Lajme
Kina heq karantinën për udhëtarët: Covid-19 nuk është më “pneumoni”, por një “sëmundje ngjitëse”
Demokracia
08:46 | 27 Dhjetor 2022

Share:

Kina ka hequr karantinën e detyrueshme për të gjithë personat që mbërrijnë në vend duke filluar nga 8 janari, sipas një njoftimi të autoriteteve shëndetësore. Nga muaji i ardhshëm udhëtarëve do t’u kërkohet vetëm një test negativ (brenda 48 orëve të fundit) për të hyrë në Kinë, tha Komisioni Shëndetësor, sipas BBC.

Ndërkohë deri më tani, udhëtarëve u është kërkuar të qëndrojnë për 5 ditë në një hotel të ndjekur nga 3 ditë të tjera monitorim në shtëpi. Deri në qershor karantina ishte 10 ditë dhe më parë shkoi në 21.

Komisioni Shëndetësor tha se nuk e konsideron më Covid-19 një “pneumoni” por një sëmundje “të transmetueshme”, më pak të rrezikshme.

Në një deklaratë ditën e sotme, presidenti i vendit Xi Jinping urdhëroi autoritetet të “ndërtojnë një digë” dhe “të mbrojnë jetën” e njerëzve në Kinë pasi numri i rasteve ka shënuar rritje pas heqjes së masave më 7 dhjetor.

Spitalet janë plot dhe është e vështirë të gjesh ilaçe kundër gripit në farmaci, ndërkohë që vendi po mëson të bashkëjetojë me virusin. Sipas vlerësimeve të disa studimeve perëndimore, heqja e kufizimeve mund të çojë në vdekjen e deri në 1 milion njerëzve në muajt e ardhshëm.

Bazuar në raportin zyrtar, vetëm 6 viktma nga Covid-19 janë regjistruar që nga heqja e masave, një numër që ekspertët besojnë se është shumë i nënvlerësuar. /abcnews.al

Të ngjashme