ShowBiz
Kim Kardashian dëshmon mes lotësh në gjyq për grabitjen tronditëse në Paris: Mendova se do të më përdhunonin dhe vrisnin
Demokracia
19:13 | 13 Maj 2025

Share:

Mes lotësh dhe emocioneve të forta, Kim Kardashian u paraqit në gjykatën e Parisit për të dëshmuar rreth grabitjes së rëndë që ndodhi në tetor të vitit 2016, gjatë Javës së Modës. Ajo deklaroi se, në atë moment, ishte e bindur se do të përdhunohej dhe vritej.

“Jam e sigurt se ai ishte momenti kur do të më përdhunonin”, tha Kardashian në sallën e gjyqit të martën. “Absolutisht mendova se do të vdisja”, shkruan DailyMail.

Ishte hera e parë që ajo përballej me autorët e dyshuar që nga nata kur, e lidhur dhe nën kërcënimin e armës, u fut në një banjë prej mermeri, ndërsa grabitësit i vodhën bizhuteri me vlerë miliona dollarë. Pothuajse një dekadë më vonë, ajo është kthyer në Paris, jo për modë, por për drejtësi.

E veshur me të zeza dhe syze të errëta, Kim qëndroi në një sallë të mbushur me njerëz, përballë nënës së saj, Kris Jenner. Në momentin që hyri në dhomën gjyqësore “Voltaire”, publiku u përfshi nga emocionet dhe nga thirrjet “wow”.

Zëri i saj u thye ndërsa shpërtheu në lot, duke thënë: “Dua vetëm të dëgjohem dhe të kuptohem. E vlerësoj letrën, ato fjalë. Të fal. Por kjo nuk i ndryshon emocionet, ndjenjat, traumën, dhe faktin që jeta ime ka ndryshuar përgjithmonë”, u shpreh ajo, pasi gjyqtari lexoi një letër ndjese të shkruar nga njëri prej grabitësve në vitin 2017.

“Parisi ishte gjithmonë një vend që e doja. Zgjohesha natën dhe dilja për të ecur në rrugë. Ndihesha e sigurt”, rrëfeu Kardashian. Por në natën fatale, gjithçka ndryshoi. “Rreth orës tre të mëngjesit, dëgjova hapa të rëndë në shkallë. I thirra motrës sime dhe shoqes së ngushtë, por askush nuk u përgjigj. Pastaj në dhomë hynë disa burra të veshur si policë”, tregoi ajo, duke kujtuar çastet e tmerrit.

Grabitësit, të maskuar dhe të veshur me uniforma policie, kishin me vete recepsionistin të lidhur me pranga. Ata e lidhën Kim-in me kabëll plastik, e tërhoqën në banjë dhe i vendosën armën në kokë. “Njëri prej tyre bërtiti me forcë: ‘Ring! Ring!’, duke treguar unazën”, kujtoi ajo.

Hetuesit thonë se grabitësit i morën një unazë fejese me vlerë 4 milionë dollarë (3.5 milionë euro) – dhuratë nga ish-bashkëshorti i saj, Kanye West. “Isha ende në shok. Në atë kohë ndodhnin shumë sulme terroriste dhe mendova se ishte një prej tyre. Nuk e kuptova menjëherë që po grabitesha për bizhutë”.

Pasi morën gjithçka, grabitësit e kthyen në dhomë dhe e hodhën në shtrat. “Isha histerike. E pyeta recepsionistin: ‘Çfarë do të na ndodhë? Duhet të kthehem tek fëmijët e mi’”.

Në një moment ajo mendoi se do të përdhunohej, pasi njëri nga grabitësit e kapi nga këmba. “Por ai më lidhi dhe m’i mbylli këmbët”, tha Kim.

“Vetëm mendova për motrën time – që do të hynte dhe do të më shihte të vrarë. Do ta mbante atë kujtim gjithë jetën”.

Pasi nuk dëgjoi asgjë për disa minuta, u tërhoq drejt lavamanit prej mermeri dhe arriti të presë lidhëset. “Zbrita poshtë, dhe Simone (stilistja ime) më tha se kishte lajmëruar motrën Kourtney dhe sigurimin. Nuk e dinim nëse do të ktheheshin sërish. U ngjitëm në ballkon dhe u fshehëm në shkurre”.

