinjiang,” tha ministria në një deklaratë.

E shtetet tjera arabe, me shumicë myslimane po rrinë të heshtura karshi këtij gjenocidi, i cili po u bëhet ujgurëve, të cilët janë popull me përkatësi myslimane, brenda territorit të Kinës.

Deri më tani nuk kemi pare ndonjë reagim sanksionues nga shtetet arabe me shumicë islame dhe Turqia, e cila ka ndërruar qëndrim ndaj kësaj çështjeje, pas takimit me presidentin kinez Xi Jinping.

Madje Irani ka nënshkruar një marrëveshje me Kinën, derisa ujgurët përballen me gjenocidin kinez si shumicë myslimane.

Më 27 mars, Irani dhe Kina kanë nënshkruar një marrëveshje kundërthënëse dypalëshe.

Detajet e kësaj marrëveshje, që thuhet se do të jetë në fuqi për 25 vjet, ende nuk janë zbuluar, por pritet që të përfshijnë investimet kineze në sektorët e energjisë dhe infrastrukturës së Iranit.

Kina është partnerja kryesore tregtare e Iranit dhe treg kryesor për eksportet e Iranit, që janë goditur rëndë nga sanksionet ekonomike të Shteteve të Bashkuara.

Marrëveshja u nënshkrua nga ministri i Jashtëm iranian, Mohammad Javad Zarif dhe homologu i tij kinez, Wang Yi, i cili arriti në Teheran një ditë më parë.

Televizioni shtetëror e përshkroi këtë marrëveshje si “pakt bashkëpunimi strategjik 25-vjeçar”.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Said Khatibzadeh tha më 27 mars se kjo marrëveshje përfshin komponentë “politikë, strategjikë dhe ekonomikë”.

Marrëveshja po ashtu përfshin rritjen e bashkëpunimit ushtarak dhe të sigurisë, thuhet në një draft-dokument të publikuar të kësaj marrëveshjeje.

Zyrtarët iranianë kanë thënë se kjo marrëveshje fillimisht ishte propozuar në janar të vitit 2016, kur presidenti kinez, Xi Jinping kishte vizituar Iranin.

Kjo marrëveshje publikisht është mbështetur nga lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei.

Iranianët kanë akuzuar zyrtarët se po fshehin detajet e kësaj marrëveshjeje dhe kanë frikë se me këtë pakt, Teherani do të bëjë shumë koncesione ndaj Pekinit.

Irani viteve të fundit është drejtuar shumë kah Kina, pasi është përballur me presionin në rritje të SHBA-së, që ka izoluar Teheranin.

SHBA-ja, gjatë presidencës së Donald Trumpit, më 2018 njëanshëm u tërhoq nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015, e arritur ndërmjet Teheranit dhe fuqive botërore.

Trumpi ka aplikuar politikën e “presionit maksimal” ndaj Teheranit dhe ndaj programit të tij bërthamor.

Marrëveshja bërthamore kishte për qëllim lehtësimin e sanksioneve ndërkombëtare, në këmbim të frenimit të programit bërthamor, të cilin Teherani thotë se e përdorë në mënyrë strikte për qëllime civile.

Presidenti i ri amerikan, Joe Biden ka dhënë sinjale se është i gatshëm që ta ringjallë këtë marrëveshje.

Ujgurët janë popull turk, që kryesisht jetojnë në Kinë, gjegjësisht në krahinën autonome Singkjang Ujgur, përbëjnë rreth 45 për qind të popullsisë së saj. Ujgurët kryesisht janë të përkatësisë fetare islame, dhe flasin gjuhën ujgure, e cila i takon grupit të gjuhëve turke, të familjes altaje.

Ujgur gjithësej ka rreth 8 milionë e 852 mijë nga ta në Kinë jetojnë 8 milionë e 569 mijë ndërsa në Kazakistan 232 mijë.

Departamenti i Shtetit Amerikan thotë se në Xinjiang ku jetojnë rreth 11 milionë ujgurë është duke ndodhur një gjenocid. Sipas tyre, në kampet e përqendrimit të cilat Kina i quan kampe ri-edukimi, janë të mbyllur afërsisht dy milionë ujgurë.

Vuajtjet e ujgurëve në këto kampe janë çnjerëzore. Sipas aktivistëve ujgurë, shteti kinez paguan burrat kinezë që të flenë me gratë ujgure, derisa burrat e tyre janë në kampe ri-edukimi, për të promovuar ‘unitetin etnik’.

Sipas një vlerësimi, rreth 50,000 ujgurë kanë kërkuar strehim në Turqi. Ata po përpiqen të shmangin shtypjen çnjerëzore që po iu bëhet në Kinë. Por krahu i gjatë i ‘Dragoit’, i ka arritur edhe aty./Demokracia.com/

 

 

 

 

Të ngjashme
Lajme • 13 Maj 2024