“Më kujtohet që telefonova mamanë time nga shkurret për t’i treguar çfarë ndodhi. Po mendonim edhe të hidhemi nga dritarja sepse ishim në katin e parë”.

Sipas prokurorëve francezë, grupi i grabitësve – të gjithë në të 60-at dhe 70-at – ishin pjesë e një rrjeti kriminal të sofistikuar që kishte ndjekur lëvizjet e Kardashian përmes rrjeteve sociale. Dy prej të pandehurve pranuan që ishin në vendngjarje; njëri prej tyre tha se nuk e njihte fare se kush ishte ajo.

Nga 12 të akuzuarit, njëri ka vdekur dhe një tjetër është liruar për shkak të gjendjes shëndetësore. Mediat franceze i kanë quajtur “les papys braqueurs” – grabitësit gjyshër – por prokuroria insiston se nuk kanë qenë aspak të pafajshëm.

Në një intervistë të mëvonshme, Kardashian pranoi se ndarja e jetës së saj në rrjetet sociale luajti rol në grabitje. “Njerëzit më ndiqnin. E dinin çfarë kisha, ku isha”. Sot, ajo ka nga katër deri në gjashtë roje sigurie në shtëpi për të ndier e sigurt. “Shtëpia ime në Los Angeles u grabit menjëherë pas Parisit. Nuk mund të fle pa sigurim”.

Stilistja Simone Harouche, shoqja e fëmijërisë e Kardashian, tregoi se kishte dëgjuar Kim-in duke bërtitur e lutur për jetën e saj: “Kam fëmijë, dua të jetoj. Merrni gjithçka, dua vetëm të jetoj”.

Ajo u fsheh në banjë dhe i dërgoi mesazh Kourtney-t dhe sigurimit për ndihmë. “Kur Kim zbriti, ishte e shkatërruar. Nuk e kisha parë kurrë në atë gjendje. Vetëm bërtiste: ‘Duhet të largohemi! Nëse kthehen, çfarë bëjmë?’”

Simone shpërtheu në lot gjatë dëshmisë dhe tregoi se, pas grabitjes, ndryshoi profesion dhe nisi terapi nga trauma, duke u bërë e frikësuar nga të famshmit.

“E kam njohur Kim-in që 12 vjeç. Ajo nuk ka më lirinë bazë si njeri. Nuk shkon më askund vetëm. Ka një jetë tjetër tani. Është tmerr të humbësh ndjenjën e lirisë”.

Kur gjyqtari David De Pas e pyeti nëse Kardashian ishte vetë një shënjestër për shkak të postimeve me bizhuteri luksoze, Harouche u përgjigj prerë: “Jo. Sepse një grua mban bizhuteri, nuk do të thotë se e meriton të grabitet. Kjo është njësoj si të thuash se një grua që vesh fund të shkurtër e meriton të përdhunohet”.

Në gusht 2017, një nga grabitësit, Omar Le Vieux, i kishte dërguar një letër ndjese Kim-it, e cila u lexua në sallën e gjyqit: “Zonjë, pasi ju pashë në një program televiziv francez dhe kuptova dëmin psikologjik që ju shkaktova, vendosa t’ju shkruaj… Pranoj përgjegjësinë dhe më vjen thellësisht keq për dhimbjen që ju kam shkaktuar”.

Kim u prek thellë nga letra dhe tha: “Jam shumë e prekur. Kjo ngjarje më ka ndryshuar jetën. Në SHBA, unë punoj në sistemin e drejtësisë, dua të bëhem avokate, besoj në një shans të dytë. Dua të ndihmoj ata që kanë bërë krime të tmerrshme”.

Omar u ndje i prekur nga falja e saj dhe dërgoi një tjetër letër që u lexua nga gjyqtari: “Kjo falje është si rrezet e diellit për mua. Ju falënderoj. Për dhjetë vite, pendesa më ka shkatërruar. Do t’ju jem përjetësisht mirënjohës”.

Të ngjashme